Të dielën, 10 tetor, Kryepiskopi Anastas foli rreth Censusit të ardhshëm:
Tema është e rëndësishme dhe domethënëse edhe për Kishën tonë, por edhe për gjithë vendin. Për fat të keq, në Censusin e mëparshëm nuk dolëm mirë. Pati indiferencë nga ana e shumë orthodhoksëve. Nuk dua të flas shumë, por shumë prej tyre vendosën të mos marrin pjesë dhe ta bojkotojnë. Gjërat nuk zgjidhen duke iu shmangur çështjeve dhe duke abstenuar. Sikundër, gjithashtu edhe pyetjet që shtroheshin nuk ishin të qarta. Ju lutem të tregoni interesim në lidhje me këtë dhe të jepni të dhënat e sakta në Census. Nxisni edhe të tjerët, që nuk ndodhen sot këtu, që të kenë informacion për këtë proces, për ta ndjekur me shumë vëmendje dhe kujdes se si duhet të veprojmë.
Kujdes edhe me kuptimin e çështjes “fakultative”, në pyetjen rreth fesë. Në Këshillin Ndërfetar të të gjitha feve në vend, kishim thënë se kjo është diçka e çuditshme, sepse të gjithë njerëzit duhet të thonë se cilit besim i përkasin dhe jo nëse duan apo jo ta pohojnë diçka të tillë. Sepse pastaj, siç dalin rezultatet, jepet që orthodhoksët janë më pak se 10%, që nuk është e vërtetë. Kjo nuk e ndihmon vendin për të dhënë imazhin multifetar që pretendohet.
Ndaj të kujdesemi që të veprojmë saktë në këtë regjistrim, të japim përgjigjet e duhura dhe të ngulim këmbë se çfarë jemi. Kur vjen pyetja për besimin, të themi çfarë jemi nga ana fetare: Të Krishterë dhe më pas Orthodhoksë. Ata që na pyesin dhe na thonë se është fakultative, se mund ose jo të përgjigjemi, na bëjnë që të qëndrojmë të heshtur. Ndaj këtë çështje duhet ta shihni me shumë kujdes. Të mos bëjmë përsëri gabimin e herës së shkuar me regjistrimin.
Gjatë 100 viteve e më tepër janë kryer vetëm dy regjistrime, ku përfshihej pyetja mbi përkatësinë fetare. Sipas statistikës së vitit 1927, kemi këto të dhëna: myslimanët sunitë dhe bektashinj përbënin 67,5%; orthodhoksët 22,3% dhe katolikët 10%. Ndërsa sipas regjistrimit tjetër të kryer nga autoritetet italiane, në vitin 1942, të dhënat e nxjerra ishin: myslimanë 68,9% të popullsisë (nga të cilët sunitë 54,17% dhe 14,73% bektashinj) dhe të krishterë 31% (nga të cilët orthodhoksë 20,7% dhe katolikë 10,3%).
Sipas të dhënave kishtare që disponohen (regjistrat e pagëzimit, para dhe pas persekutimit, si dhe nga regjistrat e 460 famullive orthodhokse në të gjithë vendin) numri i të krishterëve orthodhoksë e tejkalon 24% të popullsisë së Shqipërisë. Me të drejtë mund të ngrihet pyetja: Ku janë mbi 17% e orthodhoksëve të tjerë që i fshehu regjistrimi?
Ndërsa të dhënat mbi përkatësinë fetare të popullsisë, në Censusin e vitit 2011, nxjerrin se të krishterët orthodhoksë në Shqipëri janë 6,75%. Pa dyshim bëhet fjalë për një gabim statistikor fare të qartë ose më saktë, për një gënjeshtër.
Pas grumbullimit të 25 870 anketimeve me shkrim të besimtarëve orthodhoksë në qytete të ndryshme të Shqipërisë, 17 360 prej tyre, ose 67.10% deklaruan se nuk u vizituan nga regjistruesit, ose nuk u pyetën (dhe nuk shkruan) për përkatësinë fetare. Në vazhdim u konstatua që ky numër ishte edhe më i madh.