EmailFacebookKontakt

360 milionë të krishterë përballen me persekutim

– Sipas raportit të Organizatës “Open doors”, të krishterët e vrarë për besimin arrijnë në 5898 –

Sipas një raporti të organizatës “Open doors”, persekutimi i të krishterëve në botë po shtohet gjithnjë e më tepër, vit pas viti. Afganistani ka dalë i pari në statistika, duke ia kaluar Koresë së Veriut. Mbi 360 milionë të krishterë përjetojnë persekutim dhe diskriminim të thellë për besimin e tyre (1 ndër 7 të krishterë). Të krishterët e vrarë për besimin arrijnë në 5898. Madje dhe Covidi ka shërbyer si pretekst në disa vende për të rritur izolimin e komuniteteve të krishtera.

“Open doors” ka publikuar World Watch List 2022 (për periudhën 1 tetor 2020-30 shtator 2021). Në të pasqyrohen 50 vendet e para në persekutimin e të krishterëve. Në raportin e kaluar ishin me pak 340 milionë.

Sipas Kristtin Nani, drejtor i “Open doors”, situata në Afganistan ndaj komunitetit të fshehur që jeton atje, mund të jetë një mesazh i qartë për ekstremistët e të gjithë botës, që tashmë shpresojnë përsëri që objektivat e tyre janë të arritshme.

10 vendet ku është konstatuar persekutimi më i madh i të krishterëve janë: Afganistani, Koreja e Veriut, Somalia, Libia, Jemeni, Eritrea, Nigeria, Pakistani, Irani dhe India. Në rreth 100 vende që u shqyrtuan, është shtuar persekutimi në terma absolutë. Ato që kanë një shkallë persekutimi, që quhet i lartë, shumë i lartë apo ekstrem kalojnë nga 74 në 76.

Janë 23% më shumë të krishterët e vrarë për arsye të lidhura me besimin e tyre. Gjithmonë epiqendra e masakrave kundër të krishterëve mbetet Nigeria, bashkë me vendet subsahariane. Në 10 vendet e para për persekutimin e të krishterëve ndodhen 7 vende afrikane.

Në rritje është edhe dukuria e “kishës refugjate”, sepse ka gjithmonë e më shumë të krishterë që largohen nga vendet e tyre për shkak të persekutimit. Gjithashtu, modeli kinez i kontrollit të centralizuar mbi fenë po ndiqet edhe nga shtete të tjera. Problem i theksuar mbeten edhe përdhunimet dhe martesat me forcë të grave të komuniteteve të krishtera, aty ku ato janë pakicë, si në Pakistan etj.

Përgatiti: Thoma Dhima

Këta njerëz nuk jetojnë në të njëjtin vend apo kontinent, por ndajnë një karakteristikë të rëndësishme: Ata janë të gjithë të krishterë dhe vuajnë për shkak të besimit të tyre. Ndërsa persekutimi i krishterë merr shumë forma, përkufizohet si çdo armiqësi e përjetuar si rezultat i identifikimit me Jisu Krishtin. Nga Sudani në Afganistan, nga Nigeria në Korenë e Veriut, nga Kolumbia në Indi, pasuesit e Krishterimit janë në shënjestër për besimin e tyre. Ata sulmohen dhe janë në shënjestër të vazhdueshme. Janë të diskriminuar në punë dhe në shkollë. Rrezikojnë abuzim seksual, tortura, arrestime e shumë të tjera.

Vetëm për një vit:
– 5895 të krishterë janë vrarë për besimin e tyre.
– Ka arritur në 360 milionë numri i të krishterëve që jetojnë në vende ku persekutohen.
– 5100 kisha dhe objekte të tjera janë sulmuar.
– 6175 besimtarë janë burgosur pa gjyq apo janë dënuar.
– 3829 të krishterë janë rrëmbyer.

Këto shifra janë tronditëse. E megjithatë, ato nuk i tregojnë të gjitha aspektet e persekutimit. Kur lutemi me të krishterët e përndjekur, qëndrojmë me ta në solidaritet dhe i bëjmë të kuptojnë se nuk janë vetëm.

Bashkohemi me përpjekjet për t’u krijuar një vend të sigurt përmes mbështetjes sonë, duke e ditur se Perëndia nuk do t’i braktisë kurrë – dhe as ne nuk do t’i lëmë.