Veç të tjerash, Perëndia e ka bekuar zonën e Gjinarit me bukuri të veçantë natyrore. Kjo dhuratë e mrekullueshme na është dhënë për ta gëzuar, për t’u kujdesur dhe për ta administruar. Por fatkeqësisht, para 4 vitesh, disa hektarë pyje të zonës u dogjën. Të rinjtë orthodhoksë të Gjinarit, të shqetësuar për këto dëmtime, përfshirë edhe shpyllëzimin, ndotjen e mjedisit, si edhe turizmin, janë mobilizuar herë pas here për rijetëzimin e pyjeve.
Në kuadër të këtyre veprimtarive, më 24 shkurt 2021, të rinjtë mbollën 200 rrënjë pisha të dhuruara nga organizata “Green Vlora”, në kuadër të projektit të Kishës sonë “Kujdesem për Krijimin”. Ky program sapo ka nisur zbatimin e tij në shkollat dhe kopshtet e Fondacionit “Fryma e Dashurisë” të Kishës sonë, si edhe në enori e zona të ndryshme të vendit.
Këtë nismë e mbështetën Drejtoria e pyjeve e Bashkisë Elbasan, njësia administrative, Gjinar dhe shkolla e mesme “Kostandin Shpataraku”, Gjinar.
Prifti i enorisë së Gjinarit, atë Jani Ranxha, bekoi mbjelljen e fidanëve dhe përcolli bekimet e Mitropolitit, Hirësi Andonit.
Shpresojmë që me mbështetje të tjera të vazhdojmë pyllëzimin e zonës së Gjinarit, që t’i kthejmë asaj madhështinë dhe bukurinë që Vetë Zoti na e ka dhuruar. Kështu kjo zonë e bukur do të na vërtetojë atë që na thotë shën Joan Gojarti: “Natyra është mësuesi më i mirë”.