Më 14 nëntor 2021, të Dielën e Samaritanit të Mirë, pas Liturgjisë Hyjnore, në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, Kryepiskopi Anastas u dorëzoi diplomat 5 të rinjve që mbaruan Shkollën e Muzikës Bizantine të Kishës sonë.
Duke iu drejtuar të rinjve e besimtarëve, Fortlumturia e Tij tha:
“Sot kemi dhe një tjetër gëzim nga shkolla e Muzikës Bizantine që ka hapur Kisha. Vitet e fundit, me shumë përkushtim, vazhdon edhe përpjekja e të dashurit tonë Theodhor Peci, për këtë punë që ka marrë përsipër në drejtimin e saj. Sot kemi përsëri dhënien e diplomave për studentët e shkollës dhe dëshiroj që t’u a japim në mënyrë më zyrtare këto certifikata.
Me këtë rast dua të falënderoj të dy koret që kemi këtu. Korin e vjetër, që në përputhje me traditën e vjetër këtu, vazhdon me stilin evropian, dhe sigurisht edhe korin bizantin, që ruan vazhdimësinë e kësaj tradite. Në Kishën tonë të gjitha “lulet” kanë vendin e tyre.
Kujtoj se kur isha profesor në Universitetin e Athinës, kishte një debat midis atyre që ishin për jetën sociale dhe të tjerëve që ishin për jetën asketike murgërore, dhe u thosha: Mos gjuani me gurë karafilat meqë ju doni trëndafilat.
Muzika ka shumë shprehje të ndryshme. Jeta jonë ka shprehje të ndryshme brenda saj. Të gjitha mund të shprehin dhe të ofrojnë në shprehjen e Lavdisë së Perëndisë. Le ta shijojmë tani këtë larmi dhe harmoni.
Dua që të theksoj se psaltët janë përfaqësues të të gjithë popullit. Nuk psalin në emrin e tyre e as për veten. Kjo u jep një nder dhe vlerë të veçantë brenda në kishë, ndaj të gjithë i ndjekim me gëzim dhe ngrohtësi rezultatet e tyre. Suksese dhe të jenë kuadro të dalluara të Kishës sonë në gjithë vendin.”
Pastaj foli drejtori i shkollës, maestro Theodhor Peci, i cili theksoi ndër të tjera: “Që në vitet e para të zgjedhjes suaj si Kryepiskop, krahas arsimimit teologjik u kujdesët në mënyrë të veçantë për artet kishtare dhe në veçanti artin psaltik. Duke theksuar rolin e psaltëve si të hirshëm dhe, për më tepër, duke i cilësuar ashtu siç referojnë kanonet e Kishës, si klerikë që shërbejnë jashtë Hierores, ju u kujdesët që kualifikimi i tyre të kryhet në mënyrën më profesionale dhe me kushtet më bashkëkohore, duke ngritur për herë të parë në historinë e Kishës sonë në vitin 2012, këtu në Tiranë, Shkollën e Muzikës Bizantine në qendrën shpirtërore “Thavor”. Shkolla, përveç përgatitjes së psaltëve profesionistë të Kishës sonë, është bërë një vatër e rëndësishme liturgjike dhe himnologjike. Janë më shumë se 50 studentë që kanë përfunduar kursin e përditshëm 2-vjeçar. Nga kjo shkollë janë përgatitur dhe botuar disa libra liturgjikë e muzikorë dhe presim të dalin në dritë edhe të tjerë”.
Në fund, Kryepiskopi Anastas u dorëzoi diplomat psaltëve të rinj.