Fan S. Noli, (1882-1965) është dhe do të mbetet në jetë të jetëve një figurë e shquar në botën shqiptare, si një fetar, njeri i ditur, poet, shkrimtar dhe burrë shteti. Ai është themeluesi i të parës Kishë Orthodhokse Shqiptare në SHBA, më 1908. Ai ka përkthyer dhe është autor i mbi 42 librave liturgjikë, historikë dhe letrarë, në të dyja gjuhët, në shqip e anglisht dhe konsiderohet një nga njerëzit më të ndritur të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Përkthimi i Testamentit të Ri, nga greqishtja në anglishten e sotme, është cilësuar si një nga kryeveprat e tij, e pasuar nga një numër i madh përkthimesh të liturgjisë dhe muzikës kishtare të Kishës Orthodhokse, në të dyja gjuhët, shqip dhe anglisht. Zotërues, në mënyrë të përkryer, i 12 gjuhëve të huaja, të pasqyruara në një numër të madh albumesh, në përkthimin e dramave dhe poemave origjinale. Ai bëri të flasin shqip veprat e Longfellow-t, Ibsenit, Servantesit dhe Omar Khajam-it. Noli i madh ka marrë nderimin dhe vlerësimin nga Shtëpia e Bardhë, për përkthimet e William Shekspirit në shqip.
Më 1912, ai drejtoi Federatën Panshqiptare të Amerikës “Vatra”, si themelues i saj me Faik Konicën dhe atdhetarë të tjerë. Më 1920, përfaqëson atdheun e tij, Shqipërinë, në Gjenevë, ku garantoi futjen e Shqipërisë në SHBA, njohjen e shtetit të parë modern shqiptar dhe shpalljen e pavarësisë. Në vitin 1924, ai ishte Kryeministër i Shqipërisë.
Vepra e tij kritike “Bethoveni e Revolucioni Francez”, është vlerësuar nga njerëz të dëgjuar, si George Bernard Show, kompozitori Jan Sibilius dhe autori Thomas Man etj. Ndërsa studionte në Konservatorin e New England, për muzikë, ai kompozoi “Rapsodinë Shqiptare”, “Uverturën Bizantine” dhe një numër të madh poemash, të gjitha të përkthyera e të përshtatura në gjuhën shqipe. Dy librat e tij historikë për Gjergj Kastriot Skënderbeun, Heroin tonë Kombëtar, konsiderohen studime klasike me shumë vlera.
I lindur në Ibrik Tepe, një qytezë e përbërë nga komuniteti shqiptar në Turqinë evropiane, jeta e tij shpaloset si një epos ekzemplar, e cila ndriti për më se një shekull me suksese në të gjitha drejtimet dhe në shërbimin që ai i bëri popullit të tij. I diplomuar në Universitetin e Harvardit, më 1912, më vonë ai mori doktorata në histori dhe në muzikë nga Konservatori i New England. Shumë i thjeshtë dhe popullor në jetën e tij, i flaktë dhe i debatueshëm në oratori, ai ishte truri dhe përkushtimi për t’i shërbyer popullit të tij në shumë drejtime. Në shumë mënyra enigmatik, ai në të njëjtën kohë jo vetëm ishte një patriot dhe atdhetar i devotshëm, por ishte një njeri me horizont të gjerë dhe shumë i respektuar nga ndërkombëtarët për bindjet e tij.
Gjithmonë i qeshur e me një sens humori, jeta dhe vepra e tij edhe sot e kësaj dite është një rezonancë për shqiptarët, që ata të jenë të bashkuar e të punojnë për kombin e tyre. Duke qenë një njeri modest, përparimtar, atdhetar, dashamirës, ai karakterizohej nga karizma, që tërhoqi vëmendjen dhe interesimin e diplomatëve të huaj dhe njerëzve të ditur të botës. Noli diti të shfrytëzojë këtë interesim, duke e vënë në dobi të atdheut e të shqiptarëve, duke qenë përçues i flaktë i atdhetarizmës, duke luajtur një rol model për popullin e tij shqiptar në SHBA, por edhe jashtë saj.
Jeta dhe vepra e tij e ndritur ruhet në kujtesën dhe memorien e kombit shqiptar dhe do jetojë në brezat që do të vijnë.