EmailFacebookKontakt

Madhështia e shërbimit sakrifikues

“Sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi t’i shërbejnë, por erdhi për të shërbyer e për të dhënë jetën e vet si shpengim për shumë njerëz” (Mattheu 20:28).

Zoti i qiellit dhe i dheut, që e lavdërojnë dhe i shërbejnë rangje dhe ushtri engjëjsh dhe kryeengjëjsh, “kur u përmbush koha” (Gal. 4:4), erdhi në tokën tonë të vogël. “U shfaq mbi dhe e bashkëjetoi me njerëzit.” (Baruk 3:38). La lavdinë e pafund të qiellit dhe erdhi në tokën tonë, i varfër dhe i përulur, jo që t’i shërbejnë njerëzit, por që t’u shërbejë atyre. Veç kësaj, Ai vetë shpalli se, “Biri i njeriut nuk erdhi t’i shërbejnë, por erdhi për të shërbyer”. Dhe atë që tha e bëri në praktikë. Sepse çdo hap i Tij ishte një vulë e fjalëve të Tij.

Na thërret grazhdi brenda të cilit lindi. Na e thotë Nazareti, ku punoi shumë, vite të tëra si një marangoz i thjeshtë. Por dhe gjithë invalidët, të verbrit, të lebrosurit, të demonizuarit, që morën nga duart e Tij dhuratën e shëndetit, të njëjtën gjë na thonë. Dhe peshqiri, që lidhi në brez natën e Darkës Mistike dhe lau këmbët e nxënësve të Tij, këtë të vërtetë shfaq përpara nesh.

E gjithë jeta e Tij ishte një zinxhir shërbimesh ndaj njerëzve. Një zinxhir që hallka e fundit e të cilit është skuqur nga gjaku i Tij i çmuar. Kështu Zoti u bë shërbëtori ynë, shërbëtor i gjithë njerëzimit. Predikonte fjalën e Perëndisë në shtëpitë, sinagogat dhe në brigjet e Tiberiadhës. Nga Grazhdi deri në drurin e gjakosur të Kryqit fshihet një jetë e shërbimit të paarritshëm. Një madhështi e shërbimit që rrezaton tashmë për 21 shekuj dhe do të rrezatojë deri në mbarim të shekujve.

Të tjera na kërkon Zoti dhe të tjera kërkojmë e synojmë ne. Zoti na tregon përulësinë, padukshmërinë dhe ne mund të synojmë njohjen e punës sonë, shfaqjen dhe denjësimin shoqëror. Zoti na rekomandon të fitojmë thesar në qiell dhe ne shpeshherë kërkojmë të mirat materiale si burimin e vetëm të lumturisë. Zoti kërkon të mohojmë botën e mëkatit dhe të dëshirave të tij; dhe ne shumë herë këmbëngulim t’i japim rëndësi se “çfarë do të thotë bota”.

Këtë mësim të shkëlqyer të shërbimit me përulësi na e mësoi Perëndinjeriu në mënyrë vizuale, kur Ai vetë ngjeshi në brez peshqirin, që të lante këmbët e nxënësve të Tij. Këtë mësim do ta shikojmë në ditët në vijim që ta predikojë në heshtje i Kryqëzuari. Ndërkohë që afrohet, pra, Java e Madhe dhe e Shenjtë, le ta kthejmë vështrimin te Zoti, që baret drejt Pësimit vullnetar, që të frymëzohemi nga fryma e Tij: Frymë sakrifikimi dhe ofrimi.

†IGNATI
(fragment nga predikimi)