Nderimi i tij si shenjtor lokal nisi në shek. XVIII, në të gjitha ato zona ku ai dha një kontribut të jashtëzakonshëm për të zgjuar ndërgjegjen e shtypur të orthodhoksëve nga nata e gjatë osmane, duke frenuar dukshëm islamizimin e këtyre trevave. Këtë e dëshmojnë ndërgjegjja e popullit orthodhoks shqiptar, afresket e ikonat, shërbesa kishtare për shenjtorin, Manastiri i tij ndërtuar me kujdesin e Ali Pashë Tepelenës (1814-1815) dhe mbi të gjitha, e dëshmon nderimi i madh i gjithë popullit edhe atij joorthodhoks, kudo ku ai predikoi.
Dëshmi e këtij nderimi para vitit 1961, që hedh poshtë ato që pretendojnë antiorthodhoksët, mes shumë të tjerave është ajo që kanë shkruar e botuar dy nga personalitet më të mëdha të Kishës sonë: Imzot Theofan Noli dhe Kryepiskopi i parë kanonik, Fortlumturia e Tij, Kristofor Kisi.
Imzot Theofan Noli, në vitin 1947, në Boston, botoi Kremtoren (Të kremtet) e Kishës Orthodhokse. Në parathënien e tij thotë se: “Përkthimin e kemi bërë nga Gërqishtja, me përjashtimin e këndimeve të Shën Kozmait të Beratit, të cilin e parafrazuam nga versioni shqip i Kryehirësisë së Tij, Imzot Kristofor Kisit, Kryepeshkopit të Shqipërisë”. Dhe në faqet 754-763 jep shërbesën kishtare të këtij shenjtori.
Pra, Imzot Theofan Noli, që më 1947 (pra, përpara vitit 1961) e quan Shën Kozmai i Beratit dhe shërbesën e shenjtorit e merr nga botimi i vitit 1931 të Imzot Kristofor Kisit, i cili ka shkruar mjaft për Shën Kozmain.
Për Imzot Theofan Nolin dhe Imzot Kristofor Kisin, Shën Kozmai nuk ishte as antishqiptar e as “joshenjtor”, siç trumbetojnë disa antiorthodhoksë.
Manastiri i Shën Kozmait u ndërtua me kujdesin e Ali Pashë Tepelenës (1814-1815). Në shek. XX u shkatërrua pjesërisht nga përmbytja e lumit Seman.
Pas vitit 1995 u rikonstruktua plotësisht me kujdesin dhe fondet e siguruara nga Kryepiskopi Anastas. Punimet e gërmimit dhe largimit të dherave nxorën në dritë varrin e shenjtorit me pikturë murale të asaj kohe që mbi dy shekuj më parë, si dhe elemente të tjera arkitekturore me mjaft interes, që ishin mbuluar nga lymi i sjellë nga përmbytjet e lumit Seman.
754 KREMTORE
23. Lupi, Dëshmori i Shenjtë.
24. Shën Kozmai i Beratit.
PËRLËSHORJA E SHËN KOZMAJT, T. IV
Le ta kremtojmë Shën Kozmanë e përkujtuar, le ta lavdërojmë të gjithë o besnikë, yllin e Dëshmorëve, mburrjen e mësharetëve dhe të murgëve, se si shok i Apostujve, dhe ndërmjetar përpara Krishtit, u fal shërime të sëmurëve, që i afrohen me besë.
Fragmente nga libri i Imzot Theofan Nolit “Kremtore e Kishës Orthodhokse”, Boston, 1947 (Libri liturgjik që përdorim sot në kishat orthodhokse të Shqipërisë.)