Mos mendo që Perëndia nuk të dëgjon kur i lutesh. Ai dëgjon mendimet tona, njësoj siç ne dëgjojmë zërat dhe fjalët e njëri-tjetrit. Dhe nëse nuk vepron në çast sipas lutjes, kjo ndodh ose ngaqë ne i lutemi në mënyrë të padenjë, ose ngaqë i kërkon diçka që është shkatërruese për ty; ose ngaqë Ai, në Urtësinë dhe Përkujdesjen e Tij, e shtyn në kohë përmbushjen e kërkesës sate deri në çastin e duhur.
Shën Joani i Kronshtadit shkruan: “Njësoj si ne, që komunikojmë shpejt me anë të telegrafit me njerëz që ndodhen larg nesh, po kështu, me anë të besimit të gjallë – siç ndodh me telegrafin – ne komunikojmë me shpejtësi me Perëndinë, me shenjtorët dhe engjëjt e Tij. Ashtu siç i besojmë shpejtësisë së kabllos elektrike, që e përçon rrymën në destinacionin e duhur, kështu edhe ne duhet të besojmë plotësisht në shpejtësinë e lutjes së bërë me besim dhe arritjen e saj në vendin e duhur.
Dërgoja kërkesat e tua Perëndisë dhe shenjtorëve me anë të telegrafit të besimit dhe do të marrësh përgjigje”.
Dhe në një vend tjetër shën Joani shkruan: “Perëndia dhe shpirtrat e krijuar, dhe shpirtrat e të larguarve nga kjo botë – si edhe të atyre që jetojnë – janë shpirtra që dëgjojnë.
Edhe mendimi është i shpejtë dhe në disa mënyra i kudogjendshëm. Mendo për ta me të gjithë zemrën tënde dhe ata do të jenë të pranishëm me ty. Perëndia do të jetë me ty gjithmonë dhe të tjerët, me anë të dhuratës dhe pushtetit të Perëndisë, do të jenë edhe ata bashkë me ty”.