Për besimtarët e krishterë orthodhoksë data 15 nëntor daton me fillimin e periudhës së përgatitjes për festën e madhe dhe shumë të rëndësishme të Krishtlindjes, pra me fillimin e Kreshmës. Kjo është një prej periudhave kreshmore që Kisha ka vendosur si kohë përgatitore për të pritur denjësisht festat e mëdha.
Kreshma e Krishtlindjes është kreshmë e gëzueshme, sepse edhe vetë ngjarja, Lindja e Krishtit, e cila kremtohet më 25 Dhjetor, solli gëzim shumë të madh (Mattheu 2:10). Gjatë kësaj periudhe të përcaktuar nga Kisha, ne përgatitemi me kreshmë dhe paralelisht përjetojmë të gjithë himnologjinë e po kësaj periudhe, në mënyrë që të jetojmë ngjarjen e madhe të Ardhjes së Perëndisë në tokë.
Kujtojmë:
* Në Kreshmë nuk hahen mishi dhe nënproduktet e tij, as veza dhe produktet e bulmetit.
* Lejohen peshku, frutat e detit, perimet, frutat, vaji, mjalti etj., çdo produkt bimor.
* Peshku lejohet deri në dt. 17 dhjetor. Peshku, vaji e vera nuk lejohen të mërkurave dhe të premteve.
* Nga data 17 deri më 24 dhjetor, përfshirë dhe këtë datë, kreshma bëhet më e fortë: nuk konsumohet më peshk, vera e vaji lejohen vetëm të shtunave dhe të dielave.