Më 15 gusht 2021, në Kryepiskopatë dhe Mitropolitë në mbarë vendin u kremtua Fjetja e Hyjlindëses së Tërëshenjtë. Kremtimet më masive, që kthehen shpesh në festa popullore, kryhen në të gjitha kishat e manastiret e shumta që mbajnë emrin e saj të Tërënderuar, por edhe kudo tjetër. Besimtarët në këtë kremtim ishin edhe më të shumtë, pasi festimet e kohëve të fundit janë shënuar nga kufizimet e pandemisë.
Në kryeqytet u meshua këtë të kremte në të gjitha kishat. Në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, Liturgjia Hyjnore u krye nga Kryepiskopi Anastas, Mitropoliti i Amantias, Nathanaili dhe klerikë të Tiranës. Për të Kremten dhe rëndësinë e saj foli atë Aleks Ndoni. Në fund, Fortlumturia e Tij uroi besimtarët.
Për popullin orthodhoks, kjo e kremte quhet në mënyrë simbolike edhe “Pashka e gushtit”. Natyrën njerëzore Zoti e mori pikërisht nga kjo grua dhe ajo është simbol i gjithë njerëzimit.