Nuk është më tentativë, por fakt, zhveshja nga pasuria e paluajtshme që përbën pronë të Manastirit të Hirshëm të Shën Jorgjit në gadishullin e Ksamilit, në jug të Sarandës. Duke mos trajtuar marifetet ligjore, të cilat largojnë nga thelbi, bëhet fjalë për rastin më tipik të grabitjes në ditët e sotme, nën përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të shtetit, të një prone të njohur historikisht të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Nuk është rasti i vetëm, por ndoshta më tipiku.
Ajo që nuk ndodhi as në periudhat e sprovës së pushtimit shekullor otoman, as në dhjetëvjeçarët e sekuestrimit të detyruar komunist, kryhet sot, kur presupozohet se në frymën e shtetit të së drejtës dhe barazisë para ligjit, e drejta e pronës duhet të jetë e pacenueshme.
Dhe ajo që po ndodh sot është ekzekutim përfundimtar, se ndryshon njëherë e përgjithmonë statusi pronësor, por edhe karakteri i pronës. Kjo për faktin se grabitja, transferimi kadastror dhe regjistrimi i gabuar shoqërohet me leje ndërtimore për komplekse të mëdha turistike duke e bërë të ndërlikuar – më saktë të pamundur – pretendimin e së drejtës në të ardhmen.
Konkretisht, në Manastirin e Shën Jorgjit Kisha Orthodhokse ka shprehur shumë herët, ndoshta që në fillimet e saj të riorganizimit pas persekutimit komunist, interesimin për njohjen dhe rikthimin e pronës së plotë, rehabilitimin ndërtimor dhe liturgjik të kompleksit të Manastirit, mbrojtjen e mjedisit të tij natyror shumë të pasur dhe shfrytëzimin e tij në destinacionin për të cilin ishte krijuar.
Duke u mbështetur në prova dhe burime historike e shkresore, janë kryer në kohë veprimet e nevojshme juridike, si në gjykatat kompetente edhe në agjencitë shtetërore të ngarkuara nga ligji. Njëherësh edhe paralelisht për të kundërshtuar tentativa të dhunshme për të shkelur abuzivisht hapësirën. Në kohë dhe periudha të krizave të mëdha politike dhe të mungesës së autoritetit të shtetit, besimtarët dhe klerikët Orthodhoksë u bënë mbrojtës realë të atij peizazhi të mrekullueshëm natyror, me florë dhe faunë të rrallë por edhe pasuri arkeologjike të evidentuara, duke mbrojtur në fakt të drejtën e Manastirit. Paralelisht me heshtjen fajtore dhe të qëllimshme të organeve shtetërore dhe qeveritare për t’iu përgjigjur kërkesave dhe demarsheve ligjore të Kishës sonë mbi këtë pronë të vyer, duket se zhvilloheshin edhe veprimet ligjore për zhveshjen përfundimtare të Manastirit nga pronat e tij dhe tjetërsimin në favor të interesave krejt të paligjshme.
Sepse është mashtruese ideja se një ligj që shkel të drejtën themelore të pronës, që neglizhon të vërtetën historike dhe shtrembëron realitetin mundet të kthehet në instrument rregullues dhe rehabilitim të pasojave të padrejtësisë.
Me aktet e qeverisë në bashkëveprim me interesa të errëta biznesi atje janë miratuar lejet për ndërtimin e një kompleksi masiv të karakterit turistik. Vetëm se themeli vendoset mbi padrejtësinë. Dhe kjo ka për të qenë stigmë dhe plagë e përhershme. Si ka ndodhur edhe në rastin e Manastirit të Fjetjes të së Tërëshenjtës Mari në Kakome, apo në Krorëz, apo të Shën Theodhorëve etj.
Do të ishte jo e dobishme në këtë rast të paraqesim dhe analizojmë provat dhe dokumentet që konfirmojnë qartë pronën e Manastirit mbi sipërfaqen prej më se 120 ha rreth tij. Janë të shumta, të periudhave të ndryshme kohore, të drejtpërdrejta ose tërthore, duke theksuar pronarët me të cilët kufizohet; shënime të vetë Manastirit apo të instancave shtetërore. E megjithatë, të gjitha shpërfillen para mungesës së dëshirës dhe vullnetit të shtetit për rivendosjen e së drejtës. Përkundrazi, organet qeverisëse, duke pasur në subkoshiencë të qartë synimin për të “mbyllur hesapet me të zotin bezdisës”, krijuan një sërë lehtësish për të thyer unitetin e pronës së Manastirit, duke njohur dhe regjistruar pronë të një personi që nuk ka pasur asnjë lidhje me atë vend. Me dokumente të manipuluara dhe falsifikime të mbështetura në guximin që i jep lidhja dhe këmbimi me autoritetet shtetërore kompetente për të sprapsur të tilla akte dhe tentativa, ai e njohu dhe e regjistroi pronën. Provizorisht, për të vijuar si në të gjitha këto raste të padrejtësive okulte në realizimin edhe të akteve ligjore të dorëzimit të saj tek më i fuqishmi.
Për të gjetur më të fuqishmin nuk është një çështje kërkimesh të komplikuara. Veprimet e vetë organeve qeveritare e diktojnë. Ndërsa Kisha priste dhe madje pret përgjigjet adekuate mbi kërkesat dhe dosjet e saj të depozituara, në vitin 2017 miratohet sipas procedurave që parashikon ligji Plani i Rishikuar Rregullues i Bregdetit të Bashkive Sarandë, por edhe Himarë. Nëse shikohen hollësitë e këtyre planeve, në fakt konkludohet se të gjitha gjiret e hijshme të kësaj vije bregdetare, që për koincidencë e kanë dhe një Manastir pronar dhe roje në shekuj, shndërrohen në resorte dhe struktura të rënda turistike. Madje, në rastin e Gjirit të Manastirit të Shën Jorgjit shkelen edhe akte të tjera rregulluese të qeverive të shtetit shqiptar, që lidhen me konventa angazhuese europiane mbi mjedisin, sepse Manastiri është mbyllja perëndimore e Liqenit dhe Ligatinës së Butrintit.
Natyrisht, që duken hollësi të parëndësishme para babëzisë për të gllabëruar përfundimisht pronën e Manastirit dhe ngutjes për të hapur terren investimi për burime financiare gjysmëlegale. Kryepiskopi Anastas me kohë ka paralajmëruar se do t’i njihen të drejtat e pronës Kishës Orthodhokse, sidomos në Manastiret e saj dhe kishat e vijës bregdetare me vlerë të posaçme, kur ato të jenë shkelur abuzivisht. Dhe në atë rast, vlera e dokumenteve që eventualisht do t’i jepen do të jenë pak qindarka të letrës dhe bojës së printerit. Se realisht ato nuk do të kenë asnjë kundërvlerë përderisa territori do të jetë tjetërsuar dhe ndërtuar.
Ndërsa në një shoqëri që vërtet do të ishte penduar për persekutimin e besimit në Zot dhe të Kishës Orthodhokse, në një shtet që zotërohet nga ligji dhe për një popull që respekton veten dhe historinë, do të pritej që së pari të kompensoheshin në gjithë dimensionet pronësore komunitetet fetare. Por, në Shqipëri ndodh e kundërta.
Rasti i Manastirit të Shën Jorgjit me siguri është më tipiku. Mundëson të kuptuarit e thelbit të padrejtësisë grabitqare dhe bashkëpunimin e shtetit me interesa okulte ekonomike. Do të ishte neglizhencë nëse nuk do të theksohej, se në fund të fundit, sikundër logjika ekonomike dhe përvoja diktojnë, efektiviteti dhe dobia shoqërore e vënies në eficencë të këtij resursi dhe plot të tjerave, do të ishte shumëfish më e madhe kur respektohet e drejta e pronarit të vërtetë, vullneti i tij dhe konsensusi në vënien në shfrytëzim.
Rruga tjetër shpie në prishje të rendit ligjor, humbje të kohezionit shoqëror dhe pakësim të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të zonës.
Korresp. NGJALLJA
I gjithë territori rreth manastirit, pronë e Kishës, iu është dhënë me falsifikime personave pa asnjë lidhje me të