Manastiri i Kryeengjëjve ngrihet në një vend piktoresk, në brendësi të një pylli të vogël, në mes të rrugës Nivan-Nderan, në zonën e Zagorisë të rrethit të Gjirokastrës. Gjatë periudhës së pushtimit osman, manastiri shërbeu si digë frenimi për përhapjen e islamizimeve. Pranë tij funksiononte shkolla me një kontribut të pasur dhe shumëvjeçar në arsimimin e banorëve të zonës.
Nga periudha e regjimit komunist, prej manastirit shpëtoi vetëm kisha, edhe kjo e dëmtuar nga koha dhe braktisja. Godinat e tjera të manastirit u rrënuan, pasi më parë prej tyre ishin marrë materialet për ndërtimin e veprave të tjera të regjimit komunist në zonë.
Ndërhyrjet restauruese, u realizuan gjatë viteve 2007-2008, me nismën, kujdesin dhe mbledhjen e fondeve financiare nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Anastasi. Ato konsistuan në përforcimin e themeleve, në vendosjen e mureve mbështetëse për elementet e nevojshme strukturore të kishës, në riparimin e suvatimeve të brendshme, të fugatimeve të jashtme, në përforcimin dhe pastrimin e pjesëve të ruajtura të pikturës murale, në riparimin e dyshemesë dhe në sistemimin e mjedisit të jashtëm rrethues.
Ark. rest. Joan Stratobërdha