Dashuria e painteres e Kishës Orthodhokse dhe e Kryepiskopit Anastas për vëllezërit dhe motrat në nevojë
Gjatë këtyre tri dekadave të ringritjes së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë nën drejtimin e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Anastasit, në qendër të saj ka qenë njeriu – qenia njerëzore. Kujdesi i Kishës ndaj tij ka qënë i shumanshëm – shpirtëror, social, shëndetësor, edukativ etj. Gjithçka është ofruar me kaq shumë dashuri të painteres, pa zhurmë, me dinjitet dhe pa shumë promovim e bujë. Ndoshta kjo ndihmë, që në gjuhën ekonomike mund të përkthehet miliona euro, që u ofrua dhe ofrohet me kaq shumë përkushtim dhe pa asnjë dallim, ka ardhur koha që t’u bëhet e ditur së pari, besimtarëve, dhuruesve, por edhe atyre që realisht kanë interes të mësojnë të vërtetën.
Tranzicioni i gjatë që ka mbërthyer vendin krijoi hapësira për shumë OJQ, organizata bamirëse, individë që të përfshiheshin në vepra bamirësie, madje dhe institucione shtetërore, të cilat para pak vitesh shpallën nisma bamirësie, duke na krijuar idenë se tashmë çështja e ‘bukës së përditshme’ do të zgjidhej përfundimisht. Por u desh pak kohë që ato të zhdukeshin një e nga një si kërpudhat pas shiut.
Edhe ato që ende mbeten në këmbë, u shërbejnë interesave të ndryshme dhe mediatizimi i tyre i palimit e vërteton këtë gjë.
Mensa “Shërbimi i Dashurisë” e Kryepiskopatës, pranë ish-“Shkollës së Kuqe”, e themeluar nga Kryepiskopi Anastas, qëndron atje që prej afro 20 vjetësh, duke ofruar ndihmë për shumë vëllezër e motra në nevojë. Ajo drejtohet me shumë dashuri nga stafi i Zyrës së Grave të Kryepiskopatës, në bashkëpunim me atë Nikollën. Gjatë Pandemisë Covid-19, kjo mensë e vetme në Tiranë, ofronte çdo ditë ushqim për të gjithë ata që trokitën në derën e saj.
Sigurisht që vepra të tilla nxisin xhelozi madje dhe smirë te dikush që nuk e do këtë gjë, por vepra e Kishës nuk zbehet kurrë, nuk resht së vepruari pavarësisht nga sfidat me të cilat përballet!
Le të bëhemi të gjithë bashkë të kontribuojmë për mensën e Kishës sonë me punën tonë vullnetare, por edhe me ndihmën monetare në llogarinë e saj, me qëllim që ajo t’u përgjigjet me koherencë të gjitha nevojave që ka komuniteti ynë.
Atë Grigor Pelushi