Më 23 nëntor 2021, u nda nga jeta z. Ferdinant Babasikas – Janinoti. Besimtar i devotshëm dhe person shumë aktiv në ndërgjegjësimin e gjithë orthodhoksëve dhe dashamirësve të qytetit të Beratit, që t’i shohin kishat si shtëpitë tona të përbashkëta, dhe kështu të gjithë të kujdesen për restaurimin, mirëmbajtjen e tyre dhe trashëgimin e këtyre pasurive të mëdha të besimit tonë, brezave të ardhshëm.
Zoti Ferdinant, i pagëzuar me emrin Dhimitër, lindi më 9 shtator të vitit 1948. Nga viti 1970 deri në vitin 1995 punoi në shtypshkronjën e qytetit. Nga viti 1995 deri sa doli në pension ushtroi aktivitet tregtar.
Një jetë e kaluar me energji dhe pozitivitet, faktor të cilët shumëfishohen në vitet e fundit të jetës së tij si anëtar i devotshëm i Këshillit Kishtar të Beratit. Nisma të shumta janë kryer që atëherë, si: vendosja e sistemit të kambanave në katedralen e Shën Dhimitrit, vendosja e llambadarit kryesor, restaurimi i shumë kishave të vogla në “Kala” e gjetkë, fillimi dhe vazhdimi i punimeve tepër të ndërlikuara në kishën e Shën Marisë së Ujërave në Mangalem etj. Nisma të tjera njëkohësisht, të inkurajuara pafund nga Fredi ynë, mbeten ende për t’u realizuar, dhe të gjithëve ne, në përkujtim të mikut tonë të dashur, na lind detyra që t’i përfundojmë ato.
Lutemi që Zoti ta vendosë shpirtin e tij në tendat e të drejtëve. Do të na mungojë energjia e tij, por shembulli që la pas do të jetë frymëzim për çdokënd që e njohu.
Zoti ta ndjejë dhe ta prehë me shenjtorët!
Joan Qako