EmailFacebookKontakt

Atë Sotir Kamami, i paharruar për besimtarët elbasanas

Sotir Zaharija Kamami lindi në vitin 1894. Ai vinte nga një familje me tradita qytetare, e vendosur në lagjen “Kala”. Familja e tij ishte një familje e devotshme orthodhokse dhe rrezatonte besim të thellë e të palëkundur.

Sotirin, prindërit e dërguan me shpenzimet e tyre në Seminarin Orthodhoks të Oharit. Që i vogël, i nxitur nga jati, i cili shërbente në kishë si kandillonaft, ishte i tërhequr nga besimi orthodhoks dhe iu përkushtua shërbimit ndaj Zotit dhe përçimit të fjalës së Perëndisë te besimtarët. Pas mbarimit të seminarit u dorëzua prift.

Pas dorëzimit prift, atë Sotiri u caktua nga Episkopata e Korçës (e cila mbulonte edhe enorinë e Elbasanit), të shërbente, edhe me kërkesë të tij, fillimisht në Manastirin e Shën Joan Vladimirit, ku kaloi dhe pjesën më të madhe të shërbesës. Në vitet e fundit, shërbeu si prift edhe në kishën e Shelcanit edhe atë të Shtërmenit.

Papa Sotiri, me ndershmërinë dhe punën e përkushtuar të tij, fitoi e gëzoi respektin dhe vlerësimet e besimtarëve orthodhoksë elbasanas, dhe jo vetëm të tyre, por edhe të myslimanëve, si njeri i cili ndihmonte materialisht pa dallim fetar familjet e vobekta të qytetit dhe zonave ku shkoi, me ndihmat e kishës ku shërbente.

Për shkak të kushteve të vështira të kohës dhe vendit ku shërbeu, mori një të ftohur të rëndë, i cili ia shkurtoi jetën në vitin 1928.

Saqellar: atë Stavri Çipi