EmailFacebookKontakt

Çfarë ka vlerë në jetë?

“Mos u pajtoni me rënien morale!

Shumë herë dëgjojmë që në Shqipëri nuk kemi një nivel të lartë vlerash. Flasim për korrupsionin dhe për shumë gjëra të tjera. Nuk do të pajtohemi asnjëherë me diçka të tillë. Ju e dini që vijmë nga një iluzion i vjetër. Një iluzion që vjen nga ideologjia komuniste dhe hyjmë në një tjetër iluzion, në atë kapitalist. Ndërmjet këtyre dy iluzioneve ekziston një boshllëk i madh. Është një boshllëk i madh vlerash. Çfarë ka vlerë në jetë? – parashtrohet pyetja.

Shumë herë, nga ndikimet që kemi nga televizioni, krijohet një idhujtari e re! Idhulli i parë janë paratë. Idhulli i dytë seksi dhe idhulli i tretë pushteti, fuqia. Këto janë tri gjëra të rrezikshme që na çojnë në dekadencë. Keni dëgjuar shumë herë që jemi në një pikë të vështirë në lidhje me korrupsionin. Por, kjo është një fantazmë që nuk e dimë se nga na vjen. Ky fenomen ka rrënjët e tij! Rrënja e parë është lakmia. E dyta gënjeshtra dhe rrënja e tretë është egocentrizmi që i duam të gjitha për veten tonë. Nuk luftohet korrupsioni me aforizma të përgjithshme. Nevojitet që t’i kundërvihen ata njerëz, të cilët nuk ndjekin tri gjërat që përmendëm më lart.

Më kujtohet një frazë e Dostojevskit nga “Vëllezërit Karamazov”. Thotë Starec Zosimai: “Mos u thoni të tjerëve gënjeshtra! Mos i thoni as vetes suaj!” Sepse, nëse e bëni zakon të thoni gënjeshtra, do të reshtni së vlerësuari të tjerët, do të reshtni së vlerësuari edhe veten tuaj dhe nuk do të mundni dot të doni, dhe për të mbushur boshllëqet e jetës suaj, do të ankoheni vazhdimisht. A është bukur të ankohet dikush? Pra, e përsëris edhe njëherë, nuk dua të pajtoheni me dekadencën”.