E diel, 27 shkurt 2022
Duke marrë shkas nga ngjarjet dramatike në Ukrainë, Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi, fton besimtarët dhe çdo njeri vullnetmirë të intensifikojnë lutjen e tyre për paqe dhe thekson se:
“Dhimbja dhe hidhërimi i thellë mbushin shpirtrat e njerëzve kur ndërpritet dialogu për paqen dhe nis lufta vëllavrasëse me monologun e dhunës së të fortit dhe me viktima, zakonisht njerëz të pafajshëm, të pambrojtur dhe valë refugjatësh.
Ndërgjegjja e krishterë dënon çdo formë akti dhune, duke nxitur fort secilin të kontribuojë, sipas mundësisë, në arritjen e paqes dhe pajtimit në Ukrainën e shumëvuajtur dhe kudo në botë.
Parimi ynë i përhershëm mbetet fjala e Krishtit: “Lum ata që bëjnë paqe, sepse këta do të quhen bij Perëndie”.
E diel, 13 mars 2022
Në datën 13 mars 2022, të Dielën e Orthodhoksisë, në Kishën Katedrale të Tiranës, gjithashtu tha:
“Le të intensifikojmë lutjen tonë për ndalimin e menjëhershëm të luftës vëllavrasëse të Rusisë kundër Ukrainës, për shërimin e plagëve, për lehtësimin e gjendjes së refugjatëve dhe për shmangien e përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit të armatosur.
Gjithashtu, le të forcojmë lutjen tonë për rivendosjen e unitetit midis orthodhoksëve, për paqtimin, për faljen, për solidaritetin, për pajtimin, që me ndërgjegje të pastër t’i drejtojmë himn dhe lutje Zotit të kryqëzuar dhe të ngjallur, Atij që i paqëson të gjitha”.