EmailFacebookKontakt

Familja dhe sfidat e saj

Familja e krishterë ndodhet në ditët e sotme nën sulmet e vazhdueshme të atyre që e shikojnë si pengesë në përpjekjet për degradimin e shoqërisë njerëzore. Më të fundit janë teoritë perverse “gender”, mbështetësit e të cilave janë edhe shumë agresivë kundër lirisë së besimit dhe lirisë së fjalës në përgjithësi. Por, për fat të keq, në disa vende ata kanë mbështetje shtetërore. Ndaj do të botojmë shkrime që tregojnë bukurinë e familjes së krishterë, e cila i ka rrënjët të vendosura fuqishëm në Ungjill, Shkrimet e Shenjta të Etërve dhe Traditën Orthodhokse.

Sa herë shikojmë nivelin funksional të një shoqërie, duhet t’i referohemi nivelit të funksionimit të familjes, e cila pranohet gjerësisht si qeliza bazë e shoqërisë. Pikërisht, të qenit qelizë e shoqërisë i jep asaj, nga njëra, anë peshën që ka në strukturimin dhe zhvillimin shoqëror dhe, nga ana tjetër, e kthen në pikë goditjeje ku përqendrohet reaksioni ndaj shoqërisë. Këtë e konfirmojnë sulmet direkte dhe indirekte që po i drejtohen familjes.

Pikënisja është si e perceptojmë konceptin “familje”. Nëse më parë përdoreshin shprehje si “jemi si një familje”, për të shprehur marrëdhëniet e një grupi shoqëror, profesional, kulturor etj., sot nga kjo shprehje është hequr fjala “si”, Kështu, familja identifikohet jo vetëm me strukturën e saj tradicionale; atë patriarkale, ku janë disa breza bashkë, apo me familjen ku bëjnë pjesë burri, gruaja dhe fëmijët. Në këtë mënyrë, identifikohen si familje të gjitha llojet e bashkimeve njerëzore, mjafton që të kenë kohëzgjatje dhe që ndajnë të njëjtën hapësirë banimi. Që këtu nis goditja e parë ndaj familjes, që nis me ndryshimin dhe deformimin e kuptimit themelor të saj – martesa burrë-grua dhe lindja e fëmijëve.

Kur themi që martesa burrë-grua është themeli i zhvillimit të familjes, i referohemi së pari Shkrimit të Shenjtë, ku që në fillim flet për krijimin e njeriut “burrë dhe grua” (Gjen. 5:2). Aristoteli, në librin e tij “Etika e Nikomakut”, jep tri elemente të rëndësishme për marrëdhëniet burrë-grua: së pari, marrëdhënia burrë-grua është marrëdhënie prej natyrës; së dyti, familja i paraprin qytetit dhe së treti, dëshira për lindjen e fëmijëve është më e madhe se çdo qenie tjetër e gjallë (Aristoteli, “Etika e Nikomakut” VIII,12, 1162a). Në këtë mënyrë, mendimi i Shkrimit të Shenjtë dhe mendimi filozofik përputhen, duke vendosur bazat e mendimit të krijimit të çiftit bashkëshortor dhe si rrjedhojë, të familjes.

Mendimi teologjik shkon dhe më tej. Apostull Pavli (Efes. 5:32), marrëdhëniet burrë-grua i çon në një dimension tjetër, në atë mistik dhe misterial. Ky qëndrim i apostull Pavlit shpreh dy dimensione: Së pari, dimensionin e misterit të madh të dashurisë. Marrëdhënia martesore, përveç pranisë së burrit dhe të gruas, kërkon dhe ekzistencën e dashurisë, duke e ngjasuar me marrëdhënien midis Krishtit dhe Kishës. Së dyti, ky mister, që themelohet mbi pjesëmarrjen dhe dashurinë e burrit me gruan, ngrihet dhe në nivelin misterial, që në konceptin teologjik të krishterë orthodhoks nuk është një bekim i thjeshtë, por është thirrja dhe pranimi i hirit të Perëndisë, për të përballuar sfidat e martesës dhe njëkohësisht për shenjtërimin e çiftit, në mënyrë që të krijohet shoqëria e dashurisë. Pikërisht, vendosja e marrëdhënieve midis burrit dhe gruas në këtë dimension, pra të martesës, lidhet dhe me psikologjinë e njeriut, ku detyrimi dhe përfitimi është një lidhje e rëndësishme dhe që duhet mbajtur e balancuar. Kur humbet ky ekuilibër, edhe martesa humbet funksionin dhe dimensionin e saj. Kështu, në lidhje të ashtuquajtura martesore, ku mungon angazhimi dhe përgjegjësia, premisat e vazhdimit të marrëdhënies dhe plotësimit të saj mbeten të cunguara pasi, në mungesë të angazhimit, gruaja apo burri nuk do të mundin të shprehin nivelin e lartë të përfshirjes të tyre në jetën bashkëshortore. E njëjta gjë është kur familja kthehet thjesht në institucion, ku pjesëtarët e saj nuk përfitojnë shoqërisht, psikologjikisht, personalisht dhe shpirtërisht. E mbërthyer në formë institucionale dhe e vakët në përjetime, familja dhe komponentët përbërës të saj nuk ndikojnë në mënyrë të favorshme në zhvillimin shoqëror dhe shpirtëror.

Në mendimin teologjik të Shkrimit të Shenjtë dhe të apostull Pavlit, marrëdhëniet burrë-grua dhe martesa e tyre bazohet mbi dashurinë për njëri-tjetrin. Ndoshta kjo marrëdhënie do të ketë vështirësitë e veta, por nuk është arsye për nënvlerësimin e martesës, as për ndryshimin e natyrës së saj, pasi kjo nuk e zgjidh problemin që mund të ketë martesa natyrore, por thjesht e bën më të madh problemin dhe e orienton mendimin për martesën në udhë të panatyrshme dhe pa krye. Forma natyrore e martesës dhe forma artificiale e saj nuk janë dy lloje të ndryshme martese. Njehsimi i tyre nuk është thjesht një kundërvënie ndaj martesës, por është një injorim i dimensionit natyral të saj. Kështu që pozicionime të ndryshme ndaj martesës, sidomos me promovimin e formave jonatyrale të saj nuk janë një ridimensionim i martesës, por një injorim i vlerës së saj. Dhe vlera e martesës nuk qëndron thjesht në bashkimin e njerëzve, as në shtimin e tyre, por në fuqinë e dashurisë, ku tok me bashkimin e burrit dhe gruas dhe riprodhimin përbëjnë tre komponentë thelbësorë të saj. Në këtë mënyrë, pra, në trajtën e saj të natyrshme, familja ruan ekuilibrin e saj. Edhe kur mungon riprodhimi, si hallkë e tretë, dashuria dhe bashkimi burrë-grua mund qëndrojë në ekuilibër. Ndërsa në formën jonatyrore, ky balancim është i vështirë, pasi pjesët përbërëse të bashkimit nuk mund të krijojnë unitet qenësor midis tyre, sepse që lidhja të bëhet e fortë, burri duhet të ofrojë dashuri të sinqertë dhe gruaja bindje të sinqertë e të ndërgjegjshme.

Plotësimi i martesës apo pasoja plotësuese e saj, e cila e zhvillon martesën në familje, është lindja e fëmijëve. Kur për shkak të një arsyeje shëndetësore një çift nuk mund të ketë fëmijë, kjo nuk është shkak për prishjen e martesës, pasi lidhja e çiftit bazohet mbi dashurinë, e cila nuk është një ndjenjë momentale dhe provizore. Pamundësia shëndetësore nuk duhet të identifikohet me pamundësinë natyrore për të lindur fëmijë. Madje një përpjekje, jo vetëm që nuk ka vend dhe është e pabazuar, por edhe nëpërkëmb jo thjesht familjen, por dhe elementin e saj riprodhues.

Mendimi për të njësuar familjen natyrale me familjen në formën artificiale apo dhe pamundësinë shëndetësore me pamundësinë natyrale është një përpjekje, e cila vendoset brenda kornizës së diskutimit midis së drejtës, pra të drejtës për t’u shprehur dhe mos të qenit e drejtë apo e vërtetë ajo që shpreh. Kështu, nga njëra anë, gjithsecili ka të drejtë të mendojë, të shprehë dhe të veprojë dhe, nga ana tjetër, duhet parë sa e drejtë apo e saktë është e menduara, e shprehura dhe e vepruara. Po ashtu gjendemi në shfrytëzimin e mangësive relative për çifte bashkëshortësh burrë-grua, si argument për të arsyetuar pamundësinë natyrale të çifteve me të njëjtin orientim seksual. Tentativa për shfaqjen e formave të tjera të martesës ndryshe nga ajo tradicionale, që njerëzit e praktikojnë prej fillimit, është një përpjekje eksperimenti mbi martesën dhe familjen. Edhe kur bëhen tentativa për shtimin e familjes jonatyrore, përsëri shtrohet, përveç riprodhimit, dilema se si do të edukohet fëmija. Pra, që në zanafillën e vet fëmija do të përballet me mungesën e figurës së një prindi dhe përballë tij do ketë dy persona, të cilët mund të marrin rolin e një prindi, por jo të prindit tjetër. Kështu që në familje do të mungojë, qoftë figura e nënës, qoftë e babait. Në këtë mënyrë shpjegohet tentativa për emërtimin e prindërve, nga baba dhe nënë në “prindi 1” dhe “prindi 2”, e cila do të ndikojë në edukimin e fëmijës.

Në letrën e tij për Efesianët, Apostull Pavli i referohet vështirësisë dhe mundit për edukimin e fëmijës. Madje i drejtohet fëmijëve: “ndero babanë tënd dhe nënën tënde” (Ef. 6:2). Ky referim i Apostull Pavlit e merr të mirëqenë faktin e ekzistencës në familje të babait dhe të nënës, sepse çdo njeri, në ndërgjegjen e tij, ka të fiksuar që në lindje figurën e nënës apo të babait. Madje dhe kur pak më poshtë i referohet etërve “dhe ju etër, mos provokoni për zemërim fëmijët tuaj…” (Ef. 6:4) e bën jo për të theksuar vetëm përgjegjësinë e një prindi, në rastin konkret të babait, por i referohet strukturës së familjes në shoqëritë e asaj kohe, ku pozicioni i babait ishte superior. Ky qëndrim i Apostull Pavlit nuk e zhvlerëson rolin e nënës, por e konsideron të mirëqenë. Për Apostull Pavlin, prindërit kanë rol të padiskutueshëm në zhvillimin e fëmijës. Madje, duke ofruar jo vetëm vlerat shoqërore, por dhe ato hyjnore.

Nga sa thamë më sipër del e qartë se familja krijohet mbi bazën e një çifti bashkë me fëmijët e tyre dhe çifti krijohet mbi martesën, e cila më shumë sesa një bashkim i njohur ligjërisht është një bashkim shpirtëror bazuar mbi dashurinë dhe hirin e Perëndisë, në misterin e martesës. Kjo është forma e drejtë e formimit të familjes, e cila jo rrallëherë është tronditur dhe do tronditet nga dëshirat apo dhe devijimet njerëzore. Megjithatë, faktet kanë treguar se pavarësisht nga goditjet që ka pësuar familja në këtë shekull, ajo ka mbetur si pikë e sigurt referimi e zhvillimit shoqëror, e formimit dhe përshtatjes në shoqëri të pasardhësve dhe një vatër, ku nuk identifikohet thjesht me vendin, por me marrëdhëniet dhe frymën që zhvillohet brenda saj. Ndoshta shoqëritë njerëzore do të krijojnë pafundësi institucionesh për integrimin në shoqëri të anëtarëve të rinj të shoqërisë, por do ta kenë të pamundur të tejkalojnë dhe përmbushin atë që arrin familja, pasi ajo nuk është thjesht një bashkim njerëzish dhe nuk duhet të jetë e tillë, por një unitet ku dashuria është themeli. Prania fizike e prindërve apo dhe prania me kujtime dhe shembuj kur nuk jetojnë, ndihmon në forcimin e karakterit të fëmijëve dhe zhvillimin e shëndetshëm trupor e shpirtëror të tyre. Ndoshta ka raste kur familja nuk arrin ta përmbushë këtë, për shkak të funksionimit të cunguar, nuk mund të jetë një argument kundër familjes apo për të krijuar forma jonatyrore të saj. Familja, pavarësisht mangësive brenda saj, ka treguar se është e pavdekshme, pasi tek ajo ka jetë, shpresë dhe dashuri, për të cilat ka nevojë shoqëria.

Thoma Çomëni
Pedagog në Departamentin e Theologjisë dhe Kulturës në Kolegjin Universitar “Logos”