Krishtlindja është një periudhë e bekuar për përjetimin e miqësisë, përkujdesjes dhe dashurisë. Kjo është një periudhë e vitit kur ne mund t’i japim dhuratat e gëzimit dhe lumturisë të tjerëve. Ashtu si Shpëtimtari ynë, Zoti Jisu Krisht, ne mund të vizitojmë të sëmurët, t’u japim të varfërve dhe t’i bëjmë shoqëri të vetmuarve.
Mitropolia e shenjtë e Elbasanit në bashkëpunim me besimtarët vazhdon të kujdeset për familjet në nevojë me pako ushqimore dhe higjienike. Në kuadër të së kremtes së Krishtlindjes u shpërndanë 100 pako për familjet në nevojë në disa zona të Mitropolisë së Elbasanit.
Përmes kësaj nisme u gjendëm pranë njerëzve në nevojë, duke iu falur mbështetje, dashuri dhe ngrohtësi shpirtërore. Është e rëndësishme që ata mos të ndihen të vetmuar dhe të kemi qenë miqtë e tyre qoftë edhe për një ditë, duke zbutur sadopak sfidat me të cilat përballen.
Shprehim falënderime për secilin dhurues për përgatitjen e pakove.
Gjithashtu, duhet falënderuar znj. M. Xh., që bëri të mundur përgatitjen e 12 pakove ushqimore dhe kostume sportive për fëmijët e Qendrës së Autizmit, Elbasan.
Dhjakon Andrea Ranxha