Nga Ilirjan Gjika
Në historiografinë e Shqipërisë po zë një vend gjithmonë e më shumë edhe tema rreth martesës së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriotit-Skënderbeut me Donika Arianitin. Kjo martesë e celebruar në Manastirin e Ardenicës më 26 prill 1451, shërbeu si aleancë midis Kastriotëve dhe Arianitëve për t’i dhënë shtytje të mëtejshme luftës shqiptaro-turke të shek. XV. Duhet thënë se kjo ngjarje historike jo vetëm që nuk është trajtuar sa duhet, por edhe kur është trajtuar në librat e Historisë së Shqipërisë, është trajtuar përciptazi. Një mungesë e tillë “vëmendjeje” ka bërë që shpeshherë rreth kësaj ngjarjeje të aludohet në mënyrë të pasaktë dhe abuzive. E tillë është edhe hipoteza që po qarkullon prej disa vitesh sipas së cilës celebrimi i kësaj martese i dedikohet një tjetër kishe. Kjo tezë e pabazuar i shërben keqinformimit dhe çorientimit të publikut. Por si qëndron e vërteta?! Pikërisht këtë trajton edhe ky shkrim.
1
Për martesën e Gjergj Kastriotit është shkruar herët, që pas vdekjes së Heroit. Të tillë ishin bashkëkohësit Marin Barleti dhe Gjon Muzaka, për të vijuar më pas me Biemin dhe autorë të mëvonshëm të shek. XIX-XX, si: Hoph, Konica, Fan Noli, Abas Ermenji, Edwin Jacques etj. Por në mënyrën më të hollësishme këtë martesë na e përshkruan Biemi në librin e tij “Historia e Gjergj Kastriotit të quajtur Skëndërbej”, botuar në Breshia të Italisë në vitin 1756. Midis të tjerave, ai shkruan se: “…vitin që pasoi 1451, e kaloi në qetësi dhe çlodhje si kërkesë për gjithë vështirësitë e viteve të shkuara. Ishte gjithashtu një vit memorial për martesën e Skënderbeut me Marinën, vajzën e Arianitit, si dhe për ndërtimin e kështjellës se Modricës. Martesa u bë në datën 26 prill dhe dhëndri ishte 48 vjeç, ndërsa nusja 26 vjeçe1”.
Ndërkohë që historiografia jep disa të dhëna dhe shpjegime rreth kësaj martese, ajo ngurron të pohojë vendin se ku është celebruar. Kjo për faktin e thjeshtë se deri tani askush nuk ka mundur të zbulojë dhe publikojë të paktën një dokument që dëshmon rreth saj. Por pavarësisht se të dhënat dokumentare mungojnë, janë të shumta të dhënat burimore-gojore, të cilat theksojnë se kurorëzimi i martesës së Skënderbeut me Donikën është bërë në Manastirin e Ardenicës.
Këto të dhëna që vijnë prej vitit 1451 janë ruajtur brez pas brezi në kujtesën e komunitetit të murgjve e klerikëve të këtij manastiri, si dhe të popullsisë së krahinës së Myzeqesë. Të përcjella brez pas brezi, ato arritën deri në vitet 60′ të shekullit të kaluar. Ndërsa u bënë të njohura vetëm pas viteve të pavarësisë, pasi gjatë periudhës së pushtimit turk murgjit dhe klerikët e këtij manastiri si dhe popullsia vendase nuk guxonin t’i bënin ato publike nga frika e autoriteteve turke. Në fillim të shek. XX ato u ndeshën nga udhëtarë dhe studiues të ndryshëm, të cilët i publikuan në një sërë botimesh të kohës. I pari prej këtyre është Gjergj Haxhimihali (1869-1928) nga Berati, mësues i gjuhës shqipe, patriot dhe bashkëkohës i Bab Dud Karbunarës. Ai ishte njohës i disa gjuhëve të huaja dhe hartues i shkrimit “Berati plak2”.
Pikërisht në këtë artikull të botuar në revistën “Diturija” të datës 5 korrik 1927, që botohej nga Mit’hat Frashëri, Gjergj Haxhimihali shkruan se: “Në këtë Manastir historik, i cili dominon për shkak të vendit mbi Myzeqenë dhe anëdetin, u kurorëzua Skënderbeu më 26 prill 14513”. Sipas studiuesve, Gjergj Haxhimihali mund ta ketë dëgjuar këtë gojëdhënë nga murgjit gjatë vizitës në Manastirin e Ardenicës. Po kështu ai ishte njohës i mirë i greqishtes dhe në artikullin e tij thotë se i referohet librave të vjetër, të cilët mund t’i ketë shfletuar në bibliotekën e manastirit4. Ndoshta e kishte parë një kodik apo akt të tillë që dëshmonte këtë ngjarje.
Disa vjet më vonë kemi një tjetër autor, që na sjell në shkrimet e tij të dhëna për martesën e Skënderbeut, studiuesin italian Xhovani Lorenconi, i cili erdhi në Shqipëri në qershor të vitin 1929. Ai ishte ngarkuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë që të ndihmonte për formulimin e akteve ligjore të reformës agrare. Lorenconi qëndroi në vendin tonë deri në maj të vitit 1930 dhe vizitoi një pjesë të madhe të territorit të Shqipërisë. Midis tyre edhe Manastirin e Ardenicës, për të cilin shkroi edhe të dhënat që ndeshi aty rreth martesës së Skënderbeut. Këto, përfshirë edhe të tjera të dhëna me karakter të ndryshëm, që i mblodhi anembanë Shqipërisë, ai i botoi të përmbledhura në një sërë librash dhe artikujsh, si: “La questione agraria Albanese”, botuar në Bari në vitin 1930; “L’Albania agricola, pastorale, forestale”, publikuar në disa botime midis viteve 1940-1941 dhe “Il volto e l’anima dell’ Albania-secondo il diario di un viaggiatore, 1929-1939”, botuar në Firence në vitin 1940. Pikërisht në librin e parë, Lorenconi përmend midis të tjerave edhe ngjarjen e mësipërme5.
Problemin e martesës së Gjergj Kastriotit e trajton edhe studiuesi e publicisti Llukë Karafili (1892-1976). Ai shkroi me pseudonimin “Bardhyli” dhe bashkëpunoi me disa nga revistat e njohura të kohës. Në vitin 1938 ai botoi në revistën “Hylli i Dritës” shkrimin për bibliotekat në vendin tonë, të titulluar: “Historia e bibliotekave në Shqipëri”. Pikërisht këtu, Bardhyli shkruante midis të tjerave, se “Gojdhana thotë se në këtë Manastir të Shenjtë edhe Gjergj Kastrioti Skënderbeu kur u martua me Princeshën Maria Andronika, të bijën e Princit Gjergj Komnen Thopies, Princin e Kaninës, më 26 të prillit 1451, bëri stacion qëndrimi në këtë Manastir, si dhe Kurorëzimin fetar e mori prej dorës së igumenit të këtij Manastiri, i cili, siç thuhet, ish nji i quajtur Feliks e ka qenë edhe Episkopi titullar i Apollonisë dhe i Bylionës. Gjithashtu thuhet se Skënderbeu, krahas dhuratave që la, dha edhe një armaturë të tij (shpatë) për kujtim6”.
Ndërkohë që dëshmia më e plotë rreth martesës së Heroit në këtë manastir na vjen nga brenda komunitetit monastik të Ardenicës, nga Episkopi i Apollonisë Irine Banushi (1906-1973). I diplomuar për Teologji në Universitetin e Beogradit, ai do të shquhej edhe si pedagog në Seminarin Kombëtar Orthodhoks “Apostull Pavli” dhe si mësues i gjuhës latine dhe i historisë në Gjimnazin e Shtetit në Tiranë. Kur ndodhej i internuar në Manastirin e Ardenicës (1957-1967), në shkurt të vitit 1967, ai ndaloi një grup të rinjsh ateistë, të cilët, në kuadrin e fushatës antifetare, donin të shkatërronin këtë objekt fetar. Episkop Irineu u foli atyre se këtu ishte kurorëzuar Heroi ynë Kombëtar, Skënderbeu, duke e mbrojtur në këtë mënyrë manastirin7. Por jo vetëm kaq, ky hierark i lartë kishtar e materializoi këtë të dhënë edhe në shkrimet e tij, në të cilat na jep dëshmi rreth kësaj ngjarjeje. Në shkrimin “Kisha e Manastirit t’Ardenicës”, Episkopi Irine, thekson në ligjëratë të drejtë se: “Ikonom Papa Aleks Doka e thotë se këtu, në këtë vend, kishte qenë kisha e parë e Manastirit. Prapë ai thotë (si na e dimë) se kishte ndigjue prej ish-famullitarit Papa Markos, se Skëndërbegu si kje martue me Donikën, të binë e princit të Kaninës, Arianitit, pat kthye në Manastir me vue kunorën kishtare8”.
Po kështu janë një sërë të dhënash të tjera burimore që vijnë nga folklori popullor, të cilat na dëshmojnë një ngjarje të tillë. Atë e gjejmë në vargjet e një kënge të vjetër myzeqare, të mbledhur në Libofshë në vitet 1970 dhe të transmetuar brez pas brezi.
“Doli dielli në Tomor/ Skënderbeu vuri kurorë.
U bekua lart nga Zoti/ në Ardenicë Kastrioti”9.
Ndërsa në Vanaj edhe sot ekziston legjenda që thotë se në martesën e Skënderbeut me Donikën morën pjesë të gjithë burrat dhe djemtë e fshatit. Kujtojmë që Libofsha dhe Vanaj janë dy fshatra fqinje me Ardenicën, të cilat ndeshen në histori që nga viti 143110.
2.
Por sa e vërtetë është dëshmia se Heroi ynë Kombëtar është martuar në Ardenicë”?! Kësaj pyetjeje mund t’i jepej përgjigje e saktë vetëm nga publikimi i dokumenteve. Por, fatkeqësisht, sot nuk kemi një dokument që të dëshmojë rreth saj. Kjo për arsyen e thjeshtë se biblioteka e famshme e këtij manastiri, ku ruheshin dokumentet, kodikët, regjistrat dhe libra të ndryshëm, u dogj në rrethana të panjohura në vitin 1932. Pra, bashkë me të u zhduk edhe dëshmia kryesore, të cilën Gjergj Haxhimihali, Lorenconi apo Llukë Karafili mund ta kishin parë në këtë bibliotekë. Të paktën Llukë Karafili, i cili, të dhënat e përshkrimit të tij të hollësishëm mbi celebrimin e kësaj martese, i kishte marrë diku.
Ndërkohë të dhëna për pasurinë e kësaj biblioteke i jep arkeologu francez Leon Rei, i cili drejtoi Misionin Arkeologjik Francez në Apolloni gjatë viteve 1924-1938. Në ditarin e tij ai tregon se diku nga fundi i viteve 1920 e lajmëruan në mënyrë konfidenciale se, në bibliotekën e Manastirit të Ardenicës ishte një kodik i vjetër, që fliste për historinë e Apollonisë. Kështu ai shkoi enkas në Ardenicë, ku i ra në dorë një kodik i vjetër, që përbëhej nga 60 faqe të shkruara me dorë, i mbështjellë nga dy kapakë lëkure. Kodiku ishte shkruar nga murgu Qiprian dhe në faqet e para trajtonte probleme fetare. Duke nisur nga faqja e 50-të, tregohej për një eremit të antikitetit të vonë, Polianin, i cili jetonte në një shpellë pranë Apollonisë dhe faltoren e kishte ngritur në vendin ku dikur ndodhej tempulli antik i Apollonit11.
Fatkeqësisht, ky dokument u dogj bashkë me bibliotekën, pavarësisht se Rei nuk tregon se çfarë dokumentesh të tjera ndodheshin aty, përfshirë edhe një akt të mundshëm të celebrimit të martesës së Skënderbeut. Po kështu, një dokument i tillë duhet të gjendet në arkivat napolitane apo veneciane. Në një ceremoni të tillë nuk mund të mungonin përfaqësuesit e Napolit dhe Venedikut, shtete me të cilat Skënderbeu kishte marrëdhënie të ngushta. Për më tepër përfaqësuesit e Napolit, me të cilin një muaj më pas Skënderbeu do të nënshkruante Traktatin e Gaetës, më 26 mars 1451. Një traktat aleance do të nënshkruante me Alfonsin V të Napolit edhe Gjergj Arianiti, në qershor 145112. Pikërisht këtu mund të fokusohet kërkimi arkivor. Gjetja e një akti të tillë do ta plotësonte me të tjera të dhëna këtë tezë dhe do t’i jepte fund abuzimeve që vënë në dyshim celebrimin e kësaj martese në Ardenicë.
Gjithsesi, një nga burimet ku bazohet shkrimi i historisë, të dhënat gojore për këtë ngjarje, ekzistojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Kështu mbetet vetëm vullneti i historianëve për ta pohuar dhe pranuar zyrtarisht një fakt të tillë. Kjo është edhe pika më e fortë e tezës se Skënderbeu dhe Donika e kanë celebruar martesën e tyre në Manastirin e Ardenicës.
Literatura:
1- Giovanni Maria Biemmi. Istoria di Giorgio Castrioto detto ScanderBegh, G. M. Rizzardi, Brescia 1756, f 285.
2- Informacion i marrë nga Paraschqevi Sahatçi, studiuese dhe etnografe.
3- Gjergj Haxhimihali, Berati Plak, bot. Dituria, Vol. II, nr. 9-10-11, Libraria “Lumo Skëndo”, Tiranë 1927.
4- Niko Ferro, “Mbi gojëdhënën e Martesës së Skënderbeut në Manastirin e Ardenicës”, referat, M. H. Fier, 2021.
5- Ilirjan Gjika, “A është martuar Skënderbeu në Ardenicë?!”, gazeta “Dita”, dt. 25 shkurt 2018.
6- Bardhyli, “Historia e Bibliotekave në Shqipëri”, “Hylli i Dritës”, 1938, nr. 4, f. 165.
7- Andrea Llukani, Krishterimi në Shqipëri, bot. “Trifon Xhagjika”, Tiranë, 2012, f. 323.
8- Kristofor Beduli, Episkop Irine Banushi: martir i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, bot. KOASH, Tiranë, 2000, f. 81-82.
9- Naunka Lëngu-Majlinda Shapka, Dasma në Myzeqe, bot. Ymeraj, Fier, 2003, f. 20-21.
10- Halil Inalcik, Defter-i Sancak-i Arvanid, Hicri 835 Tarihli Suret-i, Turk Tarih Kurumu, Ankara, 1954.
11- Leon Rei, Hyjnitë kishin të drejtë, bot. “Dituria”, Tiranë 2012, f. 63-66.
12- Burime të zgjedhura për Historinë e Shqipërisë, vëll II, Tiranë, 1962, f 308-310.