Më 8 nëntor 2021, Presidenti i Republikës, z. Ilir Meta, me propozimin e të gjithë krerëve të bashkësive fetare në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, vlerësoi gazetarin dhe publicistin e mirënjohur Ferdinand Samarxhi, me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë u përfaqësua në këtë dekorim nga Kryepiskopi Anastas. Me anë të një ceremonie të veçantë solemne, ku ishin të pranishëm krerët e të gjitha bashkësive fetare, akademikë, profesorë, gazetarë, sipërmarrës, bamirës e shumë personalitete të tjera, Kreu i Shtetit i akordoi vlerësimin e lartë me motivacionin: “Për punën gjysmëshekullore plot përkushtim të rrallë, me dinjitet e integritet, për pasqyrimin e realiteteve të kohës, sfidave të saj. Njeriut që frymëzon besimin te Zoti, te harmonia, bashkëjetesa fetare, në mbrojtje të virtyteve njerëzore dhe në shërbim të atdheut e kombit.”
Ferdinand Samarxhi lindi në Elbasan, në një familje adhuruese të shenjtërisë së Zotit, por dhe të arsimit dhe dijes. Nuk ishin të pakta rreziqet që ai kaloi në kushte të ushtrimit të profesionit, në një sistem monopartiak. Por ishte vullneti, dashuria për njerëzit dhe talenti që e bënë Ferdinandin të hynte në epokën e re të demokracisë, përmes një origjinaliteti të jashtëzakonshëm dhe të spikatur, duke krijuar për herë të parë në vendin tonë kolanën e gazetarisë televizive të përkushtuar ndaj fesë dhe besimit.
Zëri dhe kronikat e veçanta të z. Ferdinand Samarxhi janë të lidhura me ekspozimin, prezantimin, njohjen me emrat e shquar tashmë të botës së religjioneve, si Hafiz Sabri Koçi, Kryepiskopi Anastas, Haxhi Dede Reshat Bardhi, Monsinjor Frano Ilia, Monsinjor Rrok Mirdita e deri te Kardinali Dom Ernest Troshani.
Ai është vlerësuar nga shumë institucione kombëtare e ndërkombëtare me tituj e çmime dhe, mbi të gjitha, në këtë udhëtim të gjatë të jetës së tij gjysmëshekullor si gazetar, ai është i njohur prej të gjithë shqiptarëve jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, Maqedoninë e Veriut e Malin e Zi, të cilëve iu është gjendur si gazetar për të gjitha problemet sociale, fetare, shoqërore dhe kombëtare.