– Ato u realizuan me aprovimin e Këshillit Kombëtar të Restaurimit pranë Ministrisë së Kulturës dhe financimin e plotë nga Kisha jonë –
Pas gati një viti punime, u krye restaurimi në kishën e Shën Marisë së Kosinës, Përmet. Hartimi i projektit të restaurimit dhe mbikëqyrja e realizimit të punimeve u bë nga Bërthama e Trashëgimisë Kulturore e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Projekti u miratua nga Këshilli Kombëtar i Restaurimit pranë Ministrisë së Kulturës. Realizimi i këtij projekti u ideua dhe financua nga Kryepiskopi † Anastas, me vlerën 4,435,395 lekë.
Punimet e restaurimit konsistuan në: fugatimet e muraturave, qepjet e çarjeve vertikale dhe qemerëve, injektimet në shëndoshjen e mureve ekzistuese, çmontimin e çatisë ekzistuese, riparimin e qemereve nga çarjet dhe dëmtimet, mbulimin e çatisë në kuotat e vjetra, duke përdorur tjegulla të reja të realizuara në dimensione me ato ekzistuese dhe gjithashtu u zëvendësuan dyert dhe dritaret e dëmtuara. E gjithë kisha iu nënshtrua një heqjeje masive të dherave në mënyrë perimetrale, të cilat ishin depozituar prej kohësh duke “zhytur” volumin real të kishës. Në pjesën afër muraturës u realizua drenazhimi për t’i larguar ujërat nga objekti. Mbi këtë drenazhim u bë një trotuar kalldrëmi, i cili do të rrethojë kishën në mënyrë perimetrale. Punime gjithashtu u kryen edhe në interierin e kishës, si riparimi i dyshemesë dhe plotësimi i suvasë së dëmtuar, atje ku nuk kishte prezencë të pikturës murale. E rëndësishme ishte edhe rihapja e dyerve laterale nga veriu dhe nga perëndimi.
Kjo kishë është e tipit kryq i brendashkruar me kupolë dhe përbëhet nga narteksi, naosi dhe altari. Nga tiparet, morfologjia dhe elementet dekorative, kjo kishë datohet si ndërtim i shekullit XII. Kisha e Shën Marisë ka tipare të theksuara të arkitekturës bizantine. Kjo kishë kaq e rëndësishme për trashëgiminë tonë shpirtërore dhe kulturore Orthodhokse, e restauruar tashmë, i bashkëngjitet grupit të madh të kishave-monumente kulture të restauruara nga Kisha.
Besimtarët Orthodhoksë të enorisë së kishës së Fjetjes së Hyjlindëses të fshatit Kosinë, i dërguan Kryepiskopit Anastas një letër falënderimi dhe mirënjohjeje për restaurimin jo vetëm të këtij thesari të vyer të besimit tonë, siç shprehen ata, por edhe të ringritjes në tërësi të Kishës Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë.
Megjithëse çdo hap i këtij restaurimi është kryer njëqind për qind nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë në bashkëpunim me institucionet e Ministrisë së Kulturës, ish-ministrja e Kulturës, znj. Kumbaro u shpreh në prill se ajo “është restauruar me fonde të shtetit”.
Të jetë veç një lapsus?
Arkitekt Restaurator
Gentian Stratobërdha