EmailFacebookKontakt

Në kujtim të Joan Paleokrasas

Koha rrjedh pa ndalur dhe akrepat e saj lajmërojnë ngjarje. Të lumur janë ata që nuk janë përdorur nga koha, por e kanë përdorur atë për të bërë histori!

Joan Paleokrasas në jetën e tij ia doli të lërë gjurmët e një njeriu të jashtëzakonshëm. Shkrimtar, politikan i suksesshëm, ideues i sipërmarrjeve të mëdha tregtare por mbi të gjitha i mbarsur me vlera njerëzore.

Joan Paleokrasas ka qenë shkrimtar, politikan dhe ish-Komisioner i Komisionit Evropian (1993-1995) dhe Shef Kabineti i Ministrit në Greqi.

Joan Paleokrasas lindi në Greqi, më 27 mars 1934. Ai studioi në Varvakio dhe në Shkollën Ekonomike të Londrës, ku u diplomua në studime universitare dhe pasuniversitare në master në fushën e ekonomisë.

U zgjodh anëtar në Parlamentin Grek të Ciklades, nën drejtimin politik të Partisë “Demokracia e Re”, nga viti 1981-1989.

Ka qenë Ministër i Tregtisë dhe Ministër i Financave në Greqi nga viti 1993 deri në vitin 1995, si dhe Komisioner i Bashkimit Evropian.

Joan Paleokrasas ka shkruar shumë studime për disa tema, përfshirë tregtinë detare, transportin, dhe zhvillimin ekonomik.

Momente të kontributit në vendin tonë

Që nga viti 2017 ka qenë Kryetar i Bordit të Administrimit të Kolegjit Universitar “LOGOS”, si dhe organizator e mbikëqyrës administrativ i punëve për ndërtimin e veprave hidroenergjetike të kryera nga Kisha jonë.

Joan Paleokrasas ka qenë një bashkëpuntor i shkëlqyer i Kryepiskopit Anastas. Me ftesë të Fortlumturisë së Tij pranoi të shërbente në disa drejtime në punët për mbarëvajtjen e veprave gjigande, tashmë të ideuara nga Kryepiskopi dhe që janë në ndërtim e sipër.

Pas një jete të mbushur me arritje, karrierë të pasur, mirënjohjen e njerëzve të shumtë, çuditërisht e pati të lehtë të linte rehatinë e një personaliteti dhe t’u përvishej punëve jo pak të vështira që e prisnin në Shqipëri.

Gjithçka që kishte përvetësuar nga përvoja e tij e gjatë si drejtues i suksesshëm i operacioneve të mëdha tregtare ndërkombëtare, deputet apo ministër, e solli në Shqipëri me përkushtimin më të madh. Ishte një bekim i jashtëzakonshëm për të gjitha ato sipërmarrje në Shqipëri, ku Joan Paleokrasas solli kontributin e tij. Mrekullia e veprave të Kryepiskopit Anastas mban përpjekje, lutje, luftë dhe sigurisht miq të mirë dhe të përkushtuar.

Puna e madhe për ndërtimin e veprave hidro-energjitike, nëpërmjet të cilave do të sigurohen të ardhura për shumë nga institucionet e ndërtuara nga Kisha jonë, përbën një sfidë të jashtëzakonshme dhe të vazhdueshme. Përvoja e Joan Paleokrasas ka qenë një siguri për sukses dhe idetë e tij u kanë dhënë jetë menaxhimit të projekteve të ndryshme lidhur me këto vepra energjitike, të ndjekura nga syri dhe mendja e një profesionisti me shumë vlera.

Nga viti 2017, Joan Paleokrasas u zgjodh Kryetar i Bordit të Administrimit të Kolegjit Universitar “LOGOS”, aktivitet i Fondacionit “LOGOS”, themeluar nga Kisha jonë, President i të cilit është Kryepiskopi Anastas, në cilësinë e një personaliteti elitar të botës akademike. Kjo ishte një detyrë mjaft e vështirë, por puna e palodhur e Joan Paleokrasas solli fryte. Me cilësitë e jashtëzakonshme të një profesionisti me përvojë ndërkombëtare solli frymë zhvillimi në aspektin e menaxhimit, duke pasqyruar idetë më progresiste dhe më të suksesshme të tregut ndërkombëtar. Me intuitën e tij arriti të ndërthurte më së miri elementet e menaxhimit të universiteteve më në zë në botë me nevojat dhe kapacitetet e Kolegjit Universitar “LOGOS”.

Autoriteti i tij i padiskutueshëm përcolli dije dhe koncepte praktike në një fushë që, për hir të së vërtetës, njihet pak në Shqipëri. Me njohuritë e tij të thella, eksperiencën, maturinë, vullnetin e hekurt dhe thjeshtësinë që e karakterizonte u bë promotor i ndryshimeve rrënjësore e dha ide inovative për zhvillimin e Kolegjit Universitar “LOGOS”, duke lënë pas një trashëgimi të pasur. Asnjë arritje nuk mund të jetë rastësore. Prapa çdo suksesi ka përpjekje të palodhura nga njerëz që punojnë për suksesin.

Mënyra e qetë dhe e butë e të folurit e Joan Paleokrasas, e gërshetuar me ngjarje konkrete nga jeta e tij e pasur, i bënte të gjithë ta kuptonin qartë. Nuk fshihej pas postulateve apo termave të përgjithshme, por ngaherë gjente rrugën më praktike dhe të thjeshtë. Jo vetëm përvoja, por natyra e thjeshtë e Paleokrasas, me të cilën përcillte idetë, e bënin tërësisht të veçantë dhe shumë të dashur në aspektin njerëzor.

Joan Paleokrasas ishte një besimtar orthodhoks i devotshëm. Në tiparet e tij njerëzore rrezatonte bukuria e shpirtit. I lidhur që në fëmijëri me Kishën, gjatë gjithë udhëtimit të tij jetësor nuk e shkëputi asnjëherë veten nga besimi orthodhoks dhe adhurimi për Perëndinë. Miq që në rini me Kryepiskopin Anastas, kanë ndarë përkushtimin në besim dhe vlera të mëdha njerëzore.

Kush e ka njohur Joan Paleokrasas, me siguri rendit si tipare të dukshme të tij thjeshtësinë e madhe edhe pse kishte çdo arritje për t’u mburrur, përkujdesjen për tjetrin edhe pse mund ta njihte pak, përkushtimin në punë edhe pse tashmë kishte dekada të tëra të mbushura plot punë.

Arritjet e Joan Paleokrasas në karrierë e profesion janë të shumta dhe për këto do të mbahet mend gjatë nga bashkëkohësit, por edhe nga brezat e mëpasshëm për vlerat e tij njerëzore dhe besimin në Perëndi, që me siguri do t’i japin një vend në përjetësinë e dashurisë.

Koha rrjedh në trajektoren e saj duke mbartur padyshim edhe gjurmët e këtij njeriu të jashtëzakonshëm.

Naum Mile
Administrator i Kolegjit Universitar LOGOS