Në datën 25 tetor 2021 ndërroi jetë në moshën 66-vjeçare atë Aleksandër Lushi.
Ai ndodhej i shtruar në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë, si pasojë e infektimit me Covid-19 dhe komplikacioneve të tjera.
Atë Aleksandër Lushi lindi më 4 maj 1955, në fshatin Shtërmen dhe ishte i biri i priftit, atë Dhimitrit, i cili shërbeu si klerik orthodhoks në atë fshat në vitet 1950-1967. Pasi kreu shkollën e mesme bujqësore dhe atë 2-vjeçare për ekonomi, më pas punoi në kooperativë pranë fshatit Shtërmen, si magazinier dhe llogaritar.
Pas rënies së sistemit ateist dhe vendosjes së lirisë së besimit, Aleksandri shprehu dëshirën të ndiqte shembullin e të atit, duke qenë ndër kandidatët e parë që studiuan në Seminarin Teologjik Orthodhoks në Durrës.
Në vitin 1992, më 10 maj, u dorëzua dhjakon dhe më 17 dhjetor të po atij viti u hirotonis në prift nga Ekzarku Patriarkal, Anastasi. Për një vit shërbeu në kishën “Fjetja e Hyjlindëses” në lagjen “Kala” të Elbasanit e më pas në enorinë e Shtërmenit, ku me përpjekjet e Kryepiskopit Anastas u ndërtua edhe kisha e re e Shën Dhimitrit.
Atë Aleksandri ka shërbyer me përkushtim e sakrificë përgjatë këtyre viteve për besimtarët e zonës, dhe gëzonte respektin dhe mirënjohjen e tyre.
Shërbesa e varrimit u krye më 26 nëntor 2021, nga Hirësi Andoni dhe klerikë të Mitropolisë së Elbasanit, në kishën e Shën Dhimitrit në fshatin Shtërmen. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!
Ngushëllime të sinqerta familjes dhe të afërmve.