“Revolucioni shoqëror dhe shpirtëror, që do të shpëtonte botën,- thoshte një prej kundërshtarëve të Ungjillit,- do të ndodhë kur të krishterët të vendosin ta jetojnë me të vërtetë Krishterimin e tyre” (Klemenso). Edhe pse konteksti në këtë rast ishte sarkastik, fjala e tij mbart vërtetësi. Nuk mjafton vetëm “një vendim” për dikë që të jetojë “në Krishtin”. Zonat e jetës shpirtërore janë të vështira për t’u kaluar dhe kanë nevojë për udhëheqje dhe mund, veçanërisht në ditët tona, kur një përshtjellim dhe nervozizëm i veçantë, si mjegull e dendur, ka pllakosur zemrën dhe mendjen. Në këtë rrugëtim të rëndësishëm, udhërrëfyesit idealë për gjetjen e Perëndisë, të bashkënjeriut tonë dhe të vetvetes mbeten edhe sot “tre ndriçuesit e mëdhenj të Trinisë së tridiellshme”, të cilët, që prej fillimit, Lindja e krishterë Orthodhokse i konsideroi “predikues hyjfolës, majën e mësuesve”.
Arsyeja që Kisha i nxjerr në pah “si mësues ekumenikë” këta Tre Hierarkë (shih përlëshimin e çdo shërbese të shenjtë) është pikërisht fakti se ata arritën të mishëronin diçka më të rëndësishme nga tipi i të diturit të thjeshtë, të oshënarit ose të asketit të thjeshtë, të punëtorit të mirëfilltë social; arritën të realizonin dhe të na linin shembullin e llojit të “njeriut të plotësuar”, të “njeriut të ri” që jeton me të vërtetë “në Zotin” dhe e përdor plotësisht “dhuratën e Shpirtit të Shenjtë”.
Përqasja më esenciale në frymën, zemrën dhe vullnetin e tyre mund të rezultojë shpëtimtare për ne që, në pjesën më të madhe, e jetojmë Ungjillin në mënyrë fragmentare, duke theksuar njëanshmërisht herë një element, herë një tjetër.
Konvergimi i mentalitetit tonë me mentalitetin e tyre
1. Sigurisht kjo nuk do të thotë të shtojmë, pa lidhje, në radhën e silogjizmave tona një referencë nga Etërit, zakonisht të shkëputur nga diku, të gjetur rastësisht. Koordinim nuk do të thotë evokim konvencional, që vjen së jashtmi, për të përforcuar më pas disa nga tezat tona, tek të cilat përfunduam në bazë të prirjeve dhe paragjykimeve personale.
Çështja është si të fitojmë mentalitetin, mënyrën e të menduarit të Etërve. Këtë e shtjellon saktë atë Georgio Florovski. Duke gjykuar epokën e teologjisë, e cila kishte humbur frymën e mendimit të Etërve dhe i kishte shndërruar veprat e tyre në dokumente të arkivuara, arrin në këtë përfundim: “Është shumë pak të njohësh tekstet e Etërve ose të dish të nxjerrësh prej tyre referenca dhe argumente. Duhet ta zotërosh teologjinë e tyre së brendshmi. Intuita do të ishte në këtë rast më e rëndësishme sesa dituria e shumtë, sepse vetëm ajo i rigjallëron tekstet dhe ofron dëshmi prej tyre. Vetëm “së brendshmi” mundet dikush të kuptojë dhe të dallojë çfarë është dëshmia katholike dhe ç’do të thotë opinion teologjik, hipotezë, shpjegim, teori”.
Nuk mjafton vetëm të dimë zgjidhjen që i dhanë njërit apo tjetrit problem të kohës së tyre, siç nuk mjafton, natyrisht, për studentin e matematikës të dijë mekanikisht zgjidhjen e disa ushtrimeve të caktuara. Ashtu si ai që e nis nga njohja e problemave dhe zgjidhjeve konkrete dhe përpiqet përfundimisht të familjarizohet me mënyrën “e të menduarit matematik”, për të qenë në gjendje të zgjidhë edhe problemat e reja të paraqitura, po kështu edhe në rastin tonë konkret duhet të studiojmë veprat e Etërve për të asimiluar mënyrën e mendimit të tyre, parimet, parakushtet shpirtërore në bazë të të cilave dhanë njërën apo tjetrën përgjigje, që më pas të mund të zgjidhim me saktësi problemet bashkëkohore të shfaqura kohë pas kohe.
Jeta ndodhet në ndryshim të vazhdueshëm, ofron kushte të reja dhe koeficientët e problemeve në shumë çështje ndryshojnë. Për përballimin e tyre nevojitet metodë e saktë të menduari, qëndrim shpirtëror i ndriçuar sipas shembullit të Etërve dhe jo tabela referencash me thënie të tyre. Për më tepër, na nevojitet të kemi vizionin e Etërve, t’i shikojmë gjërat me dimensionet dhe kuptimin e tyre të saktë, siç i panë ata. T’i shikojmë botën dhe njeriun, siç i panë ata, pra, siç i shikon Kisha.
Restaurim i mënyrës atërore të të menduarit nuk do të thotë imitim i nënshtruar si prej skllavi, memorizim apo përsëritje, por krijim, përballim i guximshëm i problemeve që dalin herë pas here në jetë me bazë konceptimin kristocentrik të botës dhe të njeriut me “mendje Krishti” (1Kor. 2:16). Do të thotë hulumtim serioz, thellësi dhe depërtueshmëri. Etërit shmangin improvizimet dhe thjeshtëzimet naive. Kur flasin ose shkruajnë për një çështje, ndihet një preokupim serioz. E kanë vuajtur, e kanë përjetuar së brendshmi. Përqendrimi i gjatë shpirtëror në të cilin i shikojmë teksa zhyten në vitet më të vrullshme të jetës së njeriut dhe rikthimi i shpeshtë në një jetë të tillë heshtjeje dhe soditjeje shpirtërore, është provë e kësaj prirjeje të frymës së tyre, që kërkon meditim të thellë, të vërtetë shpirtëror të “të parit” dhe “të gjykuarit në Perëndinë”.
2. Qysh në vitet tona të shkollës kemi dëgjuar të flitet shumë për ngjizjen e mahnitshme të frymës së krishterë me kulturën e vjetër antike, që realizuan Tre Hierarkët. Ky ishte një problem shumë i mprehtë për kohën e tyre. Dhe, për ta zgjidhur, u desh guxim e pavarësi nga çdo paragjykim, pastërti fryme dhe zemre. Sinteza finale që na ofruan nuk është një pajtim i thjeshtë, një kompromis tipik. Është shprehje e “Ungjillit” me gjuhën filozofike dhe kulturore të kohës së tyre. Për më tepër, është shpëtimi dhe pagëzimi i qytetërimit antik. Çdo gjë të mirë, çdo gjë të bukur, çdo gjë madhore të arritur nga njeriu para ardhjes së Krishtit, Etërit e marrin, e pastrojnë, e shërojnë, e vënë në shërbim të Fjalës së Perëndisë që u bë njeri. Por, në këtë mënyrë e shpëtojnë, e transformojnë, e integrojnë brenda së Vërtetës së zbuluar. Gjuha e filozofëve dhe e poetëve antikë bëhet mjet adhurimi, mjet me anë të të cilit njeriu shpreh, formulon dhe ia drejton dashurinë e tij Atit dhe vëllezërve. Përpos kësaj: dituria greke, duke u bashkuar me Krishterimin, plotësohet; resht së qeni fragmentare, së pasuri vetëm disa shenja të së vërtetës. Bëhet pjesë e gjithë së vërtetës, të cilën na e zbuloi “Fjala e Perëndisë që tendësoi ndër ne”.
Tre Hierarkët udhëtojnë, studiojnë në ambiente jo të krishtera, zgjedhin si bletët. Nderojnë filozofinë dhe artet. “Edukimi është e mira e parë nga të mirat që kemi,- thotë shën Grigori,- dhe i tillë nuk është vetëm edukimi ynë, që është gjëja më fisnike, por edhe dituria e jashtme, të cilën shumë veta e dënojnë si të dëmshme dhe të gabuar dhe që kundërshton Perëndinë”. Prandaj edhe e kultivojnë fjalën sa më shumë që është e mundur, sepse e konsiderojnë si dhuratën më të madhe të Perëndisë, e cila e bën njeriun të dallohet dhe të shquhet në mes të kafshëve pa logjikë dhe njëkohësisht e tregon prift të mbarë krijesës materiale. Me të krijesa i ofron Perëndisë adhurimin dhe faljen.
Por Etërit nuk e hyjnizojnë fjalën. Me besimin e bëjnë atë më të pastër dhe më depërtuese dritën e saj. Matematicienët, pa mohuar aritmetikën praktike, me anë të konceptit algjebrik, e zhvillojnë më tej mendimin matematik dhe e bëjnë të aftë të përballet dhe të depërtojë më lehtë dhe më thellë në esencën e problemeve, duke hulumtuar edhe sfera krejtësisht të paarritshme për aritmetikën e zakonshme praktike. Po kështu edhe Etërit, pa e përbuzur mendimin njerëzor dhe, për më shumë, pa u armiqësuar dhe pa u frikësuar nga ai, e zhvillojnë duke shfrytëzuar të gjitha kapacitetet e tij. Dhe në fund e tejkalojnë, duke parë dhe duke zgjidhur problemet e vështira të jetës mbi një bazë të re, që ua jep besimi në veprën shpëtimtare të Zotit, me të cilën njeriu çlirohet dhe “hyjnizohet”. Ata mendojnë me dialektikën e Kryqit, brenda dritës së Ngjalljes.
3. Mendimi i tyre është i armatosur, i përflakur nga “misteri i madh i besës” (1Tim. 3:16): nga ardhja dhe prania e vazhdueshme e Birit dhe Fjalës së Perëndisë në mes tonë për çlirimin dhe hyjnizimin e njeriut. Falë këtij kristocentrizmi të thellë, që përbën “esencën e Krishterimit”, dialektika e tyre përfton kthjelltësi vështrimi apokaliptike, shëndetshmëri unike. Çka na ofrojnë, nuk është vetëm thjesht produkt shumëditurie dhe meditim filozofik. Përvojën njerëzore e përpunojnë brenda zjarrit të lutjes, të përqendrimit shpirtëror, të përvojës së thellë shpirtërore. “Misteri i Krishtit” është projektori që i ndihmon të shikojnë atje ku për ne mbizotëron errësira e dendur.
Është karakteristike struktura dogmatike e mendimit të Etërve dhe përpjekjet e tyre të njohura për dogmën e drejtë. Disa prej nesh që i shikojmë gjërat, gjoja “në sensin praktik”, nuk kuptojmë dhe, madje, as nuk prekemi nga ky zjarrm i tyre dogmatik. Por, për Etërit, dogma nuk është e njëjta gjë me fetarizmin pa ngjyrë të disave. Dogma është ajo që shfaq dhe tregon misterin e Perëndisë, i cili është njëkohësisht edhe mister i njeriut. Pra, një tjetërsim dogmatik e pengon besimtarin për të kuptuar këtë “mister”, e vështirëson të realizojë vullnetin e Perëndisë, destinacionin e tij. Ja përse Etërit këmbëngulin në Orthodhoksi, në dogmën e drejtë.
Për ta, dogmat nuk janë propozime abstrakte metafizike ose të vërteta apersonale, që ekzistojnë në një qiell platonik, jashtë nocionit të hapësirës dhe kohës. Janë simbole jete të ngarkuara me jetë dhe jo material për diskutime akademike. Janë tregues, shigjeta drejtuese që na çojnë tek e vërteta e gjallë dhe personale, te Krishti, i Cili është i pranishëm me të vërtetë dhe esencialisht brenda botës, brenda historisë, i njëjti “dje dhe sot e përjetë”.
Etërit këmbëngulin dhe përpiqen që të jenë të përpiktë e të vendosin saktë treguesit që drejtojnë rrugëtimin tonë drejt Perëndisë, sepse edhe shmangie të vogla rrezikojnë të mashtrojnë udhëtarin. Por nuk mbeten këtu. Edhe vetë ata ecin në rrugën që tregojnë këta udhërrëfyes, përjetojnë dogmat, takojnë Krishtin jo vetëm me mendim, “por me gjithë shpirt”, “kungohen” me jetën e Tij mistike në Kishë, bashkohen me Atë. Si përfundim, janë dëshmitarë të plotë të së vërtetës. Duke pasur besim të drejtë, ata jetojnë jetë të drejtë dhe duke jetuar jetë të drejtë, zbulojnë, në të gjithë madhështinë dhe bukurinë, besimin e drejtë.
Pjesë nga artikulli i botuar në Revistën “Kërkim”, nr. 15.