Me rastin e 16 nëntorit, Ditës Botërore të Tolerancës, më 16 nëntor 2021, Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, zhvilloi një takim me udhëheqësit e komuniteteve fetare. Në takim ishin të pranishëm z. Bujar Spahiu, Kryetar i Komunitetit Mysliman; Fortlumturia e Tij Anastasi, Kryepiskop i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë; Haxhi Baba Edmond Brahimaj, Kryegjysh i Komunitetit Bektashi; Monsinjor George Frendo, Arqipeshkv i Tiranë-Durrësit; Pastor Ylli Doçi, Kryetar i Vëllazërisë Ungjillore Shqiptare.
Kryetarja Nikolla vlerësoi lart rolin e tyre si udhëheqës fetarë, për orientimin e institucioneve, besimeve e komuniteteve fetare drejt vlerave të bashkëjetesës, humanizmit, harmonisë e tolerancës. Kryetarja e Kuvendit shprehu gjithashtu mirënjohjen ndaj komuniteteve fetare, të cilat, pavarësisht dallimeve të natyrshme midis besimeve, në momentet kyçe të historisë kombëtare kanë qenë faktor bashkimi e progresi. Historia tragjike e fesë në vendin tonë, goditja prej regjimit komunist, nuk dëmtoi aspak tiparin më të rëndësishëm të besimeve në Shqipëri: harmoninë fetare. “Ne politikanët, duhet të mësojmë shumë nga kjo, tha ajo. Prandaj, një ndër risitë që po sjell në Kuvendin e Shqipërisë gjatë kësaj legjislature, është krijimi i një fryme të re tolerance, dialogu dhe klime pozitive midis kundërshtarëve politikë.”
Kryetarja Nikolla i falënderoi udhëheqësit fetarë edhe për kontributin në përballimin e pasojave të tërmetit, e më pas edhe të pasojave të pandemisë së Covid-19. Kontributi i përfaqësuesve të të gjitha besimeve fetare për të mbrojtur jetën njerëzore gjatë pandemisë, sidomos gjatë kushteve të izolimit, ishte një burim shprese dhe optimizmi.