Para pak ditësh përfundoi faza e parë e punimeve në kishën e Shën Marisë së Ujërave në Mangalem, ëndërr e çdo besimtari beratas. U krye një proces tejet i komplikuar për zgjerimin e shkëmbit të sipërm dhe hedhjes së soletës së re, e cila do të mundësojë zgjerimin e brendshëm të sallës, dhe më pas vendosjen e detajeve të tjera, të cilat do t’i japin karaktere të kishës së vjetër.
Falënderoj për këtë të gjithë donatorët dhe dhuruesit, që kontribuuan në mënyra të ndryshme.
Falënderime të përzemërta i takojnë grupit nismëtar, z. Ferdinant Babasikas, i cili ka bërë një punë të madhe në sensibilizimin dhe bashkëpunimin e miqve tanë në shumë anë të botës, z. Vladimir Teta, z. Milto Fani, z. Miron Liko, të cilët jo vetëm morën këtë guxim, por dhe e mbështetën financiarisht projektin.
Falënderoj z. Vasillaq Bojaxhi dhe vëllanë e tij duarartë, psaltin tonë z. Petrit Bojaxhiu për mundin, idetë dhe gjithçka tjetër.
Gjithashtu falënderoj inxhinierin zemërgjerë z. Gëzim Dervishi, si dhe teknikun z. Ilia Sinjari, për çdo mbështetje që na kanë dhënë.
Dua të falënderoj Kryetarin e Bashkisë, Berat, z. Ervin Demo, Nënkryetarin dhe arkitektin, z. Luçiano Bojaxhi për lejen dhe çdo ndihmë tjetër. Njëkohësisht, falënderoj dhe stafin e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, me drejtor z. Eugen Kallfani për çdo ndihmesë të dhënë.
Një falënderim të veçantë meriton dhe bashkëqytetarja jonë me banim në SHBA, zonja Loreta Stamo, për krijimin dhe menaxhimin e faqes në Facebook: “Friends of the churches of Berat/Miqtë e kishave të Beratit”, e cila na ka mbështetur në këtë projekt, por edhe do të vijojë në një lidhje të qëndrueshme për të mbledhur fonde të nevojshme në restaurimin dhe rijetësimin e kishave të shumta historike të qytetit tonë, ndihma të cilat po përdoren edhe në kishën e Evangjelistrës në Kala.
Shpreh mirënjohje për të gjithë ju që po na ndihmoni dhe që do vazhdoni të na mbështetni në ruajtjen dhe vazhdimin e traditës sonë të bukur orthodhokse me të cilën krenohet qyteti ynë shekullor.
Protopresviter Joan Qako.