Fortlumturi, sot ne kremtojmë një festë shumë të rëndësishme, Lindjen e shën Joan Pagëzorit. Vetëm tre persona përkujtohen në Kishë për ditëlindjen – Lindja mishore e Zotit, Lindja e Hyjlindëses Mari dhe Lindja e Shën Joan Pagëzorit.
I përkujtojmë këto, se lindja e tyre lidhet me historinë e shpëtimit. Ishte pikërisht Joan Pagëzori – Pararendësi, ai që kishte profetizuar Profeti Isaia që do të tregonte udhën e Zotit dhe do të kthente shumë njerëz për t’iu afruar Perëndisë, prandaj edhe Kisha i përkujton ditëlindjen, pikërisht për këtë gjë. Figura e Joan Pagëzorit do të mbetet e gdhendur në mendjet dhe zemrat e çdo të krishteri, sepse ajo paraqet një njeri, i cili, sipas fjalëve të Zotit, ishte më i madhi që ka lindur një grua. Një njeri që luftoi për të vërtetën pa kompromis, duke dhënë edhe jetën për të mbrojtur mësimin e Zotit dhe gjithçka tjetër. Ai tregoi që morali është i detyrueshëm për të gjithë njerëzit, qofshin mbretër, qofshin njerëz të fuqishëm të kësaj bote dhe të gjithë njerëzit e tjerë; duke treguar se morali është për të gjitha kohërat, nuk është një moral relativ, që në një kohë është mirë të bësh këtë edhe në një kohë është keq, në një kohë është mirë të vjedhësh e në një kohë tjetër jo, s’është mirë. Ligji i Zotit është për gjithë kohërat edhe gjithë njerëzit. Dëshmia e tij ishte një dëshmi e fuqishme dhe shumë nxënës të Zotit ishin pikërisht nga nxënësit e shën Joan Pagëzorit.
Por, përveç këtij kremtimi, sot kemi edhe një kremtim tjetër. Gati tri dekada me parë, në këtë datë, Patriarkana Ekumenike zgjodhi si Kryepiskop të Kishës në Shqipëri, Kryepiskopin tonë të dashur, Anastasin, dhe historia tregoi që zgjedhja ishte më e duhura. E kam thënë disa herë dhe do ta përsëris, që nuk njoh një person tjetër që mund ta kishte bërë ketë punë siç e ka bërë Kryepiskopi Anastas gjatë këtyre tri dekadave në Shqipëri. Erdhi në një kohë shumë të vështirë. Kisha ishte shkatërruar krejtësisht, s’kishte asgjë këtu. Askush nuk mund të shpresonte që mund të ndodhnin gjithë këto gjëra që ndodhën më vonë dhe vetëm një njeri me besim të madh mund ta merrte këtë barrë mbi supe. Kur barrën e mbajnë të tjerët, ndoshta mund të duket e lehtë, madje shpeshherë ka ndonjë kritikë, por të mbaje një barrë në atë kohë, do të thoshte dashuri e madhe për Zotin dhe dashuri e madhe për njerëzit. Prandaj falënderojmë Kryepeshkopin për këtë pranim – që të bëhej Kryepiskop i Kishës së shkatërruar në Shqipëri. Dhe Kisha u ringrit, jo vetëm në dimensionin që ishte dikur, por në një dimension akoma më të gjerë dhe gjithëpërfshirës. Kisha është bërë faktor i rëndësishëm në jetën shpirtërore të vendit tonë, në jetën sociale dhe ekonomike, duke dhënë një kontribut shumë të madh, qoftë në mësimin e vlerave me Zotin, por edhe në gjithçka tjetër që prek jetën e njeriut.
Edhe kohët ishin shumë të vështira dhe duhej një kapiten i stërvitur për ta drejtuar anijen drejt limanit në këtë det të trazuar, prandaj edhe i lutemi Perëndisë që t’i japë jetë të gjatë, fuqi dhe urtësi për ta drejtuar Kishën edhe më tej, sepse kemi nevojë për njerëz të tillë. Nuk është e lehtë të drejtohet anija në stuhi – në det të qetë ndoshta mund të lundrojë – por në stuhi kërkon njerëz të dedikuar, njerëz të përkushtuar, të cilët e duan Perëndinë dhe të gjithë njerëzit, sepse ata që duan Perëndinë, padyshim që i duan edhe njerëzit.
Është një episod në Ungjill, një episod shumë i rëndësishëm përpara se Zoti t’i përcaktonte Pjetrit një detyrë shumë të rëndësishme – I bën një pyetje dhe i thotë: “Simon, biri i Jonait, a më do mua më shumë se këta të tjerët?” Dhe pasi Pjetri i përgjigjet: “Po, o Zot!”, i thotë: “Kullot delet e mia!”. Gjë që do të thotë se nuk mund ta drejtosh dot një grigjë, nëse nuk e do; as familjen nuk e drejton dot, nëse nuk do t’i duash ata njerëz. Prandaj edhe e them gjithmonë, që pranimi i kësaj detyre dhe udhëheqja e kësaj grigje me urtësi vjen nga dashuria e madhe për Zotin edhe kush ka dashuri për Zotin, ka dashuri edhe për të gjithë njerëzit e tjerë. Perëndia le t’i japë Kryepiskopit tonë jetë të gjatë, shëndet, urtësi dhe gjithçka tjetër për të mirën tonë dhe për lavdinë e Perëndisë. Amin!
24 Qershor 2021