EmailFacebookKontakt

Atë Sokrati i Apollonisë – Profili i një kleriku të përkushtuar

Krishterimi në Apolloni është shumë i vjetër dhe vjen prej periudhës apostolike. Këtë fakt na e dëshmojnë edhe analet historike. Kështu, në dorëshkrimin 423 të bibliotekës së Patriarkanës së Jerusalemit na jepet edhe emri i episkopit Marin. Që nga viti i largët 58, kur Shën Pavli emëroi këtë hierark të parë dhe deri në ditët tona, krishterimi numëron një traditë të gjatë prej 19 shekujsh. Ndërsa një nga vlerat e shumta që ruhen prej saj është edhe manastiri i njohur i Hyjlindëses. I ngritur mbi rrënojat e një kishe paleokristiane, ai konsiderohet sot si një kryevepër e arkitekturës dhe artit bizantin. Kësaj qendre të krishterë nuk i kanë munguar edhe klerikët e përkushtuar. Lista e tyre nis me episkopët e parë, pjesëmarrës të sinodeve ekumenike, për të vijuar tek ata të sotmit, bartës dhe ruajtës të traditave më të mira fetare. Shembuj të tillë që njeh historia kanë ngacmuar shpeshherë edhe muzën e shkrimtarëve dhe artistëve. Të tillë kanë qenë edhe disa nga korifejtë e letrave shqipe, si Mitrush Kuteli apo Jakov Xoxa. Me penën, e tyre ata skalitën figurat e klerikëve vendas, si: Tat Tanushin e Bubutinës apo atë Stefanin. Një figurë ngjashme me to për nga zelli dhe përkushtimi është edhe personazhi i këtij shkrimi, prifti i kishës së manastirit, atë Sokrat Lako.

Klerikun e përkushtuar e ndeshim çdo ditë atje, në ambientet e manastirit, pavarësisht se që nga viti 1958, ky objekt është marrë në administrim nga shteti dhe përdoret si muze arkeologjik. Atë Sokrati i vazhdon pa ndërprerje shërbesat prej 23 vjetësh. Dhe në këtë simbiozë të çuditshme të bashkëjetesës së kishës me muzeun, ka ditur të gjejë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin. Në këtë rast mund të përmendim një prej situatave kritike. Disa vite më parë u krijua një ngërç, kur punonjësit e parkut nisën të kërkonin biletë edhe për besimtarët që vinin për shërbesat. Pikërisht këtë situatë e zgjidhi vetë atë Sokrati. Me qetësi “olimpike”, ai deklaroi me zërin e tij të fortë sentencën tashmë të njohur: “Nuk na nevojitet leja e ministrisë sepse kemi lejen e Perëndisë”!

Ndërkohë që treguesi më i mirë i këtyre marrëdhënieve është një fragment i shkëputur nga kronikat e shtypit ndër vite. Në artikullin “Misioni arkeologjik shqiptaro-francez në Apolloni”, botuar në gazetën “Myzeqeja”, të datës 20 gusht 2001, shkruhet: “Ditët e diela, pjesëtarë të ekspeditës: Pierre Cabanes, Jan Luc Lambole, Vangjel Dimo, Lami Koço, Vasil Bereti etj., marrin pjesë në meshë në kishën e Shën Marisë. Ekspedita dhe atë Sokrat Lako në drekat që organizojnë respektojnë njëri-tjetrin me pjesëmarrje në to. Këmbehen përshëndetje midis tyre.

Dhe për të kompletuar profilin e këtij kleriku të përkushtuar dhe modest, duhet theksuar se ai është bir i një familjeje besimtare të kësaj treve. I lindur më 12 tetor 1957, në Pojan, Sokrat Lako ishte ndër personat e parë që iu përgjigj thirrjes për ngritjen e këshillave kishtarë. Nën kujdesin e këtij këshilli u organizua në prill të vitit 1991, me rastin e festës së Pashkëve edhe Liturgjia e parë në kishën e Apollonisë. Ajo u krye nga kleriku i moshuar atë Zahari Kondakçiu, i cili tri ditë më pas ndërroi jetë. Pikërisht ky angazhim do ta shtynte Sokrat Lakon që të niste në vitin 1993 studimet në Seminarin Teologjik në Durrës. Pas diplomimit në vitin 1997, u dorëzua fillimisht dhjak dhe shërbeu për një vit në kishën e Shën Gjergjit në Fier. Ndërsa më 6 prill 1998, u hirotonis prift në Katedralen e Ungjillëzimit në Tiranë, nga Kryepiskopi Anastas.

Prej asaj kohe, atë Sokrat Lako do të niste të shërbente në kishën e Hyjlindëses Mari të Apollonisë. Për më shumë se dy dekada ka punuar me përkushtim dhe pasion pranë komunitetit të kësaj enorie, që përfshin fshatrat Pojan, Sop, Hoxharë, Kryegjatë, Shtyllas dhe Povelçë. Si gjithmonë i qeshur, fjalëpak, autoritar dhe i papërtuar, atë Sokrati do të fitonte shumë shpejt respektin e banorëve të kësaj zone të Myzeqesë, duke iu ndodhur pranë në të gjitha shërbesat. Ndërkohë që i tillë ka mbetur edhe sot. Një klerik që me modestinë e tij të imponohet menjëherë, me komunikimin dhe performancën. Kjo ndjesi u ndodh në radhë të parë vizitorëve dhe turistëve të shumtë. Duke u ndeshur si përherë me të në hyrje të manastirit, ata, në shumë raste, e fillojnë vizitën nga kisha, për të vijuar më pas destinacionin e tyre në muzeun arkeologjik. Kjo ndodh jo vetëm me njerëzit e thjeshtë që vijnë këtu nga pesë kontinentet, por edhe me personalitete të ndryshme të artit, kulturës apo politikës.

Me pak fjalë, ky është profili i atë Sokrat Lakos, që statusin e tij të klerikut e ka ndërthurur më së miri me shërbimin dinjitoz, sjelljen korrekte dhe etikën qytetare. Një njeri që me punën dhe rolin e tij vijon traditën e shkëlqyer të klerikëve të Apollonisë.