Komiteti i Pasurisë Botërore i Unesco-s, me anë të një deklarate në korrik të vitit 2021, shprehu mospajtimin me vendimet e qeverisë turke për të transformuar në xhami Kishën e Shën Sofisë në Stamboll dhe manastirin e Koras.
Në sesionin e tij të 44-t (23 korrik 2021), ky organizëm, përfaqësues i 21 vendeve, ka shprehur keqardhjen ndaj këtij vendimi, me gjithë thirrjet e vazhdueshme që janë bërë për të ruajtur statusin si muze të tyre, të hapur për të gjithë. Turqia ka mbi 82 mijë xhami dhe vetëm 438 muze.
Shqetësimi është sepse nuk ka garanci të mjaftueshme për aksesin nga të gjithë të të dy monumenteve, që tashmë janë nën kontrollin e autoriteteve fetare islamike. Në deklaratë i kërkohet qeverisë turke një raport për mirëmbajtjen e tyre brenda shkurtit 2022, për të bërë një vlerësim të mëtejshëm. Sipas rregullave të Unesco-s, njohja si e mirë mbarëbotërore i imponon shteteve të mos ndryshojnë statusin e tyre pa dialog paraprak.
Kjo nuk ndodhi me këto dy kisha muze dhe mbase do të thotë heqje e njohjes, me efekte negative për imazhin e vendit dhe të ardhurave nga turizmi. Në tetorin e vitit 2020, një delegacion i Unesco-s i kishte vizituar të dy monumentet.
Andrey Azoulay, drejtore e përgjithshme e Unesco-s, ka thënë: “Shën Sofia është një kryevepër arkitektonike dhe një dëshmi unike e takimit midis Evropës dhe Azisë në rrjedhën e shekujve. Statusi i saj si muze reflekton universalitetin e trashëgimisë së saj dhe e bën një simbol të fuqishëm dialogu”.
Ernesto Ottone Ramirez, zëvendësdrejtor për kulturën, shtoi: “Është e rëndësishme që të diskutohet paraprakisht me Unesco-n çdo vendim për modifikim, i cili ka rrjedhoja ndaj mundësisë fizike për ta vizituar, mbi strukturën e godinës, mbi pasuritë e lëvizshme dhe mbi administrimin e monumentit”.
Majin e kaluar, një zonë manastirale e kishës siriake, ku përfshihen kisha dhe ndërtesa kishtare, u fut në listën e pasurisë botërore të Unesco-s, por edhe ky vendim tani duket se do të vihet në diskutim.
Transformimi i “Shën Sofisë” dhe “Koras” ka lënduar, mbi të gjitha, kishat e krishtera dhe veçanërisht atë Orthodhokse. Pas shumë prononcimesh të tjera, në fillim të qershorit, Patriarku Ekumenik, Vartholomeu, ka kujtuar se “Shën Sofia” ka qenë: “për 900 vjet selia e paraardhësve të mi dhe mbetet një sanktuar shumë i rëndësishëm, thellësisht i respektuar dhe i nderuar nga të krishterët orthodhoksë si dhe ndërtesa më përfaqësuese e qytetërimit mijëvjeçar të Perandorisë Bizantine”.
Më 13 maj, kryetari i Diyanet, organizmi më i rëndësishëm në vend i myslimanëve sunitë, doli në minbar (vendi nga flitet në xhami) duke mbajtur një shpatë, duke konfirmuar të drejtën islamike mbi godinën e fituar me luftë. Pak ditë më vonë, presidenti Erdogan përuroi një xhami në sheshin “Taksim”, duke e quajtur dialog godinash me “Shën Sofinë” që gjendet jo larg që aty dhe kthimin e saj në xhami e quajti si gjënë më të mirë të vitit 2020, si “gurin e çmuar të kurorës”…
Lorenzo Prezzi
www.settimananews.it