EmailFacebookKontakt

Një mrekulli e artit psaltik kishtar bizantin

Dy janë shërbesat kryesore në nder të Hyjlindëses Mari: Paraklisi (i Vogël dhe i Madh) dhe Himni Akathist.

Paraklisi shfaq të Tërëshenjtën si Nënë të dhembshur dhe ndërmjetuese të besimtarëve në vuajtje te Biri i saj.

Himni Akathist himnon madhështinë dhe lavdinë e Gjithmonëvirgjërës Mari dhe u vendos të psalet nga i gjithë populli pas një mrekullie të saj, kur shpëtoi nga armiqtë paganë Konstandinopojën dhe gjithë Perandorinë Bizantine (v. 626). Avarët dhe Persët rrethuan kryeqytetin e Bizantit, ndërsa perandori me pjesën më të madhe të ushtrisë kishin dalë jashtë qytetit. Në Konstandinopojë kishin mbetur pak ushtarë, burra të moshuar, gra dhe fëmijë. Pushtimi i qytetit dukej i sigurt për armiqtë, por banorët besimtarë të Konstandinopojës thirrën në ndihmë të Tërëshenjtën, Zonjën Shën Mari, për nder të së cilës Kostandini i Madh ndërtoi dhe qytetin. Patriarku mori ikonën e të së Tërëshenjtës dhe bëri me të litani në muret e qytetit. Mrekullia nuk vonoi. Në det ra një tërmet i fortë, i cili solli mbytjen e shumicës së anijeve perse. Kështu u arrit fitorja, që të gjithë kuptuan se ishte mrekulli nga e Tërëshenjta që mbrojti qytetin e Saj. Atëherë kryeqytetasit, megjithëse ishin tej mase të lodhur, psalën Himnin duke qëndruar më këmbë në shenjë mirënjohjeje (Akathistos = jo ulur).

Himni Akathist është poemë kishtare e përbërë nga 24 pjesë, që si finale të çdo pjese tingëllojnë vargjet “Gëzohu, o nuse e panusëruar” dhe “Aliluia”.

Himni, një mrekulli e artit psaltik kishtar, psalet tradicionalisht bashkë me Pasdarkën e Vogël çdo të premte pasdite, në katër javët e para të Kreshmës së Madhe, ku këndohet vetëm një nga stancat (ose qëndrimet), kurse të premten e javës së pestë thuhen të katërta stancat së bashku. Himni Akathist (ose Përshëndetjet e Hyjlindëses), por pa kanonin e tij, thuhet nëpër manastire çdo ditë gjatë Pasdarkës dhe shumë të krishterë e kanë zakon ta lexojnë një herë në ditë.

Kjo shërbesë i jep gëzim dhe shpresë periudhës së kreshmëve, që janë periudhë pendese dhe zie për mëkatet, por dhe një gëzim që vjen se Zoti Jisu Krisht, Biri i Perëndisë dhe Biri i Virgjëreshës Mari, do të na i falë mëkatet dhe do na japë gëzimin e shpëtimit, ashtu siç është e mbushur Hyjlindësja Mari jo vetëm si Nëna e Jisuit, por si shërbëtorja e përulur që u bind dhe zbatoi në mënyrë të përsosur vullnetin e Zotit, duke thënë “Ja shërbëtoija e Zotit, u bëftë sipas fjalës të Tij”, prandaj edhe Kryeengjëlli e lumëroi: “Gëzohu, Mari!”. Këtë gëzim kërkon të na japë dhe vetë e Tërëshenjta, jo vetëm Nëna e Jisuit, por edhe e gjithë bijve të Zotit, që janë dhe bijtë e saj.

“Përlufteshës gjenerale këngët mundëse,
si përhirim që e shpëtove prej tmerreve,
qyteti yt po të përshkruan, o Virgjëreshë;
Po sikundër ke fuqi të paluftueshme,
prej çfarëdo rreziku shpëtomë, se po të thërres:
Gëzohu, o nuse e panusëruar”.

Miron Çako

Pamje nga Shërbesa e Himnit Akathist, stanca (qëndrimi) I, në Korçë dhe Fier