EmailFacebookKontakt

Tiranë – Të rinjtë orthodhoksë pranë njerëzve në vështirësi

Në kuadër të festës shpresëdhënëse të Krishtlindjes 2020, Zyra e Rinisë, Tiranë, në bashkëpunim me donatorë të ndryshëm brenda dhe jashtë vendit, u organizua duke marrë nisma konkrete për të ndihmuar njerëz në nevojë pa dallim fetar.

Kështu, u identifikua një familje pranë Tiranës, e cila, për shkak të pamundësive ekonomike dhe vështirësive shëndetësore të anëtarëve të saj, kishte mbetur në qiell të hapur prej shumë kohësh, shtëpia ishte ende e papërfunduar dhe pa çati.

Falë mobilizimit të menjëhershëm dhe dhuratave nga disa njerëz brenda dhe jashtë vendit, në një kohë fare të shkurtër u mundësua sigurimi i fondit të domosdoshëm sipas preventivit dhe realizimi i kësaj nisme për ndërtimin e çatisë. Të rinjtë dhe miq të familjes punuan pa ndërprerje, ditë e natë, sa e përfunduan çatinë. Kështu, nisma përfundoi me sukses brenda datës 25 Dhjetor 2020.

Gjithashtu, në bashkëpunim me besimtarët e Gramshit, u siguruan pako ushqimore të plota për 70 familje, pa dallim fetar.

Kjo u bë e mundur falë bashkëpunimit me nxënësit e shkollës “Protagonistët”, të cilët mblodhën një sasi të konsiderueshme ushqimesh. Edhe me fonde të dhuruara nga besimtarë të ndryshëm, u përgatitën shumë pako, të cilat u shpërndanë ditën e Krishtlindjes, shoqëruar edhe me një drekë të përbashkët në mjediset pranë kishës së Gramshit.

Duhet theksuar se nisma të tilla organizohen në çdo mitropoli të vendit, për mensat, shpërndarje ushqimesh dhe veshmbathjesh, si dhe ndihma financiare për arsye të ndryshme.

Jani Meni
Koordinator në Zyrën e Rinisë, Tiranë.