EmailFacebookKontakt

U zhvillua kampi familjar orthodhoks

Siç është bërë tashmë traditë, Zyra Qendrore e Fëmijëve e Kishës sonë organizoi nga 3-7 shtator 2021, Kampin familjar orthodhoks. Ai u zhvillua në mjediset e Manastirit të Hirshëm të Shën Vlashit, Durrës.

Shpesh, në jetën tonë të përditshme, ne jemi të ndarë, kemi punën, shkollën dhe shumë angazhime të tjera, por pjesëmarrësve kampi u ofroi mundësinë që të largoheshin për pak nga jeta e tyre e përditshme, të kalojnë pak kohë së bashku, si dhe të përqendrohen te marrëdhënia e tyre me Perëndinë dhe tek ajo me njëri-tjetrin.

Tema e kampit: “Le të duam njëri-tjetrin”, ishte shkëputur nga letra e parë e Joanit. Për të nxitur më shumë pjesëmarrësit në thellimin në fjalën e Ungjillorit, u organizuan grupe studimi biblik, u mbajtën referate nga Mitropoliti i Apollonisë, Nikolla dhe Mitropoliti i Elbasanit, Andoni. Gjithashtu, u organizua Olimpiada Biblike, në të cilën morën pjesë të gjitha familjet.

Në Liturgjinë Hyjnore të së dielës, në kishën e manastirit, pjesëmarrësit u mblodhën së bashku. Të pranishmëve u foli Episkopi i Bylisit, Asti, i cili i nxiti të jenë aktivë në adhurim.

Pjesëmarrësit falënderuan Kryepiskopin Anastas, i cili bekoi dhe mbështeti organizimin e këtij kampi, për të nxitur dhe zgjeruar jetën në komunitet! Një falënderim shkon për Mitropolitin Nikolla, i cili e mirëpriti veprimtarinë në ambientet e bukura dhe të hirshme të manastirit, si dhe të gjithë stafin organizues që ofruan dëshminë, dashurinë, kohën dhe talentet e tyre gjatë këtij kampi.

“Fotografitë janë shumë pak për të shpjeguar atë se çfarë përjetuam ne këto ditë. Ishim një familje e madhe, një trup i vetëm, një shprehje e gjallë e Trupit të Krishtit në tokë, mbledhur në një vend të vetëm, duke mësuar së bashku nga e njëjta Fjalë Qiellore, duke u lutur së bashku, duke u ushqyer së bashku nga Trupi dhe Gjaku i Krishtit, duke përjetuar së bashku historinë dhe përjetësinë njëkohësisht…”, – ishte kjo përshtypja e postuar në rrjetet sociale prej z. Kostandin Leka, njërit prej pjesëmarrësve në kamp.

Lutja jonë është që dashuria e Zotit të qëndrojë në zemrat e të gjithë pjesëmarrësve dhe që ata ta dëshmojnë këtë dashuri gjatë gjithë jetës së tyre, atje ku banojnë dhe në çdo gjë që do të bëjnë.

Zyra e Fëmijëve e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë