EmailFacebookKontakt

Merrni iniciativa për kryerjen e veprave të mira

Edhe një herë, Zoti ynë na rikujtoi se të gjithë ne nxënësit e Tij kemi një rol të rëndësishëm në jetë. Dhe tha: “Ju jeni drita e botës”. Ndaj kemi detyrimin që ta transmetojmë Dritën që morëm prej Tij, në çdo vend ku të ndodhemi. Le të ruajmë nga leximet e ditës së sotme edhe diçka tjetër. Apostulli na thotë se që të jemi me të vërtetë Drita të Perëndisë, duhet që ne, njerëzit e Kishës sonë, të mësojmë diçka. Shumë gjëra duhet të mësojmë në jetën tonë, por kjo është bazike për të qenë ne të Krishterë, për cilësinë tonë si të Krishterë. Duhet të mësojmë që të jemi të parët në kryerjen e veprave të mira – jo thjesht të kryejmë diçka që është e mirë, por të marrim iniciativa që të jemi faktorët parësorë për kryerjen e veprave të mira.

Në kohën tonë dëgjojmë shumë fjalë për gjëra dhe vepra të mira, por duhen njerëz që të ndërmarrin nisma që të kryejnë vepra të mira, sipas rrethanave ku ata ndodhen. Duhet pra, jo vetëm episkopët dhe klerikët, por edhe të gjithë besimtarët, të mësojnë që të jenë të parët në kryerjen e veprave të mira, sipas nevojave dhe sipas kushteve që shfaqen para secilit nga ne. Dhe kjo, jo sa për të bërë diçka, për të marrë tituj, lavdi, kurora përmbi kryet tanë, por ashtu siç tha me shumë saktësi Ungjilli. “T’i bëjmë këto që të lavdërohet Ati ynë që është në qiej”.

Qëllimi dhe fundi nuk është lavdia jonë personale, por lavdërimi i Perëndisë, i Cili është shkaku i ekzistencës së të gjitha qenieve njerëzore. Pra, vëllezërit e mi, duhet të jemi Drita e Botës, por le ta përvetësojmë këtë mësim, që të ndërmarrim nisma për kryerjen e veprave të mira.

Shoqëria jonë dëgjon sot shumë fjalë rreth këtyre temave – rezistenca cilësore që do të bëjmë ne ndaj këtij realiteti, është kryerja e veprave të mira, veprave të vërteta esenciale të dashurisë për Lavdi të Perëndisë. Amin!

18 korrik 2021