Me gjithë vështirësitë e krijuara nga pandemia, Java e Madhe dhe Ngjallja e Zotit u kremtuan me shkëlqimin dhe madhështinë që i takon. Besimtarët mbushën kishat duke respektuar sa mundeshin rregullat e vendosura. Megjithatë, situata e lehtësuar e epidemisë mundësoi pjesëmarrje të gjerë, krahasuar me kufizimet e rrepta të një viti më parë. Për të respektuar kufizimet e vendosura, Shërbesa e Ngjalljes dhe Liturgjia Hyjnore e Pashkës u kryen të Dielën në mëngjes.
Në Tiranë, shërbesat u kryen në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” nga Kryepiskopi Anastas bashkë me Mitropolitin e Amantias, Nathanailin; Episkopin e Bylisit, Astin, dhe klerikë të Kryepiskopatës. Gjatë Liturgjisë Hyjnore, Fortlumturia e Tij dha gjithashtu Mesazhin e Pashkës, që këtë vit kishte si temë: “Çlirim nga urrejtja dhe variantet e saj”. Ndër të tjera, ai theksoi: “Ngjallja shpall një fitore shumë të rëndësishme mbi vdekjen, planet tinëzare dhe pasionet vdekjeprurëse: mbi smirën, gënjeshtrën e mbi të gjitha mbi urrejtjen me variantet e saj të shumëllojta, mbi kujtimin e së keqes, hakmarrjen, djallëzinë, të cilat janë të pranishme në të gjitha epokat dhe në të gjitha shoqëritë.”
Tërë shkëlqim u kremtua mëngjesin e së dielës, 2 maj 2021, edhe në të gjitha Mitropolitë, ku besimtarë të shumtë u mblodhën për të festuar Ngjalljen e Zotit dhe mundjen e vdekjes nga Ai.
Në Korçë, u kremtua në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, ku Hirësi Joani iu drejtua besimtarëve, duke thënë ndër të tjera: “Është viti i dytë që po e kremtojmë Pashkën me kufizime dhe në një kohë të vështirë. Shumë njerëz, si pasojë e pandemisë, janë përballur me sëmundjen e rëndë, të tjerë kanë humbur familjarë dhe të afërm të tyre. Shumë të tjerë po përjetojnë probleme të shumta ekonomike, psikologjike e sociale, si edhe ankth e pasiguri. Por, Pashka na kujton se nuk jemi vetëm. Perëndia i dashurisë është pranë nesh dhe vazhdon të na dojë e të kujdeset për ne”.
Në Berat, shërbesat u kryen nga klerikët e Mitropolisë në Katedralen e Shën Dhimitrit. Në mesazhin drejtuar besimtarëve, Mitropoliti i Beratit, Hirësi Ignati, tha ndër të tjera: “Kjo është Pashka e Orthodhoksëve, domethënë diçka më e thellë dhe më thelbësore. Jo vetëm kremtim sipërfaqësor dhe i jashtëm. Pashka nuk është vetëm historia e një ngjarjeje që ndodhi para dy mijë e më shumë vjetësh, por është kryesisht përjetimi në të tashmen dhe në jetën tonë individuale, i fitores së përhershme të Zotit të ngjallur, mbi vdekjen…”
Në Mitropolinë e Gjirokastrës, shërbesat u kryen nga Hirësi Dhimitri në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”. Në Fier, Hirësi Nikolla kreu shërbesën në Katedralen e “Shën Gjergjit”, ndërsa në Elbasan, Mitropoliti Andon kreu Liturgjinë Hyjnore në kishën e Shën Nikollës.
Th. Dh.