EmailFacebookKontakt

Punimet konservuese në pikturat murale të kishës së “Shën Marisë” në Vrahogoranxi-Gjirokastër

Territori përreth kishës së Shën Marisë në Vrahogoranxi është i rrethuar me mure guri dhe atje janë vendosur varrezat e fshatit. Në qoshen jugperëndimore të oborrit ngrihet kambanorja, në formën e një muri masiv mbajtës, i cili lehtësohet në pjesën e sipërme nga kamaret e kambanave. Naosi i përket tipit bazilikal me kupolë.

Kisha është ndërtuar në çerekun e parë të shek. XVII, në vitin 1622. Të dhëna të sakta për këtë jep mbishkrimi që ndodhet mbi derën e faqes perëndimore të naosit, sipas të cilit kjo kishë i dedikohet Hyjlindëses dhe Gjithmonë-virgjërës, me mundimet dhe shpenzimet e Onufër Qipriotit dhe Alivizit, më 1622.

Në afresket e kishës së Vrahogoranxisë duken qartë lidhjet me traditën e Beratit. Afresku është i realizuar në teknikën bizantine dhe i mbështetur mbi suport muri me një trashësi që arrin deri në 70 cm.

Në këtë kishë u bënë ndërhyrje restauruese si në konstruksion, dhe në arkitekturë e cila i dha fund problemeve të rënda konstruktive që kishte objekti. Punimet e konsolidimit dhe të restaurimit u kryen në bashkëpunim me Degën e Monumenteve të Beratit. Punimet e konservimit të ikonostasit u kryen nga një grup restauratorësh të Institutit të Monumenteve.

Ashtu si për restaurimin edhe ndërhyrjet në afresk u realizuan me kujdesin dhe fondet e siguruara nga Kryepiskopi Anastas.

Fillimisht puna u përqendrua në kupolë dhe tambur duke realizuar konsolidimin e shtresave të afreskut nëpërmjet injektimeve, mbushjes së boshllëqeve me llaç special. Pas konsolidimit të saj, u bë pastrimi i pikturës nga nxirjet dhe bloza. U vu re se kupola ku ndodhet “Krishti Pantokrator” u pastrua më me lehtësi sesa faqet e tamburit. Me pas puna konservuese u përqendrua në procesin e injektimeve, qepjeve të plasaritjeve, heqjes dhe rivendosjes së afreskut, zbulimin e afreskeve nga gëlqerja, llaçi dhe çimentoja, mbushjen me llaç special të boshllëqeve.

Injektime u kryen në faqet e tamburit, në absidë, në disa pjesë të tavanit dhe shumë vende të tjera. Gufimi i afreskut arrinte deri në 10 cm nga sipërfaqja e rrafshët e afreskut. Pas heqjes, u vu re se shkaku kryesor i këtij dëmtimi ishte dëmtimi i muraturës, lëvizja e gurëve nga degëzimet e pemëve të futura brenda muraturës në mënyrë vertikale nga poshtë-lart. Pas konsolidimit të muraturës, heqjes së degëve të bimëve, u krijua një suport i favorshëm për të rivendosur afreskun e hequr. Pas vendosjes së afreskut, e gjithë sipërfaqja e tij, së bashku me të tjerat erdhën në nivele të pëlqyeshme.

Me të njëjtin problem, pothuajse në shumë raste, u ndeshëm edhe në çlirimin e plasaritjeve të mëdha të mureve nga mbushje të bëra para shumë vitesh me çimento, e cila mbulonte edhe pjesë të afreskut. Largimi i çimentos paraqiste vështirësi të mëdha dhe hera-herës bëhej i pamundur, por edhe kur hiqej, dëmtonte sipërfaqen e afreskut, duke lënë gjurmë dhe dëmtim. Në të gjitha rastet u bë qepje e mureve, duke i plotësuar me material guri dhe me llaç të fortë e gëlqere.

Pjesa më e madhe e pikturës u pastrua nga pluhurat dhe bloza e krijuar prej shumë kohësh. Me këto ndërhyrje konservuese e restauruese, mendojmë se piktura murale, tashmë paraqitet në gjendje të mirë dhe jashtë rrezikut të shkatërrimit, duke krijuar kështu qëndrueshmërinë e kërkuar.

Joan Stratobërdha