EmailFacebookKontakt

Bashkëmeshim i Sinodit të Shenjtë në të kremten e Lindjes së shën Joan Pagëzorit

Më 24 qershor 2021, kur Kisha jonë kremton Lindjen e Pararendësit dhe Pagëzorit Joan, u festua gjithashtu në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë edhe 29-vjetori i zgjedhjes nga Sinodi i Shenjtë i Patriarkanës Ekumenike, i Fortlumturisë së Tij, Anastasit, Kryepiskop i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Për të përkujtuar këtë ditë të shënuar u krye Liturgjia Hyjnore panegjirike nga anëtarët e Sinodit të Shenjtë. Nën kryesimin e Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Anastasit, bashkëmeshuan, Mitropoliti i Korçës, Joani; Mitropoliti i Gjirokastrës, Dhimitri; Mitropoliti i Apollonisë dhe Fierit, Nikolla; Mitropoliti i Elbasanit, Andoni; Mitropoliti i Amantias, Nathanaili, dhe Episkopi i Bylist, Asti.

Meqë kushtet e lehtësuara epidemiologjike e lejuan dhe duke iu përmbajtur masave të mbrojtjes personale, besimtarë të shumtë të Kryepiskopatës së Tiranës, të rinj, pedagogë të institucioneve arsimore të Kishës sonë etj., morën pjesë në veprimtaritë adhuruese dhe patën rastin të urojnë nga afër Kryepiskopin dhe Kryebariun tonë.

Në fund të Liturgjisë, në emër të Sinodit dhe besimtarëve, foli Mitropoliti i Korçës, Hirësi Joani. Pasi foli për rëndësinë e së kremtes dhe figurën e shën Joan Pagëzorit, dhe vendin e tij në Kishë, Hirësi Joani iu referua momentit historik të zgjedhjes së Kryepiskopit nga Patriarkana Ekumenike. Zgjedhje që u faktua më e gjetura dhe një bekim i veçantë për Kishën dhe vendin tonë. Ishte barrë e rëndë të ndërmerrje atë që Kryepiskopi ynë mori përsipër, të ngrinte nga asgjëja Kishën e shkatërruar nga persekutimi i pashembullt dhe afatgjatë. Për të ngritur këtë barrë, duhet dashuri e pamasë për Perëndinë dhe dashuri për njerëzit. Kryepiskopi Anastas është shembull unikal se sa fort dashuroi Perëndinë dhe njerëzit, dhe vendin tonë. Dhe si shpërblim, Perëndia bekoi këtë ndërmarrje të tij në krye të Kishës sonë dhe arritjet janë jo vetëm të paimagjinueshme për momentin e zgjedhjes, por të pakrahasueshme me periudhat e tjera të Orthodhoksisë në këto treva. Hirësia e Tij uroi në emër të të gjithë besimtarëve, që Perëndia t’i dhurojë edhe vite të tjera të shëndetshme Kryepiskopit, sepse jemi duke kaluar kohë të trazuara dhe anija ka nevojë për kapiten të zot për ta nxjerrë në limane të sigurta.

Kryepiskopi Anastas, duke falënderuar, theksoi se ditët dhe vazhdimi i jetës është në dorën e Perëndisë, por në dorën tonë, të çdo besimtari, është që këtë kohë ta përdorim në përpjekje lutjeje, në njohje të vullnetit të Tij dhe në të jetuarit në Frymën e Shenjtë. Fortlumturia e Tij ndau me besimtarët vizionin për disa nisma për vitin në vazhdim, për t’u dhënë kuptim përvjetorëve, sikundër e ka për traditë Kryepiskopi, i cili foli për arritjet dhe vështirësitë e kësaj periudhe, duke theksuar se na duhet bekimi i Perëndisë për veprat që duam të kryejmë, siç janë ringritja e kishës së Shën Prokopit në Tiranë, zgjerimi i shkollës “Protagonistët”, zgjerimi i veprës hidroenergjetike, për të krijuar burime ekonomike apo edhe i Klinikës Orthodhokse “Ungjillëzimi”.

Thoma Dhima