Në shoqërinë njerëzore zënë një vend të veçantë festimet. Kjo vjen si një nevojë e brendshme e njeriut për t’u shkëputur nga puna, angazhimet dhe rutina e përditshme, por në të njëjtën kohë dhe për të krijuar një marrëdhënie me të shkuarën, duke e sjellë atë në përjetimin e së tashmes, duke aspiruar dhe synuar të ardhmen. Festat të cilat shoqëria njerëzore kremton, mbështeten në ngjarje e persona dhe, mbi të gjitha, në mesazhin që transmetojnë. E tillë është dhe e kremtja e Pashkës.
Pashka që festojnë të krishterët, nuk i referohet kalimit të popullit izraelit nga robëria egjiptiane në tokën e premtuar. Për të krishterët, Pashkë është momenti i kalimit nga vdekja në jetë dhe ky moment lidhet me personin e Jisu Krishtit, i Cili ndryshoi rrënjësisht historinë njerëzore. Pashka e krishterë lidhet me Krishtin, i Cili “u ngjall së vdekurish, me vdekje, vdekjen shkeli dhe të varrosurve jetën u fali” (Përlëshorja e Ngjalljes). Gjatë shek. II-III lindi problemi i festimit të Pashkës, pasi një pjesë e kishave të Azisë së Vogël e festonin më 14 të muajit Nisan, pavarësisht nga dita e javës. Ndërsa një pjesë tjetër e kishave e festonte Pashkën të dielën e parë pas ekuinoksit pranveror.
Në Sinodin I Ekumenik (325, në Nikea të Azisë së Vogël) u vendos që Pashka të festohej të dielën e parë pas ekuinoksit pranveror, që bie nga 22 marsi – 25 prill, sipas kalendarit Julian. Por futja e kalendarit të ri Gregorian bëri që koha e festimit të Pashkës të shkojë nga 3 prilli – 8 maj, për shkak të një diference prej 13 ditësh midis tyre.
Duhet thënë se të krishterët orthodhoksë asnjëherë nuk e festojnë Pashkën e tyre para ose në të njëjtën ditë me Pashkën judaike. Gjithashtu, duhet thënë se Kishat orthodhokse ecin: një pjesë me kalendarin Gregorian, ku një prej tyre është dhe Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë dhe një pjesë me kalendarin Julian. Megjithatë, të gjitha Kishat orthodhokse e festojnë Pashkën në të njëjtën ditë.
Pashkë për të krishterët do të thotë kalim nga vdekja në jetë, festë kjo që lidhet me shumë ngjarje të rëndësishme, ku më thelbësore janë Kryqëzimi, Vdekja dhe Ngjallja e Zotit Jisu Krisht. Këto ngjarje janë të ngarkuara emocionalisht, pasi mohimi, mëkati dhe kundërvënia e qenies njerëzore përballen me dashurinë, faljen dhe sakrificën e Krishtit. Duke pasur këto ngarkesa emocionale, duhet që besimtarët të jenë përgatitur shpirtërisht për t’i kuptuar dhe përjetuar këto ngjarje. Ky është qëllimi i kreshmës 7 javë para Pashkës. Kreshmimi është nga njëra anë heqje dorë nga disa ushqime dhe, nga ana tjetër, lutje më të gjata, një reflektim dhe një dedikim më i madh ndaj Zotit.
Moskonsumimi i përkohshëm i disa produkteve ushqimore nuk konsiderohet si përbuzje ndaj këtyre produkteve, pasi ato janë të mira të dhuruara nga Perëndia. Por, ky veprim bëhet që besimtarët të ushtrojnë vetveten, të kuptojnë dhe të ndërgjegjësohen për urinë që kanë të uriturit e kësaj bote, të kuptojnë vuajtjet e të vuajturve. Besimtarët, duke kreshmuar dhe duke u lutur më shumë gjatë kësaj periudhe, përpiqen të rregullojnë ekuilibrin midis angazhimit trupor dhe atij shpirtëror, pasi vetëm në këtë mënyrë do të arrijnë të kuptojnë ngjarjet e rëndësishme të Pashkës, ngjarje të cilat shtrihen si në botën shpirtërore, edhe në atë materiale.
Kreshma e Pashkës nuk është vënë asnjëherë në diskutim, pavarësisht se në fillim të shek. III filloi të mbahej gjatë gjithë javës para Pashkës, në një pjesë të Kishave të krishtera dhe nga shek. IV zbatohej nga të gjitha Kishat. Më pas, Kreshmës njëjavore iu shtuan plot dhe gjashtë javë të tjera dhe arsyet ishin: Parapërgatitja më e madhe për katikumenët, ata që do pagëzoheshin ditën e Pashkës dhe një “ripajtim” i besimtarëve me Kishën, pasi shpesh shikohej një lloj ftohje në marrëdhëniet e tyre me Perëndinë.
Me gjithë shtimin e gjashtë javëve kreshme, Java e Madhe, prajava para Pashkës nuk e humbi ritmin dhe rolin e saj parapërgatitor. Në fakt ajo fillon 8 ditë para Pashkës, nga mbrëmja e së dielës paraardhëse, nga e Diela e Dafinave ose Palmave, ku kremtohet Hyrja e Zotit Jisu Krisht në Jerusalem. Java e Madhe e arrin kulmin në tri ditët para Pashkës, sepse në ato ditë kremtojmë ngjarjet më prekëse, ngjarje ku hidhërimi dhe gëzimi, frika dhe guximi, mëkati e shenjtëria, errësira dhe drita, vdekja e jeta ndeshen mes tyre dhe në fund triumfon Ngjallja, që përmban brenda saj gëzimin, shenjtërinë, dritën dhe jetën.
Duke qenë se “Pashkë” për të krishterët orthodhoksë do të thotë kalim nga vdekja në jetë, ajo është e lidhur me Ngjalljen e Zotit Jisu Krisht. Kështu që Ngjallja e Jisu Krishtit është ngjarja qendrore e jetës shpirtërore të Kishës Orthodhokse. Ky qëndrim vjen nga fakti se mëkati për teologjinë dhe besimtarët orthodhoksë nuk është një thyerje rregulli apo ofendim ndaj Perëndisë, por një tronditje e marrëdhënies së njeriut me Perëndinë, është një errësim i “imazhit” (“ikonës”) e me pasojë vdekjen e njeriut.
(Nga faqja e Kishës në FB)