Jetën e Gjergj Kastriot Skënderbeut, studiuesit e ndajnë në dy periudha studimi. Kufiri ndarës i tyre është kthimi përfundimtar i Heroit tonë në vitin 1443 në qytetin e Krujës. Vështirësitë studimore konsistojnë se, historianët dhe studiuesit marrin ose jo parasysh pasaktësitë dhe mungesat e të dhënave burimore të autorëve të mëparshëm dhe nxjerrin konkluzione të ndryshme. Ashtu si te historianët osmanë i kopjuan kronikat e mëparshme osmane dhe ndonjëherë i ndryshuan vitet, gjë që solli tek të gjitha studimet e mëvonshme ngatërrim sistematik episodesh dhe ngjarjesh. Megjithatë, siç dihet, Gjergj Kastrioti rridhte nga një familje që identitet dhe etnitet shpirtëror të saj kishte krishterimin e traditës arbërore, Orthodhoksinë. Kështu, mbështetur në traditën shpirtërore dhe familjare të Kastriotëve, Gjergj Kastrioti lindi orthodhoks.
Çështjet që lidhen me familjen e Gjon Kastriotit si feja e tyre, kur u morën peng ose jo djemtë, vrasja ose jo e vëllezërve të Gjergj Kastriotit nga Sulltani etj., ndriçohen mjaft, nëse studiuesit do t’u referohen të dhënave agjiografike…
Rëndësi të veçantë kanë Aktet e Hilandarit, të cilat janë dokumentet më të vjetra që përmendin emrin e Gjergj Kastriotit. Këto dokumente agjiografike, që lidhen me historinë e Manastirit dhe familjes Kastrioti”, përmbajnë të dhëna të plota për periudhën e rinisë së Gjergj Kastriotit, sidomos për aspektin fetar, i cili ndikoi në qëndrimet e tyre princërore. Siç njohim, në përmbajtje të Akteve të Hilandarit, Gjon Kastrioti dhe katër djemtë e tij (Stanisha, Reposhi, Kostandini, Gjergji) i japin Manastirit të Hilandarit, dy fshatra dhe kishën e Shën Marisë të krahinës së Pollogut, si metoqe dhuratë prej tyre. Kurse Akti i dytë i nënshkruar prej të njëjtëve, bën fjalë për blerjen e Pirgut të Shën Gjergjit dhe dhënies së 60 florinjve nga Gjoni dhe tre djemve të tij. Akti i parë daton në vitin 1426. Ndër të tjera Gjon: “unë mëkatari dhe i pamerituari..” dhe “…i dhuruam Manastirit të shënjtë sipas fuqisë sonë…” Këto janë shprehje që tregojnë shpresëtarinë e tyre. Dhurimi sipas dëshirës dhe fuqisë së tyre është vepër e pastër shpirtërore ndaj manastirit orthodhoks. Në këtë kohë, manastiri i Hilandarit arriti në kulmin e tij. Ai njohu bamirësi nga hegjemonët serbë Stefan dhe Sava Nemanja, ndërtues të manastirit me miratimin e perandorit të Konstandinopojës, Alesksit III, në fund të shekullit XII.
Në vitin 1326, Hilandari bleu manastirin e Shën Nikollës Skorpiu, që iu bashkëngjit të parit dhe më pas, atë të Shën Vasilit, që thërritej Manastiri i Pirgut (ose Manastiri i Kullës). Në vijim Hilandarit iu bashkëngjitën manastiret: i Komitissis, Kalika, Paparkiki, Omologjitu, Strovileas dhe Shën Gjergjit. Ky i fundit na intereson më tepër, sepse këtë posedoi Gjoni dhe të tre djemtë kundrejt vlerës dhuratë (siç shkruhet më poshtë në akt), blenë Pirgun e Shën Gjergjit. Murgjit e manastirit i shesin Gjonit dhe djemve, Reposh, Kostandin dhe Gjergj, këtë manastir të Shën Gjergjit që nga murgjit quhej “Pirgu i Shën Gjergjit” dhe më pas u quajt “Arbanarsk Pirg” (Pirgu i Shqiptarëve), bashkë me vreshtat dhe katër adelfatet, nga një për çdo blerës. Manastiri kishte fshatra metoqe në varësi të tij, në zonën e Maqedonisë, Arbërisë dhe të Dukagjinit. Vetëm në këtë të fundit kishte 193 fshatra metoqe. Këto faktojnë pasurinë e madhe të manastirit dhe hedhin poshtë mendimin se mos ky manastir kishte nevojë t’ia shiste Gjon Kastriotit dhe djemve për të përfituar ekonomikisht nga nënshkrimi në Aktin e Dytë të Hilandarit.
Në përmbajtje të Aktit të Dytë, i cili pranohet se daton më vonë, përmendet Gjoni dhe tre djemtë e tij Reposhi, Konstandini dhe Gjergji, ndërsa djali i madh, Stanishi, nuk përmendet si në Aktin e Parë. Në lidhje me këtë, studiuesit komentojnë se mospërmendja e djalit të madh nga Gjon Kastrioti, është e lidhur me faktin se në këtë kohë ai ishte islamizuar.
Prania e djemve në këto vite të nënshkrimit të akteve te babai i tyre, sipas Kristo Frashërit, kuptohet se Skënderbeu qëndroi “vetëm tre vjet në Akademi Ushtarake”. Si duket, ndërrimi i fesë së Stanishit, shërbeu si arsye e fortë për Gjon Kastriotin, që të mos e përfshinte atë në Aktin e Dytë. Mbi këtë koment, mund të themi se, ndërrimi i fesë së Stanishit, mjafton për Gjon Kastriotin, që përpara bindjes shpirtërore të tij dhe murgjve orthodhoksë të Hilandarit, të mos e vendoste djalin e tij të madh në blerjen e Pirgut dhe të ndonjë adelfati.
Thoma Shkira
Shkëputur nga referati i mbajtur në takimin e Intelektualëve Orthodhoksë