“Triodi” është një nga librat e rëndësishëm liturgjikë të adhurimit orthodhoks. Emri i tij është lidhur me periudhën e Kreshmës së Madhe, Kreshma e Pashkës, dhe kështu që brenda tij mban përvojën, peshën dhe rëndësinë e adhurimit dhe spiritualitetit gjatë kësaj periudhe. Ai është libri që shoqëron besimtarët e krishterë orthodhoksë në marshimin e tyre drejt Pashkës, drejt kalimit nga vdekja në jetë, drejt Ngjalljes së Zotit tonë Jisu Krisht, e cila është njëkohësisht dhe ngjallja jonë e dhënë dhe në të njëjtën kohë e kërkuar. Themi e kërkuar, pasi Ngjallja e Jisu Krishtit duhet të bëhet ngjallja e çdo njeriu dhe Perëndia kërkon që njerëzit ta bëjnë të tyre.
Fillimet e “Triodit” gjenden diku në shekullin e 5-të, por pjesë nga dokumentet dorëshkrimore për himnet që përmban dhe strukturën e librit në përgjithësi e himneve në veçanti dhe që psalen deri më sot, datojnë nga shekulli i 10-të. Ndërsa për formën përfundimtare të “Triodit”, të këtij libri të adhurimit, dëshmitë janë të shekullit të 15-të. Kështu që libri mbi supet e tij mban përvojën 15-shekullore të adhurimit të krishterë. Por, po të marrim në konsideratë që brenda librit janë himne apo dhe pasazhe biblike të cilat i përkasin Dhiatës së Vjetër apo të frymëzuara prej saj, atëherë shtrirja kohore e Triodit është shumë e madhe, madje sa ç’është mosha e krijimit të botës në përgjithësi dhe njeriut në veçanti. Në shekullin e 15-të ka formën e tij të plotë në dorëshkrim, ndërsa në shekullin e 16-të botohet në Venecia (1522). Ndërsa përkthimi dhe botimi në gjuhën shqipe më 1913 dhe botimi i përmirësuar më 1952, (Boston) ka një element të rëndësishëm, botimin për herë të parë të tekstit në gjuhën origjinale të tij, gjuhën greke, jo më në formën dorëshkrimore, por të printuar. Duke menduar se në atë kohë janë botimet e para të printuara, siç është dhe Shkrimi i Shenjtë (Dhiata e Vjetër dhe Dhiata e Re), tregon për peshën dhe vendin që kishte ky si libër në adhurimin e krishterë orthodhoks.
Emërtimi i këtij libri mbështetet tek një element teknik, por që me kalimin e kohës, shkrirja në adhurim dhe i mbushur me përvojën e adhurimit, elementi teknik ka kaluar në një pozicion dytësor dhe në pozicionin parësor është përjetimi i ngjarjeve shpëtimtare në historinë njerëzore, ku Jisu Krishti është Personi qendror dhe ku lutja ndërthuret me fjalën. Kështu, fjalët e shpirtit dhe mendjes njerëzore, fjalët e Perëndisë dhe shoqëria e melodisë bashkohen, duke e drejtuar personin dhe grigjën që lutet drejt një dimensioni hyjnor, ku mendja e vetme mund ta imagjinojë, por jo ta përjetojë.
Pavarësisht se iu referuam dimensionit të ri që ka marrë libri i “Triodit” në jetën e Kishës, nuk duhet të anashkalojmë elementin teknik të emërtimit të tij. Quhet Triod, sepse shumë nga kanonet përmbajnë nga tri ode, ndërkohë që jashtë kësaj periudhe të Triodit janë 9 ode. Kështu, që nga e hëna deri të premten psalet një prej pesë odeve të para bashkë me oden 8 dhe të 9, që psalen çdo ditë (më konkretisht të hënën odet 1, 8, 9; të martën 2, 8, 9; të mërkurën 3, 8, 9; të enjten 4, 8, 9; të premten 5, 8, 9. Të shtunën psalen odet 6, 7, 8, 9 dhe të dielën i gjithë Kanoni. Kuptimi i Kanonit në kontekstin liturgjik, në Kishën Orthodhokse, quhet një sistem i tropareve lavdëruese, të cilat psalen në Shërbesën e Mëngjesores dhe kanë të njëjtën temë dhe tingull.
“Triodi” me autoritetin e një teksti liturgjik mban brenda tij thesare shpirtërore, të cilat i sjellin ngjarjet e personat nga e shkuara në të tashmen, jo thjesht si memorie historike dhe as si një kod etik, por si përjetim shpirtëror. Triodi e fillon marshimin e tij të përvitshëm bashkë me besimtarët dhe, me hirin hyjnor, tri javë para fillimit të Kreshmës së Madhe dhe dhjetë javë para Pashkës. Këtë vit fillimi i Triodit përkon me datën 21 shkurt dhe përfundon të Shtunën e Madhe, që përkon me datën 1 maj.
Triodi është periudha ku çdo ditë dhe veçanërisht çdo të Diel vjen në qendër një ngjarje biblike, historia e një personi që ka jetuar me Perëndinë apo dhe e atyre që kanë jetuar larg Perëndisë. Kështu “Triodi” sjell para besimtarit copa jete, të cilat bashkë për dhjetë javë krijojnë një mozaik, ku çdo njeri gjen veten.
Java e parë fillon me parabolën e Doganierit dhe Fariseut. Në antitezë me mënyrën e gabuar të lutjes së fariseut vjen lutja e drejtë dhe plot përulësi e besim e Tagrambledhësit.
Java e dytë vazhdon me pendimin, është Java e Plangprishësit. Pendimi është e vetmja mundësi për të gjetur njeriu vetveten, atë që ka humbur me largimin nga Perëndia. Duhet theksuar se javët e ndryshme të Triodit nëpërmjet himneve e leximeve biblike përpiqen të zbërthejnë natyrën njerëzore, si e krijoi Perëndia dhe si e deformoi rënia në mëkat. Atje gjendet jeta e përditshme e njeriut, sjelljet e veprimet e tij dhe njëkohësisht alternativat dhe thirrjet për shpëtim.
Dhe këto alternativa vazhdojnë në të Dielën e tretë, e cila quhet e Diela e Gjykimit të fundit ose e Diela e Mishit. Ardhja e dytë dhe Gjykimi është i pashmangshëm dhe i cili do të bazohet mbi veprimet, mendimet dhe përjetimet e njeriut.
E Diela pasardhëse, pra e Diela e Faljes apo e të Lidhurit të djathit, ku në qendër kanë faljen. Është ky veprim i njeriut, që jo vetëm e çliron njeriun, por i jep mundësi të zhvillojë e forcojë shoqërinë me Perëndinë dhe padyshim dhe me të afërmin.
Dhe brenda kësaj periudhe të kreshmës, Triodi vazhdon ta forcojë besimtarin me fenomene ku vetëm nën dritën e hirit hyjnor mund të kuptohen dhe përjetohen. Javët e kreshmës së plotë vijojnë me të Dielën e Orthodhoksisë, ku pesha e ikonës vjen për të treguar se trupi njerëzor është pjesë e rëndësishme e qenies njerëzore dhe njëkohësisht na sjell në mendje rëndësinë që ka ikona, pasi ajo, nëpërmjet paraqitjeve të ngjarjeve apo njerëzve, na tregon atë që herë pas here mendja apo fjalët e kanë të vështirë ta shprehin, lindjen e Zotit Jisu Krisht.
E Diela e gjashtë e Triodit apo e dyta e kreshmës vazhdon me shën Grigor Pallamain, i cili jetoi shekullin e 14-të dhe na tregoi se energjitë e pakrijuara të Perëndisë janë një siguri për shpëtimin tonë. Po ashtu na sjell në mendje se shpëtimi më shumë sesa një përsosje morale është një jetë nën shoqërinë e energjive të pakrijuara të Perëndisë.
Java e shtatë vazhdon me Kryqin, simbolin ku vdekja dhe jeta rrinë bashkë dhe ku Jisu Krishti na tregoi se pavarësisht nga kjo, fitorja është e jetës, të cilën njeriu e do, e kërkon dhe lufton për të.
E Diela e shtatë e Triodit është e Diela e shën Joanit të Shkallës, i cili jetoi në shekujt 6-7 ps. Krishtit, duke na treguar se me hirin hyjnor, qenia njerëzore mund të shikojë ato që syri fizik nuk i sheh, mund të përjetojë ngjarje dhe dukuri shpirtërore, ku bota e rënë nuk i afron se nuk i ka. Dhe ato që nuk ka bota, Perëndia jo vetëm i ka, por dhe i ofron te gjithë njerëzimi pa dallim.
Dhe me një shenjtore e Diela e tetë e Triodit i dedikohet një oshënareje, Shën Marisë Egjiptiane (shek. i 6-të), për të na treguar që shpëtimi është i gjithë qenies njerëzore dhe njëkohësisht na shfaq faktin se qenies njerëzore i shfaqen pafundësisht mundësitë për pendim.
Pjesë domethënëse e Triodit është Java e Madhe. Është java ku të kundërtat përplasen deri në ekstrem. Vdekja kundër jetës, thirrjet për lavdërim me thirrjet për kryqëzim, sjellja egoiste e farisenjve me sjelljen e përulur të gruas, që leu Jisuin me miro, besnikëria me tradhtinë. Është java, në të cilën përmes tropareve shprehet përjetimi njerëzor mbi atë çfarë Perëndia bën për t’i kthyer njeriut dinjitetin, pasi ngjallja është rikthim i dinjitetit njerëzor duke e shkëputur njeriun nga nëpërkëmbësi i dinjitetit të tij, djalli.
Padyshim, periudha e Triodit nuk lë jashtë vëmendjes shpirtrat e të fjeturve më Zotin (e Shtuna e Shpirtrave para Kreshmës), duke na treguar se Kisha është një. Po ashtu gjatë periudhës së Triodit nderohet e Tërëshenjta Mari, ku nëpërmjet Shërbesës së Himnit Akathist, në vëmendjen e besimtarit vjen jeta e saj dhe padyshim roli që ajo ka në jetën e besimtarit, si një ndërmjetëse e padiskutueshme për njerëzit te Perëndia. Dhe nderimi i saj shoqërohet me himne shumë të ndjera, ku ajo është shoqëruese e besimtarit në jetën e tij në përgjithësi dhe ku periudha e Triodit zë një vend të veçantë. Dhe në fund duhet thënë që “Triodi” përfshin Liturgjinë e Dhuratave të Parashenjtëruara. Është kjo shërbesë, e cila në mendje sjell nevojën për ushqim shpirtëror, përforcuese e mendimit që besimtari apo qenia njerëzore duhet të ushqehen me trupin e gjakun e Krishtit. Liturgjia e Dhuratave të Parashenjtëruara, e cila kryhet zakonisht të mërkurën dhe të premten, gjatë Kreshmës së Madhe, plotëson imazhin e një marrëdhënieje reale me Zotin, pasi fjala, shembulli, morali, besimi, lavdërimi i Perëndisë kërkojnë ushqimin me gjakun e Zotit Jisu Krisht, ushqim, i cili është, shenjtërohet dhe jepet prej Atij.