EmailFacebookKontakt

Dashuria dhe mirësia e Perëndisë nuk na braktisin kurrë

Nga hyrja e librit “Shpresa e Linetës”, me autor atë Luka Veronis. Shumë shpejt ky libër do të botohet i përkthyer në shqip.

“Tani duhet të jetojmë ato që u kemi predikuar të tjerëve” – shkroi Lineta në ditarin e saj. “Jam klasifikuar me kancer të gradës së 4-t (nga 4 gradë), dhe e ardhmja ime është e zymtë. Megjithatë, mbetem e gëzuar e me shpresë dhe dëshiroj të kaloj me gëzim dhe mirënjohje, aq vite sa Perëndia do të më dhurojë, duke shërbyer si dhe ku të mundem”.

Lineta e la këtë shënim menjëherë pasi zbuloi gradën e sëmundjes së saj, kur filloi një udhëtim besimi të mrekullueshëm me bashkëshortin e saj, Natanin, përmes të cilit preku jetët e shumë njerëzve. Lineta dhe Natani predikuan Ungjillin me fjalë gjatë tetë viteve si misionarë me afat të gjatë në Shqipëri, por me lajmin e papritur të sëmundjes, Perëndia i thirri të ofrojnë një dëshmi të re, të veçantë dhe të paharrueshme; me pak fjalë, por që prapëseprapë ndikoi te shumë më tepër njerëz…

Padyshim, ne përjetuam dëshminë e bukur të Linetës, me në qendër Krishtin, që nga fillimi i shërbimit të saj misionar. E mirëpritëm familjen Hope në Shqipëri, kur erdhën më vitin 1998 si misionarë të rinj për të ndihmuar Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Shërbyem së bashku si bashkëmisionarë për rreth shtatë vjet. Përjetuam së bashku luftën e Kosovës e periudha të tjera të vështira. Gjithmonë e respektuam dhe e admiruam besimin dhe dëshminë e tyre të krishterë në periudha të tilla krizash. Pamë dhe shijuam dashurinë e mikpritjen e tyre.

..Kjo mund të duket një mënyrë e çuditshme, për të përshkruar përvojën e dikujt në dhembjet e fundit të vdekjes. Megjithatë, në vend të frikës dhe tragjedisë, ditët e fundit të Linetës pasqyronin një pjesë të qiellit. Ajo rrethohej nga dashuria. Dashuria e mbushte atë. Ajo priste me gëzim të madh dashurinë e saj më të madhe, Zotin Jisu Krisht. Prandaj ajo rrezatonte gëzim. Një paqe e papërshkrueshme buronte nga dhoma e saj, një shije e “paqes së Perëndisë, që shkon përtej zgjuarsisë së mendjes njerëzore”…

Meqenëse vdekja është shpërfytyrim i imazhit hyjnor në të cilin Perëndia na krijoi të gjithë ne, gjithmonë më ka ngjallur kureshtje të dëgjoj dikë që e përshkruan procesin e vdekjes si të bukur. Si mundet që armiku dhe frika më e madhe e jetës, vdekja vetë, të veprojë si nxitës i bukurisë? Pasi kam qenë i pranishëm gjatë javës së fundit të jetës së Linetës, mund të them që kam dëshmuar vetë një vdekje kaq të bukur, sa nuk e imagjinon dot askush. Mbrëmjet e fundit që kaluam me të, tregojnë këtë bukuri…

Uleshim rreth e rrotull krevatit të saj deri vonë në mbrëmje, duke e mbushur dhomën me himne dhe këngë. Familjarët e saj kënduan shumë këngë tradicionale: “Sa hir madhështor”, “Sa i madh je Ti”, “Kryqi i vjetër i thyer”, “Është mirë me shpirtin tim” dhe të tjera; ndërsa atë Patriku dhe unë kënduam himne orthodhokse lutjeje dhe ngjalljeje. Midis këngëve, secili prej nesh me radhë ndanim kujtime me Linetën…

Fakti që Lineta qe e hapur me sëmundjen, vuajtjen dhe në fund me vdekjen e saj, qëndroi në kontrast me mendësinë e shumicës. Fakti që Lineta dhe Natani vendosën të ktheheshin në Shqipëri, në Atdheun e përzgjedhur tre muaj para, edhe pse e dinin se ajo po vdiste, tregon shumë.

Dhjetë ditë para se të vdiste, Lineta shërbente në kampet verore për vajza të Kishës Orthodhokse, madje u foli kampisteve rreth temës së vdekjes dhe se po vdiste. (Fjalimi i saj i fundit është përfshirë në kreun VII). Ajo ndau udhëtimin njëzetmujor të kancerit, të vuajtjes, të dhembjes dhe të të thënit “lamtumirë”, dhe i la vajzat gojëhapur. Deri më tani ato nuk kishin dëgjuar dikë që të fliste kaq hapur se kishte kancer dhe që po përballej me mundësinë e vdekjes. Dëshmia e Linetës u tregoi atyre se si një i krishterë i vërtetë, që beson me të vërtetë në Ngjalljen dhe jeton në komunitetin e Kishës me besim mund të përballojë sfidën më të madhe të jetës pa frikë, madje dhe me paqe e gëzim…

Pa dyshim, udhëtimi i Linetës përfshiu dhe çaste shkurajimi, errësire, mërzie dhe dëshpërimi. Ajo përshkroi se si udhëtimi përmes “luginës së hijes së vdekjes” e bëri më të përulur. Duke ndjekur shembullin e shenjtorëve, ajo mësoi se sa më shumë i afrohej Zotit, më qartë i shihte frikërat, gabimet, dobësitë dhe mëkatet e saj. Përmes këtyre çasteve të errëta, si dhe përmes vuajtjes fizike, mësoi mësime të paçmueshme: që besimi nuk është ndjenjë, por vepër e vullnetit; që jemi plotësisht të varur nga Perëndia, sado që e kuptojmë ose jo; që dashuria dhe mirësia e Perëndisë nuk na braktisin.

Një qëndrim i shenjtë që Lineta e mbajti deri në fund, ishte vështrimi paskal mbi vdekjen. Shën Pavli tha: “Sepse për mua të jetuarit është Krishti dhe të vdekurit është fitim” (Filipianët 1:21). Këtë shprehje Lineta e përsëriti shumë herë gjatë kohës së sëmundjes…

Lineta ndërroi jetë dhe u bashkua me Zotin tonë më 27 gusht 2006, por ceremonia e varrimit të saj ishte më shumë festim i jetës dhe i besimit, sesa një ceremoni e vdekjes.

Në ceremoninë e varrimit, Kryepiskopi Anastas lavdëroi Linetën, duke e quajtur martire të kancerit në ditët e sotme. Një arsye pse Kisha e hershme u rrit kaq shpejt në shekujt e parë ishte pikërisht dëshmia autentike e martirëve të parë.

Compiled and edited by Fr. Luke A. Veronis
With a foreword by His Beatitude Archbishop Anastasios of Albania