Shën Kozmai zakonisht predikonte në natyrë, sepse dëgjuesit ishin me mijëra dhe kishat nuk i nxinin brenda. Në vendin e predikimit ngrinte një kryq të madh druri. Në bazën e kryqit vendoste një tribunë të lëvizshme. Hipte në tribunë dhe, duke u mbështetur mbi kryq, i mësonte turmat e popullit.
Shën Kozmai ishte një predikues i jashtëzakonshëm. Ai ishte një predikues profetik. Profetik në kuptimin e ngushtë, sepse tha profeci për të ardhmen e personave, të vendit dhe të njerëzimit, më të shumtat e të cilave tashmë u plotësuan. Vërtetimi i disa profecive garanton dhe plotësimin e profecive të tjera. Ai është profet edhe në kuptimin e gjerë të fjalës, sepse fjala e tij u dëgjua si fjala e profetëve të vjetër, fjalë e pastër, e pacunguar, e fuqishme, kritike, për çdo padrejtësi dhe paudhësi që syri i tij i pastër shikonte, se bëhej ndër njerëz pavarësisht pozitës dhe pushtetit që ata kishin. Shën Kozmai kishte shpirt të fortë dhe të patrembur dhe guxonte të bënte çdo gjë për lavdinë e Zotit Krisht dhe për shpëtimin e shpirtrave.
Gjashtë ditë punë
Në predikimin e tij, ngul këmbë veçanërisht në çështjen e pushimit të së dielës. Në çdo predikim ai rikthehet te kjo çështje me pasion dhe i shtyn njerëzit që të mos punojnë të dielën, të mos shkojnë as në punë të tjera të rëndësishme. Madje u shpjegonte edhe shkakun. Dita e diel është ditë pushimi, ditë gëzimi, ditë preokupacioni shpirtëror. Duhet të punojmë gjashtë ditë për gjërat e kota tokësore, të gënjeshtërta dhe ditën e diel të pushojmë, të shkojmë në kishë dhe të mendojmë për mëkatet tona, vdekjen, parajsën, shpirtin tonë që është më i çmuar se gjithë bota dhe të mos punojmë ose të bëjmë tregti. Ai fitim që bëhet të dielën është i mallkuar dhe me këtë fitim vini zjarr dhe mallkim në shtëpitë tuaja dhe jo bekim.
Sot thonë se këmbimet dhe përkujdesjet janë çlodhje. Por, përfytyroni se çfarë qetësie dhe çlodhjeje ndien i krishteri të dielën, kur pushon së punuari për nxjerrjen e mjeteve të jetesës, me qëllim që të përfitojë ushqim shpirtëror. “Të dielën të pushojmë dhe të punojmë për gjërat qiellore, domethënë që në mëngjes të shkojmë në kishë, të dëgjojmë librat e shenjtorëve, Ungjillin e Shenjtë, të bëjmë çfarë na porosit Krishti ynë. Të mendojmë shpirtin tonë, të mos vonohemi, por të kujdesemi si ta stolisim me biseda të mira, me rregulla morale të dobishme, që ta bëjmë nuse të Krishtit tonë dhe jo të zvarritemi e të dehemi në gëzimet e ditës. Edhe kohën tjetër ta harxhojmë për të kryer vepra të mira që i sjellin dobi shpirtit tonë”.
Kozmai mësonte, sigurisht, gëzimin e punës, por edhe çlodhjen e trupit me pushimin. Ai bazohej në Ungjill dhe ecte me siguri, ndërsa mendimtarët bashkëkohës me të, ata të Perëndimit që deshën edhe ata të qytetërojnë njeriun, por pa Ungjillin, rrëzoheshin shumë keq. Ata të Revolucionit Francez, për shembull, pandehnin se do të ishte më fitimprurëse të shtojnë ditët e punës dhe të anulojnë të dielën. Për këtë caktuan si ditë pushimi, jo ditën e shtatë që kishte caktuar Perëndia që në fillim, por ditën e dhjetë. Por u detyruan të rikthehen në ditën e shtatë, të dielën, sepse trupi i njeriut është krijuar që të rezistojë vetëm gjashtë ditë për të punuar dhe jo nëntë. Kozmai, sigurisht, nuk e bëri të detyrueshëm pushimin e ditës së diel me anë të ligjit, sepse ishte një prift predikues i thjeshtë. Mjaftonte veç fjala e tij: “Këtu si shkoni të krishterët e mi?” pyeste. E ruani të dielën. Por të jeni të krishterë, ta ruani.
Me anën e mësimeve të tij nga njëra anë dhe me anën e mrekullive nga ana tjetër, arriti të imponojë te të krishterët që të mos punojnë të dielën, sepse edhe mjaft mrekulli pasuan mësimin për pushimin e së dielës.
Në Ksiromeron, një grua, me gjithë mësimin e Shën Kozmait, zuri brumë ditën e diel. Por, kur nxori bukën nga furra, e gjeti të kuqe, sikur e kishte gatuar me gjak. Frika edhe tmerri e pushtuan atë edhe të tjerët. Vrapoi edhe i ra ndër këmbë mësuesit, i kërkoi falje dhe mori drejtësimin e duhur. Kjo ngjarje bëri kaq shumë përshtypje, saqë edhe sot gratë në Etolo-Karnania nuk gatuajnë bukë të dielën, sido që të jetë nevoja. Biografi i tij shënon: “Në vende të tjera, ku nuk u ruajt respekti i duhur për të dielën, diku plasi kau, diku mushka, dikush tjetër u demonizua dhe tjetri e gjeti djalin të vdekur”.
Peshon dashurinë
Kur ishte duke folur diku për dashurinë ndaj të afërmit, dikush nga turma i thotë: Unë, o shenjt i Perëndisë, e dua Perëndinë dhe vëllezërit e mi. Mirë biri im, paç uratën time. Si ta thonë emrin? Kosta. Ç’punë bën? Ruaj bagëtinë. Djathin kur e shet, e peshon? E peshoj. Ti, biri im, mësove të peshosh djathin dhe unë të peshoj dashurinë. Peshores a i vjen turp nga i zoti? Jo. Tani të peshoj edhe unë dashurinë tënde dhe po të jetë e plotë dhe nuk është e mangët, atëherë do të ta jap uratën edhe unë, do të vë të gjithë të krishterët që të të falin. Si të të kuptoj, biri im, që i do vëllezërit e tu?”
Unë tani këtu që udhëtoj dhe mësoj popullin, them se zotin Kosta e dua si sytë e mi. Por ti nuk e beson. Unë kam bukë për të ngrënë, ti nuk ke. Nëse të jap një copë ty që nuk ke, atëherë tregoj që të dua. Por sikur unë të ha gjithë bukën dhe ti të kesh uri, çfarë tregoj? Se dashuria që kam ndaj teje është e gënjeshtërt. Kam dy gota verë dhe ti nuk ke. Në qoftë se të jap edhe ty nga ajo që të pish, atëherë tregoj se të dua. Nëse nuk të jap, dashuria është fallco. Je i pikëlluar, vdiq nëna jote ose i afërmi yt. Nëse do të vij që të ngushëlloj, atëherë është dashuri e vërtetë. Por nëse ti qan dhe vajton, ndërsa unë ha, pi edhe vallëzoj, e gënjeshtërt është dashuria ime. E do atë djalë të varfër? Nëse e do, i jepje një këmishë, se është i zhveshur, që të lutet edhe ai për shpirtin tënd. Atëherë është dashuri e vërtetë, por tani është e gënjeshtërt, a nuk është kështu, të krishterët e mi? Me dashurinë e gënjeshtërt nuk shkojmë në Parajsë. Tani, po deshe ta bësh dashurinë flori, vish fëmijët e varfër dhe atëherë t’i vë dhe të të falin. A e bën këtë?
Do ta bëj.
Të krishterët e mi, Kosta kuptoi që dashuria që kishte deri tani ishte e gënjeshtërt dhe do që ta bëjë flori, të veshë fëmijët e varfër. Meqenëse edhe e munduam, ju lutem, të thoni për zotin Kosta tri herë: “Perëndia ta falë dhe ta mëshirojë”.
Veçanërisht, me predikimet e tij, përpiqet të vërë në lëvizje dashurinë e tyre për të varfrit dhe jetimët. Kur flet për këta, gjuha e tij përdor shprehjen më të bukur dhe më të ngrohtë.
Me fjalë të mrekullueshme rekomandonte t’i duan fëmijët e varfër më mirë se fëmijët e tyre. Kishte gjetur madje edhe mënyrën për t’i mbrojtur. Përderisa nuk ekzistonin institucione dhe nuk mundej të rekomandonte të tilla, çdo familje dhe çdo të krishterë e ngarkonte me përkujdesjen ndaj tyre.
“T’i duash, thoshte, fëmijët e varfër më mirë nga të tutë. Nëse do të kërkosh si t’i japësh fëmijës tënd të hajë dhe të pijë mirë, të ketë veshje të bukura dhe për atë të varfrin, të zbathurin, të zhveshurin, të përbuzurin, të mos të të hajë meraku, nesër e shikon fëmijën tënd të vdekur. Merre një fëmijë të varfër dhe bëje birin tënd shpirtëror, të gëzohesh edhe të ngazëllohesh edhe ti, edhe ai. Për atë fëmijën që e lind gruaja jote, nuk të ka borxh hir Perëndia, por për atë të varfrin ke mijëra herë shpërblim për shpirtin tënd, nga Perëndia”…
Nga Miron Çako