Më 8 janar 2022, në qytetin e Elbasanit u zhvillua marshimi i përvitshëm i paqes. Ai nisi nga sheshi “Elbasan Arena” dhe kishte si temë: “Edukimi është mjeti kryesor për përparimin shoqëror e kombëtar!”
Drejtori i QBNF, z. Sokol Lulgjuraj, pasi falënderoi pjesëmarrësit, ftoi me radhë për të folur autoritetet fetare dhe civile të pranishëm. Dr. Arben Ramkaj theksoi rëndësinë e edukimit dhe kontributin që komunitetet fetare kanë dhënë ndër shekuj.
Me pas, znj. Evis Kushi, Ministre e Arsimit, pasi falënderoi për këtë angazhim tashmë tradicional, vlerësoi përzgjedhjen e kësaj teme tepër aktuale e të domosdoshme, ku kërkohet kontributi i të gjithëve. Me tej, ne emër të Bashkisë, foli zv/kryetari, J. Gjura.
Marshimi u bë me ndalesa në monumente të qytetit, ku folën përfaqësuesit fetarë. Pranë bustit të Kozma Naskës u kumtuan “Komunitetet fetare – shembull për edukimin” dhe “Feja si Misionare e Palodhur për Edukimin e brezave”, nga Myfti Agim Duka dhe Don Giuseppe Testa, si edhe përshëndeti deputeti F. Spaho.
Te ndalesa pranë bustit të Kostandin Kristoforidhit foli Mitropoliti, Hirësi Andoni: “Edukimi – burim kryesor për një të ardhme më të ndritur”, si edhe drejtori i ZVA z. Ermir Çela.
Në fund, te shtatorja e Aqif Pashës, u kumtua “Prijësit fetarë – këshillues dhe edukues të masave”, nga Baba Faik Selmani dhe “Zoti na shtyn gjithmonë drejt edukimit!” nga Pastor Ilirian Gjoni.
Kreu i Qarkut, z. Bukurosh Stafa, paraqiti disa drejtime ku është fokusuar institucioni i tyre, ndërsa Rektori i Universitetit të Elbasanit, prof. Skënder Topi, foli për profesionalizmin e universitetit, që rrit nivelin e edukimit. Në fund, zv/kryetarja e Bashkisë, znj. Vesa Llanaj, vlerësoi kontributin e te gjithë pjesëmarrësve, duke nxitur përfshirjen në këto veprimtari të më shumë institucioneve e shoqatave.
A. O.