E kremtja e Theofanisë – Ujit të bekuar është shfaqja publike e Krishtit, kur Ai nis misionin e shpëtimit nëpërmjet mësimeve të Tij, vdekjes, ngjalljes dhe ngjitjes. Krishti, së pari, u pagëzua që të shenjtërojë ujërat dhe të shkatërrojë të keqen e tyre, të vdesë mëkatin dhe Adamin e vjetër, që të shfaqë Hyjninë Triadike si dhe të jetë shembull për të gjithë ne. Kjo ditë ka himnet e saj të veçanta, ku më e njohura është Përlëshorja e së kremtes: “Në Jordan kur pagëzoheshe, o Zot, falja e Trinisë u shfaq, se zëri i Prindit të dëshmonte, Bir të dashur duke të quajtur, dhe Shpirti në formë pëllumbi e siguronte vërtetësinë e fjalës. O Krisht Perëndi, që u fanese dhe ndriçove botën, lavdi më Ty!”
Më 6 janar 2022, Liturgjia Hyjnore në Tiranë u krye nga Kryepiskopi Anastas, bashkë me Mitropolit Nathanailin, Episkop Astin dhe klerikë të Kryepiskopatës. Pas Liturgjisë Hyjnore u krye Shërbesa e Bekimit të Madh të Ujit (Ajazma e Madhe). Shërbesa u krye brenda katedrales, për t’u mbyllur jashtë saj, me hedhjen e ujit të bekuar te cisternat, nga të cilat, përgjatë gjithë ditës, mijëra besimtarë mbushën ujë për të bekuar familjet dhe shtëpitë e tyre.
Shërbesa e Bekimit të Ujit u krye edhe në kishën e Shën Prokopit, pranë liqenit, dhe në kishën e Shën Gjerasimit dhe të Gjithë Shenjtorëve, ku morën pjesë shumë besimtarë.
E kremtja e Shfaqjes së Perëndisë u kremtua plot dritë e gëzim edhe në kishat e Mitropolive në të gjithë vendin.
Kështu, në Durrës, pas Liturgjisë së Hyjnore në kishën “Apostull Pavli dhe Shën Asti”, besimtarët u nisën në procesion drejt portit, të shoqëruar edhe nga banda muzikore e qytetit, ku kryqi u hodh në ujë në kalatën nr. 5.
Në Korçë, Liturgjia Hyjnore u krye nga Mitropoliti Joan në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”. Pastaj besimtarët u drejtuan për te shatërvani në lulishten “Vangjush Mio”, ku u hodh kryqi në ujë. Shumë të rinj u hodhën për ta kapur kryqin, por i pari arriti 38-vjeçari Olger Tona. Kryqi u hodh edhe në ujërat e Liqenit të Pogradecit, ku ndodheshin besimtarë të shumtë, të cilët e kishin nisur procesionin nga kisha “Ngjallja e Krishtit”.
Në Berat, pas Liturgjisë Hyjnore në Katedralen e Shën Dhimitrit, qindra besimtarë shkuan tek ura e Goricës, për të hedhur kryqin në ujërat e lumit “Osum”. Kryqi u kap nga i riu Pirenc Zhara, nga lagjja “Goricë”. Ndërsa në Vlorë, që bën pjesë në këtë Mitropoli, kryqi u hodh në ujërat e detit Jon, dhe u kap nga i riu Kristi Konomi.
Në Gjirokastër, Liturgjia Hyjnore dhe Bekimi i Madh i Ujit u kryen nga Mitropoliti Dhimitër në katedralen “Ngjallja e Krishtit”. Edhe në Sarandë, kryqi u hodh në ujërat e detit Jon. Besimtarët u nisën nga kisha e Shën Harallambit, duke kaluar nëpër shëtitoren e qytetit. Kryqi u kap nga i riu Telemak Papas.
Në Fier, pas Liturgjisë në Katedralen e Shën Gjergjit, kryqi u hodh në shatërvanin e sheshit “Evropa”, nga Hirësia e Tij Nikolla. Atë e kapi 18-vjeçari Athanas Davidhi, dhe ky është i shtati vit radhazi për të.
Në Elbasan, pas Liturgjisë Hyjnore në kishën e Shën Nikollës, besimtarët u drejtuan te kompleksi i pishinave “Ajek” ku, pas bekimit, kryqi u hodh në ujë nga Mitropoliti, Hirësi Andoni. Kryqi u kap nga 17-vjeçari nga Shtërmeni, Joan Belshaku.
Th. Dh.