…Theofani lindi natën e Krishtlindjes, kur jashtë binin kambanat e kishës dhe qëmtonte dëborë. Maria e kujtonte mirë këtë ngjarje, sepse një natë përpara, kishte parë një ëndërr të tmerrshme, sikur kishte lindur jo një fëmijë, por pesë menjëherë. Kjo ëndërr dhe lindja e tij ditën e lindjes së Krishtit e kishin bërë nënën e re të mendojë se i biri do të kish një fat të veçantë në jetë. Ajo e llogariste lindjen e djalit të dytë sipas kalendarit të vjetër, kurse me kalendarin e ri Theofani lindi më 6 janar 1882. Para tij kishte lindur Dhimitri.
Vit pas viti, Fani do të dëshmonte se ishte nxënës shembullor. Edhe kur e ngarkonin të kulloste bagëtinë, librat i merrte me vete, harrohej pas tyre, aq sa nuk shikonte që bagëtia hynte nëpër kopshtet dhe arat e huaja. I ati, Stiliani, gëzohej dhe mburrej me mbarëvajtjen e të birit. Askush nga Nolët nuk kish treguar kaq zell për dituri sa Fani. Ata e kishin pasur mendjen te fushatat ushtarake. Vetë ai, me sa duket, nuk kish kryer shkollë të rregullt. Këtë ëndërr të paplotësuar po e realizonte djali i vogël, sepse i madhi, Dhimitri, ishte dhënë i tëri pas punëve të bujqësisë. Kurse, për vajzat, nuk kish ndonjë ambicie, sado që nuk do t’i linte pa i dërguar në shkollën e fshatit.
Zelli i madh në mësime dhe dëshira për të fituar kohën e humbur, ngaqë kish nisur shkollën me vonesë, bëri që Fani t’i kryejë në katër vjet të gjashtë klasat e shkollës së Qytezës. Kështu, në verën e vitit 1894 ai mori dëftesën me lavdërime, por i mbetej dhe një klasë që ta mbaronte krejt shkollën plotore. Atëherë i ati, që kish varur shumë shpresa te ky djalë, e dërgoi në Keshan, një qytet nja 30 km në juglindje të Qytezës, ngritur në një vend piktoresk në brigjet e lumit Tunxha. Keshani, jo vetëm i dha mundësi Fanit të vijonte mësimet, por dhe të njihte botën. Ishte hera e parë që ndahej nga vendlindja dhe qyteti ku shkoi, i njohur si vatër e vjetër kulturore dhe qendër ekonomike në ato anë, s’kish si të mos i zgjeronte horizontin këtij djali të vogël të sapodalë nga fshati…
Në Keshan Fani kaloi vitin shkollor 1894-1895, ku mori dëftesën e semimaturës me përfundime të shkëlqyera. Tani dukej qartë se ky djalë i zgjuar, i mbarë dhe mësimdashës, nuk duhej penguar që të ngjiste më tej shkallët e diturisë. Ai ishte bërë kanakari i Nolëve dhe jo më kot e quanin dhe të përkëdhelurin e Perëndisë.
Vitet e shkollës, Fani i kish kaluar i tëri nën përkujdesjen dhe ndikimin e të atit. Stiliani, i cili tani ishte i bindur për zgjuarsinë, zellin dhe vullnetin e djalit të vogël, përpiqej ta mëkonte dhe brumoste me pasionet, ëndrrat dhe ambiciet e veta. Ai donte ta bënte të birin shëmbëlltyrën e tij, madje të realizonte me të edhe atë që nuk kish mundur ta arrinte vetë.
Fani, si kanakar i të atit që në vitet e para të shkollës, e ndiente interesimin dhe besimin e tij, dëshirën dhe kujdesin e vazhdueshëm për ta mbajtur pranë. Në kohën e lirë dhe në ditët e festave, ai e merrte gjithnjë me vete. Shkonin te Sheshi i Madh ose në kishë, nëpër dasma e zijafete, ndonjëherë dhe në kuvende burrash. Në këto raste, Fani shihte e dëgjonte gjëra që nuk i mësonte në shkollë.
Pasioni i parë që ndjeu Fani se kish i ati, ishte muzika. Ai kishte një zë të bukur prej tenori dhe jo rastësisht mbante vendin e këngëtarit kryesor në kishën e Qytezës. Çdo të diel dhe të kremte fetare atë e dëgjonte gjithë fshati me emocion tek psalte. Edhe peshkopi, kur vinte nga Adrianopoja, e çmonte talentin e tij. Të birit i pëlqente ky vlerësim publik i të atit, po më shumë i pëlqente muzika, e ndiente thellë, e prekte pa masë. Stiliani e kuptoi që shpejt këtë prirje të Fanit dhe iu vu punës t’i mësojë muzikën. Muzika, e sidomos muzika bizantine, për të ishte gjë serioze dhe e bukur. Ai i mësoi sistematikisht notat dhe mënyrën e të kënduarit. Kjo e fundit ishte më e vështira, sepse kërkonte vullnet dhe durim. Troparet, siç quheshin tekstet kishtare, këndoheshin në greqishten e vjetër dhe një gjë e tillë s’ishte e kollajtë. Megjithatë, Fani, falë ndjeshmërisë muzikore, zërit e vullnetit, po dhe këmbënguljes e autoritetit të të atit, mori mësimet e para të muzikës bizantine dhe nisi rrugën për t’u bërë këngëtar.
Por muzika për Stilian Nolin dhe të birin nuk kufizohej vetëm brenda mureve të kishës. Ata shkonin nëpër dasma e zijafete dhe këndonin së bashku. Në këto raste, kënga kthehej në një gëzim e dëfrim të vërtetë, që e ngazëllente shpirtin e djalit…
…Kish kohë që dhoma e Tasit, mbushur plot me libra, ishte bërë vendi më i dashur i Fanit. Sapo dilte nga shkolla, e mbante vrapin për atje. Tasi me librat e tij i hapte dritare që të shihte përtej fshatit dhe diturive që mësonte në shkollë. Djali u lidh aq fort pas tyre, sa e ëma, Maria, zuri të shqetësohej dhe një ditë, kur e pa të shtrirë mbi sixhadenë e dhomës të përhumbur pas një libri, i tha e trishtuar: “Më vjen keq, mor bir, por fajin nuk e ke ti. Fajtore jam unë, që të ngarkova mbi shpinë dhe të çova në shkollë. S’ma merrte mendja se shkolla do të katandiste kështu!”
Në qoftë se i ati i ngjalli Fanit adhurimin për heronjtë dhe dashurinë e interesin për muzikën, Tasi e futi në botën e madhe e të bukur të librave dhe u bë udhërrëfyesi i tij. Nuk dimë se cilët qenë librat e parë, që i dha në dorë, por na e merr mendja se i kanë takuar moshës fëmijërore, libra të thjeshtë me karakter tregimtar e diturak. Ndoshta kjo është rrethana më fatlume që e lidhi djalin e Nolëve përgjithmonë me librat.
Vera e vitit 1896 ishte vendimtare në jetën e Fanit. Pas dëftesës së shkëlqyer të semimaturës që mori në shkollën plotore të Keshanit, me gjithë furtunën e grindjeve familjare dhe vështirësitë ekonomike që kishin nisur të ndiheshin, Stilian Noli vendosi ta dërgojë të birin për të vazhduar gjimnazin grek të Adrianopojës.
(Shkëputur nga një artikull i botuar në gazetën “Dita”)