“Në jetën e qiellit shkon, jetën si linde këtu mbi dhe”
(Nga Përlëshorja e së kremtes)
Kjo e kremte kushtuar Hyjlindëses së Tërëshenjtë, 15 Gushti, është festa Hyjlindësore më e madhe e vitit kishtar. Besimtarët e quajnë “Pashka e verës”, sepse përgjatë asaj dite zhvillojmë panair shpirtëror dhe kremtojmë fjetjen e nderuar dhe transferimin e mrekullueshëm të Nënës së Zotit tonë Jisu Krisht. Fjetja e nderuar e Hyjlindëses përbën për besimtarët një mister të hirshëm. Si është e mundur që Nëna e Jetës të njohë realitetin e frikshëm të vdekjes? Me druajtje psalim lëvdatën: “Si po vdes, o Mariam, jeta e besimtarëve, dhe varri, si e nxuri trupin tënd, që nxuri Atë që bota nuk e nxë?”
Kisha na mëson se Hyjlindësja pësoi vdekje natyrore dhe nëpërmjet vdekjes u transferua në jetën e re më Krishtin. Shpirti i saj i lumur braktisi trupin e saj të pacenuar, që mbeti i vdekur dhe u varros nga Apostujt e shenjtë në kopshtin e Gjethsemanisë. Shpirtin e saj të qashtër e dorëzoi në duart e Birit të saj, që e priti me ngazëllim në Mbretërinë e Tij qiellore.
Por, nuk ishte e mundur që Zoti ta linte trupin e së Tërëshenjtës në hijen dhe prishjen e vdekjes. Prandaj, tri ditë pas varrimit të saj të nderuar, trupi i saj i panjollshëm u transferua në qiell, ku tashmë Hyjlindësja, me trup dhe shpirt, shijon lavdinë, shkëlqimin dhe gëzimin e Birit të saj.
Dheu gëzohet. Gëzohet dhe qielli dhe feston fjetjen e Hyjlindëses. “Në fjetjen tënde të lavdëruar ngazëllohen qiejt dhe gëzohen ushtritë e engjëjve dhe tërë dheu dëfren”, psal Kisha bashkë me himnografin e hirshëm. Dhe, megjithatë, do të priste dikush të konsiderohet ditë zie festa e Fjetjes së Hyjlindëses. Me kriteret e botës duhej që të dëgjoheshin vajtime sot dhe jo këngë të gëzueshme. Këtu është mrekullia që nuk mund ta kuptojnë të pabesët. Njeriu, para vdekjes, ngrin, dobësohet. E largon mendimin e vdekjes. Përse? Sepse e shikon jetën aq të vogël dhe aq të kufizuar, sa janë vitet e jetës në këtë botë. Kufizon gjithë shpresat dhe ëndrrat e tij në këtë jetë të përkohshme. Shikon vdekjen dhe pllakën e varrit si fundin e jetës.
Por, besimtari e shikon vdekjen të ndriçuar me dritën e Ngjalljes, si derë që kalojmë në përjetësi. E shikon vdekjen si fjetje. Fjeti që të zgjohet në një jetë të re. Perëndim i duket vdekja dhe megjithatë është lindja e një dite të re dhe të paperënduar. Kështu, të krishterët e parë e quajtën vdekjen fjetje dhe vendet e të vdekurve nuk i quanin varreza, por qimitirë (fjetore). Nëse ndërronte jetë ndonjë shenjtor, me vdekje natyrore apo martirike, nuk vajtonin, por mblidheshin dhe festonin ditëlindjen e tij. Edhe në rastin e së Tërëshenjtës, Fjetja e saj është e ndritshme dhe e lavdishme. Hyjlindësja ka lidhje të drejtpërdrejtë me Jetën, “Jetën si lindi këtu mbi dhe”. Nuk është e mundur që nëna e jetës të mposhtet nga vdekja. Prandaj himnografi thotë: “Varri dhe vdekja nuk e mundën; se, si Nënë të Jetës, e shpuri te jeta”. Një lavdi qiellore rrethon fjetjen e saj.
***
Fjetja e të së Tërëshenjtës përbën për të gjithë ne burim frymëzimi, shprese dhe ngazëllimi. E Tërëshenjta jonë njohu në jetën e saj dhimbjen dhe hidhërimin e vdekjes. Prandaj dhe mundet t’i kuptojë ata që vuajnë, ata që janë në shtrëngim, ata që dergjen në shtratin e sëmundjes.
Por, nëse dikush ka dhimbje dhe provohet, le të rendë sot tek e Tërëshenjta jonë, që të kërkojë, me gjithë fuqinë e mendjes dhe zemrës së tij, mbrojtjen e saj të fuqishme dhe ndihmën e saj çudibërëse.
Ajo është Nëna jonë shpirtërore që nuk na braktis asnjëherë. Prandaj dhe psalim me siguri: “Në lindjen tënde, virgjërinë e ruajte, në fjetjen tënde s’e neverite botën, o virgjëreshë. Në jetën e qiellit shkon, jetën si linde këtu mbi dhe, dhe i shpëton gjithnjë prej vdekjes shpirtrat tanë, o Hyjlindëse”. E lëvdon si, “më të nderuarën se Keruvimet dhe më të lavdëruarën pa krahasim se Serafimet”, duke i kënduar himne të shkëlqyeshme personit të saj të gjithënderuar. Bëhet fjalë për qenien njerëzore më të shenjtë, me kuptimin e lartë të vlerës madhështore të virtytit dhe të shenjtërimit.
***
Por kujt i kushtohet kjo lavdi e veçantë e Virgjëreshës?
Pa diskutim, faktit se, që në moshën e saj fëmijërore iu përkushtua Perëndisë. Dhe një ishte përkujdesja e saj: si do ta stoliste veten, me gjithë virtytet, që t’i pëlqejë Perëndisë? Studionte me vëmendje Shkrimin e Shenjtë dhe, duke pasur përpara pasqyrën e dëshirës së Perëndisë, kujdesej që kjo pasqyrë të mos pasqyronte mbi të asnjë njollë. Dhe, me hirin e Perëndisë, arriti me të vërtetë të ngjitet në lartësi të mëdha virtyti, aq sa në Shkrimin e Shenjtë quhet “hirplote” dhe “e bekuar në mes të grave”, ajo që do të bëhej Nëna e Zotit.
***
Virgjëresha nuk është gatuar e shenjtë, nuk është jashtë natyrës njerëzore. Pikërisht këtu qëndron shenjtëria e saj. Domethënë, ndërsa trashëgon natyrën njerëzore mëkatare, e kapërcen, jeton pa mëkat dhe lartësohet te Perëndia si asnjë njeri tjetër. Kundërshtoi çdo të keqe, duke ia dorëzuar Perëndisë të panjollë bukurinë që Ai i dhuroi natyrës sonë. Kështu, duke stolisur me bukuri të tillë shpirtin dhe trupin e saj, arriti të tërheqë mbi veten shikimin e Perëndisë. Duke e shfaqur, për hir të bukurisë së saj, tërë njerëzimin të ndershëm dhe fisnik, lindi Perëndinë, që u bë njeri. Jeta e saj e shenjtë, përulësia dhe bindja bënë që të lindë në botë dita e gëzueshme e Zotit. Nëpërmjet Hyjlindëses, Jisu Krishti u bë Emanueli, që do të thotë Perëndia është bashkë me ne.
***
15 Gusht sot. Festë e Hirplotes, festë e gëzimit. Të gjithë ne sot, si adhurues të së Tërëshenjtës së pacenuar, ta bashkojmë gëzimin dhe falënderimin tonë për dhuratat e saj të pafundme, për ndërmjetimet e saj shpërblyese. Si do të ndodhë kjo? Sipas himnit që vijon: “Me shpirtra të pastër dhe buzë të pandotura, ejani të himnojmë Nënën e panjollëshme dhe të qashtër të Emanuelit (Krishtit)”. T’i ofrojmë, bashkë me ndërmjetimet e saj, lutjen tonë, Birit dhe Perëndisë që lindi prej saj: “mëshiroji shpirtrat tanë, o Krisht Perëndi dhe shpëtona”. Hiri i saj na mbuloftë dhe na udhëheqtë në rrugën e çlirimit dhe të gëzimit. U bëftë!
Me urime të përzemërta dhe bekime të shumta,
Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës,
t Ignati
Berat më 15.08.2021