EmailFacebookKontakt

Disa të dhëna rreth Manastirit të Shën Nikollës në Hormovë

Në Fashikullin 139 dhe në Dosjen nr. 4 në Arkivin Qendror të Shtetit ruhet materiali “Regjistër i Mitropolisë së Driinupolit, Gjirokastër, mbi pasuritë e Manastireve 1841-1873”.

Bëhet fjalë për një material të vyer dokumentar jo vetëm si një kadastër origjinale e pasurive të një pjese të mirë të manastireve në juridiksion të Mitropolisë historike të Gjirokastrës, por edhe informacione burimore për gjendjen e tyre në atë kohë, por edhe të dhëna për mikrohistorinë e tyre dhe të trevave që i rrethonin.

Në veçanti dhe ndoshta si shumë domethënës, po i referohemi historisë prekëse të ripërtëritjes qoftë dhe provizore të Manastirit dikur të Ndritshëm të Shën Nikollës në Hormovë.

Faqet që i janë dedikuar këtij manastiri janë të pakta krahasimisht me të tjera analoge, ndërsa struktura e përmbajtjes së tyre është e ngjashme. Një pjesë e shkurtër treguese me fakte historike, kadastër e pronave të paluajtshme që disponon manastiri, lista e njerëzve që jetojnë në të, inventari i sendeve të shenjta me vlerë dhe pajisjeve të tjera si edhe faqe nga arka me burimin e të ardhurave dhe destinacionin e shpenzimeve.

Madje shënimet për manastirin në fjalë dhe të tjerat që përmbahen në Fashikull – gjithsej 23 manastire – kryesisht kishin për qëllim pikërisht përpilimin e një kadastre të pronave të tyre si edhe vlerësim të gjendjes financiare. Ishte periudhë kur Patriarkana Ekumenike udhëzonte episkopatat lokale dhe manastiret që, duke u orientuar drejt në politikat e reja shtetërore për pronat e paluajtshme dhe privilegjet e manastireve, të impenjoheshin në regjistrimin e tyre të ri dhe marrjen e titujve pronësorë.

Për t’u rikthyer te Manastiri i Shën Nikollës në Hormovë, në shënimin historik hyrës, bëhet fjalë për rikthimin dhe rijetëzimin e tij pas shkatërrimit të Hormovës nga Ali pashë Tepelena dhe shfarosjes e dëbimit të të Krishterëve nga ajo qytezë fort e lulëzuar. Banorët që i shpëtuan masakrimit, u larguan në vise të ndryshme të Shqipërisë së sotme, në ato të Greqisë, në Konstandinopojë etj. Ndërkaq kujtimi dhe mallëngjimi për vendlindjen ishte i fuqishëm.

Shembulli që na vjen nga ky Kodik – fond i Arkivit Qendror të Shtetit – është me vlera edhe për ditët e sotme. Bëhet fjalë për mënyrën se si nisma të vogla të shoqëruara nga kontributi qoftë dhe simbolik i besimtarëve mund të bëhen shkas për ngjarje të mrekullueshme shumëdimensionale.

Në shënim referohet se një besimtar nga Hormova, Kristo – Kiço Qurku, i vendosur në Gjirokastër, kontribuon maksimalisht në rihapjen e manastirit. Interesimit të tij i përgjigjet si parakusht i domosdoshëm vullneti i Episkopit të asaj kohe, dhe për më tepër një prift i mbetur i ve me rrënjë hormovite – Anastasi – që qethet murg dhe i thirrur pater Agapios, vendoset si igumen në manastir. E shoqëron gjithashtu, duke u qethur murgeshë, tetoja e tij që u thirr motra Zinovia, e cila shërbeu së bashku me një tjetër motër, murgeshën Angjeliqi.

Kjo histori e mrekullueshme ndodhi në vitin 1870. Ndërkaq që, me sa duket, pavarësisht faktit se qyteza ishte shkatërruar dhe popullsia ishte krejt e re dhe jo e krishterë, pronat e manastirit ishin respektuar dhe nuk referohen pengesa në ushtrimin e së drejtës së tij për t’i përdorur. Konfirmohet kjo si nga kadastra e kujdesshme që referon toponimitë, kufitarët dhe sipërfaqet e parcelëzave, por edhe nga analiza e të ardhurave të manastirit.

Ky një mësim gjithashtu me shumë vlerë në këtë aspekt edhe për sot. Madje vitet e ndërprerjes së ushtrimit të së drejtës së pronës mbi pasuritë e paluajtshme të manastireve tona është thuajse njësoj, ndërkaq që rinjohja dhe rikthimi aspak të ngjashme.

Nismën, natyrisht, e përqafuan fort dhe e mbështetën më se dhjetë familje hormovitësh të vendosura në Konstandinopojë, që ishin të interesuar jo vetëm në rithemelimin e manastirit por edhe në vitet më pas. Sikundër dhe Kiço Qurku.

Pjesa tjetër e të ardhurave të nevojshme për përballimin e shpenzimeve përbëhet nga të ardhura nga tokat dhe prodhimi i tyre në drithëra, bagëtia që mbarështonte manastiri (madje duke punësuar njerëz), por edhe nga misteret që kryheshin në të. Nga pesha e këtyre të fundit, mund të nxirret përfundimi se një komunitet i denjë besimtarësh nga zona përreth kishin respekt dhe përdëllim të madh për manastirin, duke kryer atje dyzetditëshin e fëmijëve të porsalindur, pagëzime, ajazma etj.

Ndërsa nuk e dimë se për sa vite vijoi së funksionuari Manastiri i Shenjtë i Shën Nikollës në Hormovë, e sigurt është se ky nuk është rasti i vetëm në historinë dhe gjeografinë e trevave që u referohemi.

Aktualisht gërmadhat e themeleve të Kishës së tij janë të dukshme…

(Korresp. NGJALLJA)

Në foto: Hormovë, rrënoja të mbetura nga Manastiri i Shën Nikollës.