EmailFacebookKontakt

I riu nga Pusteci dhe pasioni i tij për ikonografinë

Pusteci është një nga zonat juglindore të vendit që shfaq tradita dhe një kulturë të veçantë, duke filluar me ishullin e Maligradit dhe me dhjetëra kisha që ndodhen atje. Ky shkrim i kushtohet një të riu nga Pusteci që, ndryshe nga të rinjtë e tjerë të zonës, ia ka kushtuar jetën ikonave. Po si? Ai ka pikturuar pjesën më të madhe të ikonave në kishën e Shën Marisë, por edhe në kisha të tjera të vogla.

Naum Simoni është 36 vjeç, dhe njohuritë e para për ikonografinë i ka marrë gjatë studimeve të arsimit të mesëm në gjimnazin “Kryqi i Nderuar”, në Gjirokastër, përkatësisht në vitet 2000-2004. Por, dashurinë për pikturën Naumi e ka shfaqur që i vogël.

“Më pëlqente të pikturoja në librat e motrës, edhe pse mua më dukeshin si shkarravina. Kur shkova në tetëvjeçare, e kuptova që ato u pëlqenin të tjerëve. Isha i surprizuar sepse mendoja se nuk vlenin, por aty ka qenë pikënisja ime si piktor. Në gjimnaz pikturoja me orë të tëra në studion e shkollës, duke mos e ndjerë kohën që kalonte, pasi futesha në një botë tjetër që më jepte një lloj qetësie shpirtërore. Që prej atyre viteve në shkollë të mesme, e kisha më se të qartë që do të vazhdoja studimet e larta për pikturë. Por, dëshira më e madhe ishte të studioja në Greqi, për vetë faktin se vetëm atje mund të merrja njohuritë e duhura të artit Bizantin.” – tregon Naumi.

***

Para se të ikte në shtetin grek, Naumi e mendoi si më të rëndësishme të merrte njohuri të thelluara në besimin Orthodhoks, të cilat më vonë do t’i prezantonte nëpërmjet veprave (ikonave) të tij. Për këtë arsye, ai vazhdoi studimet për teologji në Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” në Shën Vlash të Durrësit, ku gjatë studimeve ushtroi edhe talentin e pikturës në kohën e lirë. Studimet e tij nuk përfunduan këtu, pasi ai vazhdoi universitetin për një periudhë 5-vjeçare në degën e pikturës, si dhe “Ikonografi e Mozaik” në Greqi.

Gjatë pesë viteve të studimit, 36-vjeçari bëhej pjesë e çdo aktiviteti që organizohej në universitet. Ndërsa gjatë verës punonte me pedagogun e tij në Izrael, ku realizonin mozaikë, ikona etj. Atje Naumi perfeksionoi talentin e tij në pikturë dhe, më konkretisht, në ikonat e kishave.

“Pasi u diplomova, vendosa të rikthehesha në vendlindje. Këtu po ushtroj talentin tim privatisht, duke pikturuar ikona në disa kisha të zonës së Prespës, por edhe më gjerë, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Punimet e mia janë, në të shumtën e rasteve, ikona, por mundohem të gjej kohë për të krijuar edhe piktura të tjera të frymëzuara nga momenti. Por ende nuk kam gjetur mjaftueshëm kohë për t’i mirorganizuar dhe për t’i ekspozuar për artdashësit. Gjëja që e konsideroj më të vështirë në punën time është momenti kur mundohem të përshtatem me atë çka kërkojnë të tjerët, pra kur nuk ndihem i lirë që ta bëj ashtu siç e ndiej vetë.” – shprehet ai.

Naum Simoni ka pikturuar në kishën e Shën Marisë në Pustec, manastirin “Fjetja e Hyjlindëses” në Boboshticë, kishën e Shën Pavlit dhe Shën Pjetrit në Zaroshkë, kishën e Shën Gjergjit dhe Shën Nikollës në Diellas e shumë të tjera.

CNA.al