EmailFacebookKontakt

Nigeri, përshkallëzim i sulmeve kundër të krishterëve

Nigeri, përshkallëzim i sulmeve kundër
të krishterëve

Nigeria ka pushtuar shpesh vitet e fundit faqet e para të mediave me aktet e dhunës ndaj të krishterëve. Boko Haram, një organizatë fundamentaliste islamike, po përpiqet të shkatërroje dhe përjashtojë çdo gjë që ajo e quan “perëndimore”. Në këtë rrugë, objekt i vazhdueshëm i sulmit të saj janë përveç ushtrisë e policisë, kishat e krishtera të të gjitha rrymave dhe shkollat. Pa përjashtuar këtu edhe xhamitë ku mblidhen myslimanët e moderuar dhe të gjitha llojet e vendeve ku njerëzit mblidhen për të kaluar pak kohë së bashku, si lokalet, kinematë etj.

Boko Haram i ka shpallur luftë çdo shfaqjeje të kulturës. Synimi i tyre është krijimi i gjeneratave sa më injorante, që do mund të përdoreshin si mish për top për të arritur synimet e themeluesve.

Kështu, në qershor u sulmuan 4 komunitete të krishtera, duke u djegur kishat dhe mbjellë terror, për të kulmuar me ngjarje makabre të ndodhur më 6 korrik. Një grup ekstremistësh sulmuan një lice në Mamudo, në verilindje të Nigerisë. Viktima të tyre qenë 40 nxënës dhe 1 mësues, mjaft prej të cilëve u dogjën të gjallë. Po në të njëjtën ditë, 20 të krishterë u vranë gjatë një konflikti tribal për t’u marrë tokat.

Nigeria ka 160 milion banorë dhe ndahet midis jugut të krishterë dhe animist dhe veriut mysliman. Kjo popullsi ndahet në 250 etni të ndryshme.