Në datën 26 maj 2021, Muzeu Historik Kombëtar çeli ekspozitën “Ikonat e Diço Zografit”. Ekspozita përmban 12 ikona të ikonografit Diço Zografi, të cilat ekspozohen për herë të parë, si “Dyert e Bukura” të ikonostasit të kishës së Shën Kollit në Elbasan, një kryq, mbulesa ikonash, kapakë Ungjilli etj.
Në fjalën e tij, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi, ndër të tjera tha: “Piktori për të cilin flasim sot, Diço Zografi, vitin e kaluar kishte 200-vjetorin e lindjes, që u festua në Maqedoninë e Veriut, ku ka edhe pjesën e tij më të madhe të koleksioneve. Në një konferencë të organizuar nga Akademia e Shkencave në Maqedoninë e Veriut, ku morën pjesë edhe specialistë të Muzeut Historik Kombëtar, zbuluam që kemi një trashëgimi jo të vogël. Por, mbi të gjitha, duke e ditur se e bukura dhe arti janë dy eksponentë kryesorë të Bashkimit Evropian, kuptojmë se kemi një të kaluar të përbashkët me të gjitha vendet tona fqinje, me të cilat shkojmë drejt një solidariteti të përbashkët evropian.”
Sigurisht, kjo ekspozitë shtron edhe një herë problemin e objekteve të shumta orthodhokse të grabitura nga sistemi komunist. Ato mbeten ende nëpër depot e muzeve, pa u marrë në konsideratë se janë mbi të gjitha objekte shpirtërore të Komunitetit Orthodhoks, i cili nuk i krijoi për të shëtitur dorë më dorë.